1 tetori i ’97-s shënoi epokë të re për Kosovën (VIDEO)

Edhe pse kanë kaluar 16 vjet, Lëvizja Studentore e ’97-s vazhdon të vlerësohet si çasti më i rëndësishëm i kthesës së madhe historike që po vinte për Kosovën, kthesë e cila më vonë mori epitetin dhe vulën e UÇK-së.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë Lëvizja Studentore, e udhëhequr nga Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe Albin Kurti, e përkrahur edhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, si dhe nga disa profesorë të tjerë, i patën dhënë fund politikës pacifiste të popullit shqiptar ndaj regjimit shtypës të Beogradit. Por, pavarësisht se kanë kaluar gjashtëmbëdhjetë vjet, kjo lëvizje vazhdon të vlerësohet si çasti më i rëndësishëm i kthesës së madhe historike që po vinte për Kosovën, kthesë e cila më vonë mori epitetin dhe vulën e UÇK-së. Sipas tyre, kjo lëvizje kishte thyer status quon dhe të gjitha tabutë e deriatëhershme. Ata kanë thënë se Lëvizja Studentore e ’97-s ishte kufiri kur filloi një fazë e re me lëvizjen e çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Dugolli: Kosova ishte pjesë e gjendjes ndërkombëtare falë Lëvizjes Studentore të ’97-s

Ish-lideri i Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, ka thënë për “Epokën e re” se Lëvizja Studentore e ’97-s kishte shënuar një epokë të re drejt avancimit dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. “1 tetori i vitit 1997 është vlerësuar dhe vlerësohet nga të gjithë se ka qenë një datë e kthesës historike të lëvizjes politike shqiptare për aktivitete dinamizmi të vjetër dhe të rezistencës në Kosovë. Me Lëvizjen Studentore të ’97-s filloi një epokë e re drejt avancimit të çështjes shqiptare në Kosovë. Rezistenca e Lëvizjes Studentore e vitit 1997 bëri jehonë të madhe edhe te faktori shqiptar, por edhe tek ai ndërkombëtar”, ka thënë Dugolli. Sipas tij, kjo lëvizje kishte trokitur fort në ndërgjegjen dhe harresën e bashkësisë ndërkombëtare karshi Kosovës. “Jehona që bëri kjo lëvizje ndikoi që Kosova të futet në agjendat e faktorit ndërkombëtar, pas asaj harrese që kishte ndodhur me Konferencën e Dejtonit. Pas kësaj Kosova filloi të lëvizë drejt një fillimi të ri, drejt aktivizimit të luftës çlirimtare për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Dugolli.

Lajçi: Lëvizja e ’97-s shënoi kthesë të madhe për Kosovën

E ish-prijësi tjetër i kësaj lëvizje, Driton Lajçi, ka vlerësuar se Lëvizja Studentore e ’97-s ka shënuar kthesë të madhe për Kosovën. “Nëse i shikojmë gjërat në retrospektivë, Lëvizja Studentore ka shënuar vitet e kthesës së madhe dhe kthesës së rrezikshme për Kosovën. Të bësh një kthesë të madhe duhet të përballesh me shumë rreziqe të mëdha. Në atë kohë studentët, universiteti dhe Kosova ballafaqoheshin me një regjim, historia e të cilit është duke u shkruar me shkronja të zeza në bankën e të akuzuarave në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka deklaruar Lajçi për “Epokën e re”. Ai ka thënë se gjatë protestave të ’97-s në asnjë çast nuk janë frikësuar nga rreziku që u kanosej nga forcat policore serbe. “Në asnjë sekondë nuk e kemi parë rrezikun. I kemi parë vetëm ditën dhe diellin. Kemi pasur vizion se si duhej të dukej Kosova dhe se si duhej të pengohej regjimi serb. Qëllimi kryesor dhe thelbësor i yni ishte largimi i forcave ushtarake policore serbe në mënyrë që ai diell t’i ngrohë qytetarët e Kosovës dhe të jetojnë të lirë, përfshirë edhe kthimin e studentëve në objektet universitare”, është shprehur Lajçi, i cili ka treguar një detaj të pathënë ndonjëherë për ish-rektorin historik të UP-së, Ejup Statovcin. “Ishte duke rënë shi. Një gazetar e pyeti z. Statovci, se çfarë është duke e shqetësuar në ato çaste ku qëndronim përballë kordonit të hekurt të policisë? Ai iu përgjigj: ‘Këto riga shiu’. Pra, edhe pse përballë kishim artileri të rëndë policore, atij nuk i trembej syri. Ky ishte motivim për ne, se na jepte energji dhe zëmër për ta realizuar misionin tonë”, ka deklaruar Lajçi.

