Januzajt dhe familjes së tij nuk i intereson fanella kuq e zi

Talenti shqiptar i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj duket se ka vendosur të mos e vesh fanellën e Kombëtares së Shqipërisë në futboll.

Për 18 vjeçarin me pasaporte belge, i cili po shkëlqen tek “Djajtë e Kuq” tash e sa kohë flitet për vendimin se pjesë e cilës përfaqësues do të jetë.

Shqipëria dhe Belgjika janë kombëtaret që vazhdimisht e thërrasin mesfushorin kosovar, por ky i fundit akoma nuk ka vendosur se cilën kombëtare do ta përfaqësojë.

Sipas sekretari të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Ilir Shulkut, ka pak gjasa që Januzaj të vesh fanellën kuq e zi. Shulku ka zbuluar një prapaskenë interesante sa u përket negociatave me talentin kosovar të Manchester Unitedit.

“Ka pak shanse që Januzaj të luajë me Shqipërinë në të ardhmen. Ai e ka derën të hapur në çdo moment. Por, duke marrë shkak nga mënyra se si kanë ecur bisedimet deri tani, duhet të jemi realistë për situatën. Gjatë një bisede që kemi pasur me babanë e lojtarit tetë muaj më parë, nuk ka kurrfarë interesimi nga ana e Januzajt dhe e familja e tij që lojtari të luajë me Shqipërinë”, ka thënë Shulku për “Ora News”.

Zyrtari i lartë i Federatës Shqiptare të Futbollit ka deklaruar se tetë muaj më parë është zhvilluar një takim mes Dukës, De Biasit dhe babait të Januzajt, porse ky i fundit ka qenë i prerë.

“Tetë muaj më parë jemi takuar personalisht me babanë e futbollistit. Normalisht që duhet të vepronim kështu, sepse Januzaj nuk i kishte mbushur 18 vjeç dhe duhej të zbatojmë disa procedura. Biseduam me babanë e tij, por ai tha se nuk kishte asnjë interes nga Januzaj që të luante me Shqipërinë. Nuk mund të them me saktësi se cila është dëshira e lojtarit, por ama familja e tij na e bëri të qartë qëndrimin. Prej atëherë negociatat kanë qenë të hapura, por nuk ka pasur asnjë zhvillim që të hapë ndonjë rreze shprese se situata mund të ndryshojë”, tha Shulku.

Ai thotë se dera e Kombëtares shqiptare mbetet e hapur për Januzajn, i cili ditë më parë debutoi në Premier Ligën angleze.

“Ne nuk i kemi thënë askujt. Kush e ka merituar ekipin përfaqësues, e ka veshur fanellën kuqezi. Januzaj është një talent i madh dhe ne e mirëpresim atë në të ardhmen, por vendosa ta sqaroj situatën e tij, sepse shoh që mediatikisht gjërat janë koklavitur shumë dhe është krijuar ideja se ai ka zgjedhur Shqipërinë zyrtarisht, por në fakt nuk është kështu”, ka theksuar Shulku.

Duhet cekur se ditë më parë Januzaj ka refuzuar t’i bashkohet ekipeve të grupmoshave të Belgjikës.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button