De Biasi kërkon 145 mijë më shumë për rinovim

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka kërkuar 30 për qind shtesë page për të rinovuar kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit, ose thënë ndryshe 145 mijë euro më shumë nga sa ka kontratën aktuale.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta në FSHF, të cilat konfirmojnë nga ana tjetër se presidenti i federatës, Armand Duka, nuk ka ndër mend të lëshojë më shumë se 10 për qind shtesë rroge, ose thënë ndryshe 48 mijë e 400 euro, në të kundërt rinovimi mund të konsiderohet si një ëndërr.

Në pamje të parë duket sikur palët janë shumë larg, paçka se në federatë janë gati të bindur se De Biasi në fund do të dorëzohet dhe do pranojë ofertën e presidentit Duka, kjo nisur edhe nga buxheti që ka në dispozicion FSHF-ja për stafin drejtues të ekipit kombëtar, transmeton “Panorama Sport”.

Rroga

Ganni de Biasi merr 22 mijë euro neto në muaj si rrogë nga FSHF-ja, ose thënë ndryshe plot 484 mijë euro në një edicion kualifikimesh. Kontrata e tij nuk është 24-mujore, pra dyvjeçare, por 22 mujore dhe skadon më 30 tetor 2013 (në fund të këtij muaji).

Por jo gjithë kjo shumë shkon në xhepat e De Biasit, pasi me këto para ai duhet të paguajë edhe tri ndihmësit e tij italianë: Paolo Tramexanin, Anxhelo Perenin dhe Alberto Belen. Këta të fundit, sipas informacioneve, përfitojnë 204 mijë euro, ndërsa 280 mijë euro është rroga neto e De Biasit, gjithnjë në një edicion kualifikimesh.

Kësaj shumë, pra 484 mijë eurove u shtohen edhe rreth 55 mijë euro (pak a shumë), para që federata ia ka vënë në dispozicion stafit teknik për udhëtime në vëzhgim të lojtarëve shqiptarë në kampionate të ndryshme.

Kështu, në total, “paketa De Biasi” i kushton federatës rreth 540 mijë euro në një edicion kualifikimesh.

Rinovimi

Ndërkohë, në takimin e bërë mes tyre në muajin gusht, De Biasi i ka kërkuar Dukës një rritje rroge prej 30 për qind nga kjo aktuale. Kjo do të thotë që italiani ka kërkuar 6600 euro më shumë në muaj, ose 145 mijë euro më shumë në totalin e përgjithshëm.

Kështu, nga 540 mijë euro (përfshi edhe udhëtimet rreth 50-55 mijë euro), rroga e trajnerit duhet të shkojë te rreth 680 mijë euro në një edicion kualifikimesh (pra për EURO 2016).

Nga ana tjetër, presidenti Duka i ka ofruar vetëm 10 për qind rritje rroge, ose më mirë 48.400 euro më shumë, çka totali do shkonte diku te 590 mijë euro. Madje, nisur sigurisht edhe nga dy humbjet e fundit të skuadrës sonë ndaj Sllovenisë dhe Islandës, njëshi i FSHF-së ka qenë edhe më i prerë dhe i drejtpërdrejtë, duke saktësuar se nuk do lëvizë nga oferta e tij edhe me koston e largimit të De Biasit.

Mbetet tani të presim javën tjetër, kur italiani do jetë në Shqipëri për të parë nëse do ketë konsensus dhe një firmë të re mbi kontratën e De Biasit, apo Duka do vihet në kërkim të një trajneri të ri për Kombëtaren.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button