Luma: 1 tetori i vitit 1997 ishte porta hyrëse e UÇK-së

Ndërkaq ish-zëdhënësi i UPS-së të UP-së, Ernest Luma, ka kujtuar me nostalgji të madhe tetorin e vitit 1997. Ai ka thënë për “Epokën e re” se Lëvizja Studentore e ’97-s është një ndër momentet më të lavdishme të shqiptarëve pasi, sipas tij, kjo lëvizje kishte thyer status quon e deriatëhershme. “Përkrahësja e vetme e hapur e projektit më të madh të vendit dhe të historisë sonë – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 1 tetori 1997 nisi më herët si projekt dhe u bashkërendua me rënien e studentit Armend Daci (që ishte pjesë e kësaj e rruge, patjetërsueshëm), studentit dhe heroit të UÇK-së, Adrian Krasniqi, ishte bashkatmosfera dhe bashkërenditja e zhvillimeve të rënda të janarit 1997, burgosja e Nait Hasanit dhe mbi 20 bashkëprojektuesve të luftës për çlirimin e Kosovës, nga LPK e LKÇK; ishte ngjarja në frymën e plotë të rënies së heronjve të orëve të para të UÇK-së, Zahir Pajazitit (31 janar 1997) dhe Luan Haradinajt (6 maj 1997)… 1 tetori 1997, pavarësisht vjeshtës së mëvonshme, ishte kjo rrugë dhe kjo frymë, ishte pararendësi i padilemë përkrah projektit më të madh të historisë dhe shekullit tonë, UÇK-së”, është shprehur Luma, duke kujtuar thënien antologjike të njeriut emblemë të kësaj ngjarje, rektorit historik të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovcit: “Universiteti është me studentët, dhe studentët janë të Universitetit”. Ishte kjo përgjigjja e prof. dr. Ejup Statovcit kur u pyet se a e përkrahni protestën e 1 tetorit 1997? Ishte ky momenti dhe hera e parë që Rektorati dhe rektori ishin për herë të parë në anën a studentëve, që në këtë mënyrë nuk kishte ndodhur as në vitin 1981, as në vitin 1990.
1 tetori 1997 ishte porta hyrëse e UÇK-së në procesin dhe në kapitullin e saj në Kosovë. UÇK-ja mbetet projekti dhe vula e shekullit XX jo vetëm për Kosovën, por për shqiptarët kudo që janë. Ajo e rrumbullakoi shekullin. Ndërsa 1 tetori ishte porta e parë e saj… Shansi i fundit i paqes, për projektin e ri që ishte në sfond… Kishte të tjerë që nuk donin të dinin për këtë situatë dhe këtë projekt, dhe që përfaqësonin status quon dhe amullinë e atëhershme politike. Ata përfaqësonin moçalin politik të kohës që kundërmonte në Kosovë”, ka thënë Luma.

Gashi: Lëvizja Studentore e vitit ’97 nisi shkëndijat e luftës çlirimtare

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, ka folur për Lëvizjen Studentore të ’97-s. Ai ka thënë për “Epokën e re” se 1 tetori i vitit 1997 kishte paralajmëruar fillimin e një rezistence të armatosur në Kosovë. “Padyshim në periudhën e jetës paralele që ka filluar në Kosovë nga fillimi i viteve ’90-ta, kur institucionet e arsimit, por edhe institucionet e tjera të Kosovës së atëhershme u nxorën si të jashtëligjshme, kur edhe filloi një jetë e institucioneve paralele, demonstratat studentore të 1 tetorit të vitit 97 shënojnë fundin e rezistencës joviolente dhe paralajmërojnë fillimin e një rezistence aktive, pra një rezistence të armatosur”, ka deklaruar Gashi. Ai ka thënë se viti 1997 ishte përpjekja e fundit që i është bërë me dije botës demokratike se ndjenja paqedashëse e shqiptarëve nuk është duke funksionuar. “Me këtë protestë u tregua se janë shteruar mjetet që në mënyrë joviolente të arrihet çlirimi i Kosovës, të arrihet te liria, të arrihet rikthimi i institucioneve arsimore. Në këto rrethana rinia studentore, si pjesa më avangarde e shoqërisë, pjesa më revolucionare, tregoi një pjekuri të lartë politike me këtë akt, në të njëjtën kohë tregoi një vendosmëri sepse, pas mospërmbushjes së kërkesave të demonstratave, një pjesë e madhe e rinisë studentore filloi të mendojë për forma të tjera të veprimit për ta arritur lirinë. Në fund të ’97-s kemi paraqitjen e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe menjëherë në fillim të ’98-s shumë nga ushtarët e ardhshëm të UÇK-së ishin studentë të UP-së”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se ngjarjet studentore të 1 tetorit ’97 janë çaste të kthesës historike për Kosovën. “Për ne si universitet 1 tetori ’97 përbën histori dhe aktualitet. Histori sepse i takon një periudhe 16 vjet më parë, e cila lidhet me një periudhë të vështirë në të cilën ka kaluar populli i Kosovës”, ka deklaruar Gashi.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button