Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Berisha dhe “Vija e Theodhosit” | My CMS

Berisha dhe “Vija e Theodhosit”

Në fillim të marsit 1991, më qëlloi të bëja rrugën Tiranë-Ballsh-Tiranë me Sali Berishën dhe Neritan Cekën (në Ballsh shkuam për një takim elektoral të PD-së). Gjatë rrugës, ndër të tjera, Berisha foli edhe për të famshmen “Vijë të Theodhosit” (Theodhosi i Madh ishte perandori i fundit romak që sundoi mbi perandorinë e pandarë të Romës. Para vdekjes së tij në vitin 395, Theodhosi e ndau perandorinë në dy pjesë, lindore dhe perëndimore, të cilat u trashëguan përkatësisht nga dy bijtë e tij, Arkadiusi and Honoriusi). Sipas Berishës dhe Cekës, fatkeqësia e trevave shqiptare ishte se kishin mbetur në lindje të vijës ndarëse që kishte përcaktuar dikur Theodhosi, por më së fundi, kishte ardhur koha që kjo fatkeqësi të zhbëhej – pra, që Shqipëria të kalonte në anën perëndimore të “Vijës së Theodhosit”.
 Kjo ka qenë, pa asnjë dyshim, tema e diskutuar më me pasion nga Berisha në bisedat ku unë kam qenë i pranishëm. Sytë e tij shndrinin tek thoshte se Skënderbeu ishte i pari që provoi t’i udhëhiqte shqiptarët drejt botës që shtrihej në perëndim të vijës së Theodhosit. Për Ismail Qemalin, Fan Nolin e Ahmet Zogun, ai u shpreh se kishin  qenë disi të dyzuar mes Lindjes e Perëndimit, ndërsa Enver Hoxhën e quajti si udhëheqësin më anti-perëndimor që kishte patur ndonjëherë Shqipëria.

Nga ajo bisedë e largët, m’u krijua bindja e plotë se Berisha e shihte veten si udhëheqësin që do të realizonte ëndërrën e Skënderbeut për kalimin e shqiptarëve në kampin e Perëndimit. Dhe në fakt, në fillim të viteve ’90, veprimtaria politike e Berishës përputhej me këtë objektiv. Shqipëria ishte vendi i parë ish-komunist që aplikoi në vitin 1992 për antarësim në aleancën ushtarako-politike euro-atlantike, të njohur me akronimin NATO, ndërkohë që bëri hapat e parë për integrimin në Bashkimin Europian, me nënshkrimin po në të njëjtin vit të Marrëveshjes për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tregëtinë (njohur me akronimin AECT). Ky orientim drejt perëndimit i Berishës u mirëprit nga Uashingtoni, Brukseli, Strasburgu e kryeqytete të tjera europiane, të cilët i dhanë një mbështetje të pakufishme qeverisë së PD-së.

Por në fillim të vitit 1995, ndodhi diçka që dukej sikur binte ndesh me rrugëtimin e Shqipërisë përtej “Vijës së Theodhosit”.  Pas dështimit personal të Berishës në referendumin për kushtetutën e propozuar prej tij, Eduard Selami, kryetar i PD-së në atë kohë, propozoi që posti i kryetarit të partisë të njësohej me postin e kryeministrit, ndërkohë që kushtetuta të aprovohej në Kuvend me konsensusin e opozitës. Me këtë lëvizje, dështimi i referendumit i faturohej qeverisë, ndërkohë që i jepeshin opozitës sinjale zbutjeje.
Duke patur parasysh lidhjet e forta që kishte Selami me qarqet diplomatike në Uashington, Strasburg dhe Bruksel, është më se e arsyeshme të konkludohet që lëvizja e propozuar prej tij kishte mbështetjen e heshtur të këtyre qarqeve, për të mos thënë se ishte propozuar prej atyre vetë. Por ajo lëvizje përbënte një problem për Berishën. Së pari, kushtetuta e aprovuar me konsensusin e opozitës do të pakësonte me siguri pushtetin e tij si president, ndërkohë që ardhja e Selamit në krye të qeverisë mund të shtonte pavarësinë e saj prej tij. Dhe si iu përgjgij Berisha lëvizjes së Selamit? E shkarkoi atë në mënyrën më brutale të mundshme. Ky ishte dhe sinjali i parë për Uashingtonin, Strasburgun dhe Brukselin se Berisha nuk ishte ai demokrati i etur perëndimor i fillimeve të demokracisë në Shqipëri…

