Pushime në kufijtë e imagjinatës, piratë në bregdetin shqiptar

Plazh në Ksamil

Udhëtim në parajsën e pazbuluar të Jonit dhe Adriatikut…

Njihet si kopshti shkëmbor i Europës Juglindore, aty ku malet e larta e kryeneçe bashkëjetojnë për mrekulli me kaltërsitë e panumërta ujore, që nga veri-perëndimi në jug-perëndim përthyejnë vijën e mistershme të bregdetit shqiptar.

E kur ditët e nxehta të verës vrapojnë, aventura e arratisjes për pushime ka marrë udhë në mendjet e gjithkujt… Janë të panumërta zgjedhjet për të pushuar.

Nga veriu në jug plazhet shqiptare, ranore e shkëmbore janë në pritje të pushuesve, pse jo dhe turistëve të huaj, që priren drejt mistereve të pazbuluara. Dhe brigjet shqiptare fshehin shumë syresh…

Bregdeti i Adriatikut me plazhet e Velipojës, Lezhës në veri-perëndim, plazhet e Durrësit e Kavajës, plazhet e Vlorës dhe plazhet e panumërt të bregdetit jonian, janë sa të dukshëm në hartën turistike shqiptare aq edhe të pacekura nga këmba e pushuesve.

Plazhe të panumërta që për faj të askujt, por ndoshta të gjithkujt janë ende mister edhe për vetë shqiptarët që banojnë përkundruall tyre.

Rana e hedhun, molla e ndaluar e Adriatikut

Plazhi ‘Rana e hedhun’, Lezhë

E ndërsa lë zhegun e Tiranës për të rrugëtuar në veri-perëndim, drejt Lezhës, të ftojnë plazhet e Shëngjinit, Kunes e Tales.

Në kërkim të misterit, një plazh i magjisë ranore është “Rana e Hedhun”, që shtrihet buzë malit të Rrencit, afro 3-4 kilometra larg Shëngjinit, përgjatë bregdetit Shëngjin-Velipojë.

Këtu shtjellat e rërës së bardhë, që i ka dhënë emrin plazhit, veshin trashë jo vetëm bregun e detit, por edhe një sipërfaqe të madhe të malit të Rrencit.

“Rana e Hedhun”, mollë e ndaluar në të kaluarën për shkak të funksionit të saj si zonë ushtarake në vitet e diktaturës, sot është një perlë e turizmit detar ranor. Pa frikë mund të themi se ky plazh i përngjason plazheve të tropikut apo Karaibeve. Koha për ta zbuluar….

Plazhi i Spillesë, Kavajë

Spilleja, “princesha”që ruajti kurorën e gjelbër

Në vijim të turit zbulues, kthehemi mbrapsht dhe zbresim më në jug, ku aventura vazhdon me plazhet e Kavajës, një vijë e gjatë rreth 35 kilometra, që nis nga përroi i Agait si kufi me Durrësin e përfundon tek grykëderdhja e lumit Shkumbin.

Njëri pas tjetrit shpalosen plazhi i Golemit, i Karpenit, i Bagosë, i Grethit dhe plazhi i Spillesë. Ndalemi këtu, 20 kilometra larg nga Kavaja.

Plazhi i Spillesë dhe i Grethit, zgjaten në 8 kilometra vijë bregdeti duke nisur nga fundi shkëmbor i Bardhorit deri në grykëderdhjen e Shkumbinit.

Ajo që e bën të veçantë plazhin e Spillesë është një brez i gjerë pishash të gjelbëruara e të paprekura nga dora shkatërruese që përshkojnë tërë vijën e saj bregdetare, që ndahet nga zonat e banuara nga kodrat e Kryevidhit, duke e shndërruar zonën në një breg ranor nën hijen e pishave.

Gadishulli i Karaburunit

Gadishulli i “Piratëve”

Lëmë zonën e Spillesë për të vijuar aventurën në jug të vendit, në bregdetin e Vlorës.

Në këtë rrugëtim me makinë na joshin tejet plazhet me ujë të kthjellët si “Uji i Ftohtë”, ai i Orikumit, apo i Radhimës e më tej plazhet e Himarës.

Intimitet dhe aventurë…Në këtë udhëtim, “topsecret” mbeten plazhet e Karaburunit, gadishulli kryemadh në Jug-Perëndim të Shqipërisë, nën këmbët e të cilit, ndahen gjiri i Vlorës nga bregdeti magjepsës i Jonit. Një tjetër zonë ish-ushtarake, e ndaluar për të apasionuarit e bregdetit.

Nga pikat më të larta të Vlorës, si teqeja mbi det e Kuzum Babait, gadishulli i Karaburunit që zgjatet në det 16 kilometra, i përngjan gishtit të madh të dorës, duke na dhënë idenë e një gjigandi që kridhet hijerëndë mbi Jon.

Makina këtu nuk na bën punë. Përdrejt plazheve të pazbuluara të Karaburunit nuk ka rrugë, atje shkohet vetëm përmes detit me skafe apo mjete të tjera lundrimi….

Një udhëtim me skaf turistik kushton 10 000 lekë të vjetra, apo ca edhe më shumë. Ia vlen të shpenzosh për të jetuar një moment të rrallë, të parë ndoshta vetëm në emisionet discovery të brigjeve turistike të botës. Peisazhi që shpaloset është mitik, realiteti merr arratinë, jetojmë përrallën… Para syve zbulohen njëri pas tjetrit një sërë plazhesh sekrete të fshehura nga natyra si me magji…

Gjiret e Karaburunit

Bregu i Karaburunit përthyhet në gjire të vegjël me forma nga më të ndryshmet, plazhe, shpella karstike, kepe, pllaja e shpate të zhveshur. Gjiret e Karaburunit njihen me emra të çuditshëm sipas formave të tyre që i ngjajnë fenomeneve të natyrës të zbuluara nga vetë njeriu apo të shenjtorëve që kanë shkelur prej andej. Gjiri i Ariut, i Dafinës, i Raguzës së parë, i Raguzës së dytë, i Ravenës, i Shën Janit, i Shën Vasilit, janë disa nga misteret që zbulohen sa hap e mbyll sytë. Gadishulli i Karaburunit është i pabanueshëm për shkak se ai është pjesë e zonës teknonike të ishullit të Sazanit, dhe dukuria karstike pason aty mungesën e burimeve me ujë të pijshëm. Këtu evolucioni i natyrës i ka lënë vendin krijimit të kepeve, si ai i Gallovecit, apo edhe kepi i njohur i Gjuhëzës, që ndodhet në pikën më perëndimore të Shqipërisë, aty ku ndahet Joni nga Adriatiku. Por shkelja e kësaj parajse të virgjër detare mbetet ende privilegj për këdo.

Në kërkim të aventurës, plazhet e fshehur të Karaburunit shterojnë kufijtë e imagjinares me realitetin e virgjër që mund ta gjesh duke përshkuar detin. Më tej, në skajin më jugor të Jonit, përbri ishujve të Ksamilit, fshihet një tjetër diamant, Gjiri i Afërditës. Ashtu si thesaret, për ta gjetur duhet të bëheni pak piratë. Ajo që mbetet është të bëni gati bagazhet dhe të nisni aventurën e shumëpritur…

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button