Sadiku: Mund të isha në botëror me Suedinë, por unë bëj karrierë me klube jo me Kombëtare

Qendërmbrojtësi shqiptar që luan me Helsingborgun ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport” duke treguar për ndjesinë e të qenit për  herë të parë në Shqipëri, keqkuptimin që ai ka refuzuar Shqipërinë, për refuzimin ndaj Suedisë dhe për ndeshjet e tetorit, kundër Zvicrës dhe Holandës.

Loret, në Shqipëri mezi presin të shikojnë afrimin më të ri të De Biazit…
Fatkeqësisht do duhet të presin edhe pak (qesh). Unë dje (pardje) erdha për herë të parë në Shqipëri, pasi duhej të isha prezent për t’u pajisur me pasaportën shqiptare dhe tani do më duhet të pres edhe një lejekalimi nga FIFA, meqenëse kam luajtur më përpara me U-21 të Suedisë. Kam përshtypjen se nuk do kem probleme dhe shpresoj të jem i gatshëm që për ndeshjen me Zvicrën.
Cila është përshtypja e parë për Shqipërinë?
Do thosha pozitive, paçka se ika nga Suedia me shi dhe gjeta edhe këtu kohë të keqe. Duket sikur ua solla unë shiu, pasi në Suedi kjo kohë është gati normale.
Juve keni lindur në Kosovë, apo jo?
Po, kam lindur në Kosovë, por nuk mbaj mend asgjë prej saj, pasi familja ime ka emigruar në Suedi kur unë isha vetëm 6 muajsh. Kështu që jam rritur dhe arsimuar në atë vend, gjithnjë duke mos e humbur dhe harruar sadopak origjinën time. Në shtëpi më së shumti flasim shqip, ndaj në shpirt jam shqiptar, paçka se i kam kaluar thuajse gjithë vitet e mia në Suedi.
Ku e keni nisur karrierën dhe si?
Babai im ka dashur gjithnjë që unë të merresha me futboll, kështu që para disa vitesh më regjistroi tek akademia e futbollit të IFK Varnamo, e cila ishte edhe skuadra e qytetit ku jetonim (qytet në jug të Suedisë, afër Malmoe). Aty luajta edhe si profesionist për herë të parë nga 2009-ta deri vitin e shkuar, sepse më pas kalova te Helsingborgu. Vëzhguesit e këtij klubi, një nga më të mëdhenjtë në Suedi së bashku me AIK, IFK Goteborgun dhe Malmoe, më afruan në skuadër dhe firmosa fillimisht një kontratë dyvjeçare.
Ndërkohë, emri juaj u lakua këtë verë se mund të largoheshit në Turqi…
Po, e vërtetë që pata një ofertë të mirë financiare, por klubi nuk më lejoi. Së pari, kërkoi shumë parà për kartonin tim, por vërejta se nuk donin të më largonin edhe se duan që të përfitojnë më shumë nga shitja e kartonit tim në vitet në vazhdim.
Dakord, por kontrata ju përfundon vitin tjetër, apo jo?
Do rinovoni?
Nuk e di ende. Jam duke u menduar realisht, pasi dëshiroj të shkoj në një klub të madh në një kampionat më të fortë në Europë. Por pres, sepse me parametër zero ndoshta do ta kem më të lehtë që të largohem nga Helsingborgu.
Keni ndonjë preferencë të veçantë?
Jo domosdoshmërisht, mjafton që të jetë një kampionat më i mirë: Gjermani, Itali, Francë, Angli etj.
Kush ka qenë personi i parë nga Shqipëria që ju ka kontaktuar që të vini të luani me Kombëtaren tonë?Nga federata ka qenë Alban Bushi, me atë kam folur disa herë. Në fillim kam folur edhe me trajnerin De Biazi, i cili donte të dinte se çfarë mendimi kisha për Shqipërinë, si ishte fizikisht, gjëra të tilla. Më pas më së shumti kam folur me Bushin.
Kush ju ndikoi më së shumti që të zgjidhnit Shqipërinë dhe jo Suedinë?
Thuajse të gjithë më thoshin që të luaja për Shqipërinë, duke filluar nga familja, por edhe shokët shqiptarë. Në Suedi ka shumë shqiptarë dhe të gjithë më kanë thënë që të mos e refuzoja Kombëtaren.
Dakord, por një herë na refuzuat ama, ajo jo?
Jo, nuk kam refuzuar asnjëherë. Kam marrë një ftesë në verë që të vija të luaja për Shqipërinë, por isha i dëmtuar dhe m’u duk e kotë që të udhëtoja kur nuk do mund të bëja dot as stërvitje të rregullt me ekipin e jo më të luaja.
Në Shqipëri është menduar e kundërta, gjithsesi në atë kohë…
Ndoshta, por kjo është e vërteta.
Sa i përket trajnerit tuaj të Helsingborgut, Roar Hansen, ka folur me superlativa për ju…
Po, e di. Ai në fakt ka dashur që unë të luaj për Suedinë, por nuk mund t’ia plotësoja këtë dëshirë.
Ju ka grumbulluar ndonjëherë Suedia?
Po, më kanë thirrur një herë, por i kam refuzuar.
Atëherë paska pasur të drejtë trajneri i Suedisë, Erik Hamren, kur tha që ndihet i tradhtuar nga ju….
Nuk kishte arsye ta thoshte atë gjë, pasi nuk kam tradhtuar askënd. Unë nuk kam luajtur asnjëherë për Suedinë dhe nuk u kam thënë asnjëherë që do zgjidhja të luaja për ata, ndaj s’ndiej të kem tradhtuar askënd. Kam dashur të luaj për Shqipërinë, sepse e ndjej që jam shqiptar.
Dakord, por Suedia mund t’ju çojë më kollaj në Europian apo Botëror, nuk e keni menduar këtë gjë?
Nuk më intereson fare. Unë dua të bëj karrierë në klub. Sa për Kombëtaren e konsideroj si privilegj dhe obligim, ndaj vendosa që të luaj për kombin tim.
Ju vjen keq që nuk do luani dot përkrah Ibrahimoviçit?
Aspak. E kam bërë zgjedhjen time dhe jam i bindur për këtë.
Keni pasur lidhje apo njohje me Etrit Berishën dhe Ilir Berishën, të cilët gjithashtu luajnë me Shqipërinë?
Po, kam njohje të mira me të dy, por sidomos me Etritin. Ai më ka folur disa herë dhe më ka thënë që të mos gaboja, por të vija e të luaja për Shqipërinë. Këtë gjë do bëj edhe unë tani: do t’u them lojtarëve shqiptarë më të rinj që në të ardhmen të zgjedhin vetëm Shqipërinë e Kosovën.
Ju luani si qendërmbrojtës, ndaj në Kombëtare do duhet të zëvendësoni Canën ose Mavrajn…
Po pastaj (qesh)? Unë do bëj më të mirën për Kombëtaren në çdo moment, kur dhe si do ma kërkojë trajneri. Pak rëndësi ka se cilin zëvendësoj.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button