Në vjeshtën e vitin 1995, ndodhi dhe krisja e parë e fortë e Berishës me perëndimin. Në një takim me presidentin e SHBA-së në Shtëpinë e Bardhë, ai premtoi se do të respektonte pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Arsyeja pse iu kërkua ky premtim ishte sepse Gjykata e Lartë shqiptare, ndërkohë që Berisha ishte në Uashington, liroi minoritarët grekë që ishin arrestuar për incidentin e postës kufitare të Peshkëpisë në Gjirokastër (Greqia ia kishte kërkuar fort Uashingtonit këtë gjë, në shkëmbim të mospërdorimit të vetos së saj ndaj dislokimit të forcave të NATO-s në Bosnjë).

Por ç’bëri Berisha sapo u kthye në Tiranë? Shkarkoi Zef Brozin, Kryetarin e Gjykatës së Lartë!  Dhe ambasadës amerikane iu desh ta nxjerrë këtë të fundit fshehurazi nga Shqipëria, për t’i shpëtuar ndjekjes së SHIK-ut. Një shuplakë e tillë publike ndaj presidentit amerikan kuptohet që do të regjistrohej fort në qarqet diplomatike të NATO-s (10 vjet më vonë Berisha do të pranonte në emisionin “Opinion” të B. Fevziut se kishte gabuar në lidhje me ata minoritarët në vitin 1995 – ky ishte njëri nga dy gabimet që ai përmendi për kohën kur kishte qenë President i Republikës).

Në mes të vitit 1996, pasi PD-ja fitoi zgjedhjet parlamentare me 90% (!), administrata amerikane i kërkoi publikisht Berishës që të përsëriste zgjedhjet në 40 zona.  Pra, i kërkoi që të përsëriteshin zgjedhjet në aq zona sa të mos cënohej fitorja e PD-së, por të eliminohej mundësia e një shumice absolute, e cila do t’i jepte mundësinë Berishës ta bënte kushtetutën si të donte dhe të qeveriste me dorë të fortë.  Dhe si u përgjigj Berisha?  Sipas tij, zgjedhjet ishin mbajtur në mënyrë shembullore dhe mund të përsëriteshin vetëm në 17 zona.  Pas asaj përgjigje, Uashingtoni e bëri të qartë se nuk do ta mbështeste më ish-nxënësin e tij të bindur pro-euroatlantik. Pothuaj të njëjtin qëndrim mbajtën edhe të gjitha kanceleritë e tjera perëndimore.

Në vjeshtën e vitit 1996, FMN-ja dhe Banka Botërore lëshuan paralajmërime të forta për shembjen e afërt të kompanive piramidale, por Berisha iu kundërpërgjigj duke i garantuar shqiptarët se paratë e investuara prej tyre në këto kompani ishin më se të sigurta. Arsyeja? Atëherë ishim në prag të zgjedhjeve lokale, në të cilat Berisha synonte të konfirmonte pak a shumë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Dhe në fakt,  PD-ja i fitoi thellë zgjedhjet lokale, por fill pas tyre, skemat piramidale filluan të shkërmoqen një nga një (Në emisionin “Opinion” të sipërcituar, mosmbyllja e skemave piramidale në kohën e duhur ishte gabimi i dytë që Berisha përmendi për periudhën kur kishte qenë President i Republikës).

Në fillim të vitit 1997, administrata amerikane i propozoi Berishës një zgjidhje për krizën e madhe financiare-politike.  Kjo zgjidhje përmbante tre pika: 1 – Shkarkimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie të re të djathtë; 2 – Bllokimin e të gjithë parave dhe pasurive të skemave piramidale; 3 – Mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme pas qetësimit të situatës.  Dhe si iu përgjigj Berisha këtij propozimi? Duke mos denjuar të takohej me zyrtarin e lartë amerikan që kishte ardhur në Tiranë për të diskutuar zyrtarisht hollësirat e zgjidhjes – zv.Sekretarin e Shtetit! Dhe me atë veprim, Berisha mori shuplakën përfundimtare nga Uashingtoni.  Se çfarë ndodhi më pas e di i madh e i vogël në Shqipëri…

Pas ardhjes së socialistëve në pushtet në vjeshtën e 1997-ës, u duk se kishte marrë fund ëndërra e Berishës për të qenë udhëheqësi që do të realizonte ëndërrën e Skënderbeut për kalimin e shqiptarëve në kampin e Perëndimit. Këtë gjë dukej se do ta realizonte Fatos Nano, udhëheqësi properëndimor i socialistëve. Po  falë papërgjegjshmërisë, korrupsionit dhe miopisë politike të këtij të fundit, Berisha rierdhi në pushtet pas 8 vjetësh, tani si kryeministër (koalicioni i udhëhequr prej tij nuk mori dot në zgjedhje as 43% të votës popullore, por përçarja e së majtës i dha koalicionit të Berishës 55% të mandateve parlamentare).

Në katër vjetët e para si kryeministër, Berisha u duk se i ishte kthyer ëndërrës së tij të kahershme të kapërcimit të “Vijës së Theodhosit”. Reformat e ndërmarra nga qeveria e tij dhe të aprovuara me konsensus nga opozita i hapën dritën jeshile Shqipërisë për antarësimin e shumëpritur në NATO dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE-në, si dhë më pas, për liberalizimin e vizave për zonën Shengen. Por ngjarjet e vitit 2009 e ndalën trenin shqiptar në rrugën e tij drejt Perëndimit.
Pas zgjedhjeve parlamentare të atij viti, Berisha nuk mbajti premtimin themelor të trupëzuar në kodin konsensual zgjedhor – pikërisht premtimin se dy anëtarë të KQZ-së do të kishin të drejtën automatike të kërkonin rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në ato kuti që do të caktonin vetë ata. KQZ-ja e dominuar nga Berisha nuk e pranoi kërkesën e dy anëtarëve të saj për të rinumëruar dhe rivlerësuar votat e disa qendrave të numërimit të Beratit, Tiranës e Shkodrës dhe si rrjedhojë, Shqipëria u mbërthye për dy vjet në luftën politike për transparencën e votës.

Kur Parlamenti Europian, nëpërmjet një rezolute, u mundua ta ndihmonte trenin shqiptar për t’u rinisur drejt Europës, mori një përgjigje brutale nga Berisha. Në rezolutë kërkohej që Kuvendi të krijonte një komision parlamentar, me kryesimin dhe shumicën e opozitës, i cili të hetonte materialet zgjedhore. Dhe ç’përgjigje dha Berisha? Fletët e votimit i dogji në mënyrë demonstrative në bregun e Erzenit, ndërsa materialet zgjedhore i dërgoi në Arkivin e Shtetit, ku mund të studiohen vetëm pas 25 vjetësh… Po pse e bëri Berisha këtë? Ai s’mund të lejonte që të dilnin në shesh lakra që mund të delegjitimonin pushtetin e tij! Ndërkohë, ëndërra europiane mund të priste…

Në 14 maj 2011, kur 485 procesverbalet e numërimit të votave në Bashkinë e Tiranës, të firmosura nga të dyja palët, tregonin se fitues ishte Kryetari i PS-së me 10 vota diferencë, u duk se rruga drejt BE-së po rihapej (ambasadori amerikan në Tiranë tha gjatë një interviste me Alfred Pezën në Vizion Plus se zgjedhjet do të kishin qenë shumë të mira, në qoftë se do të ishin mbyllur në 14 maj…). Por në 18 maj, KQZ-ja (e mbizotëruar nga përfaqësuesit e PD-së) filloi të numërojë vota të tjera, përtej 485 procesverbaleve të firmosura nga të dyja palët. Dhe në fund të atij procesi, fitues rezultoi kandidati i PD-së. Pas humbjes së betejës legale rreth ndryshimit të rezultatit në KQZ, PS-ja deklaroi se kryetarit të saj iu vodh fitorja në tavolinë dhe ka bërë të qartë se nuk do të bashkëpunojë me PD-në për integrimin në BE, në qoftë se PD-ja dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë nuk e pranojnë qartazi se mandati i Tiranës u vodh. Me fjalë të tjera, treni ynë për në BE vazhdon të mbetet i palëvizur në shina.
Po synimi për kapërcimin e “Vijës së Theodhosit” me Berishën në krye a vazhdon të gjallojë në kokën e tij? Me sa duket, vazhdon gjumin e thellë letargjik…

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Një koment

  1. Nje here quhet gabim, heren e dyte me pak sforco po e quajme prape gabim, por gabimet e ketij kafshes nuk po mbarojne me as sot es mot, keshtu qe mendoj se nuk behet thjesht flala per gabim te pafajshem, por faj dhe tradheti se veprat efundi me ujrat territoriale kete gje provijne.Le te shpresojme se nuk e konsideron veten Skenderbeu ky trapi, se vallahi keq do ta kemi, po qe se ka vendose te rrije ne pushtet deri sa te vdese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button