CIA, udhëzimet për agjentët që do zbarkonin në Shqipëri në qershor ‘54

Dokumentet e CIA-s

Dokument i Shërbimit amerikan për misionin “E premtja”

Instruksioni operacional pas trajnimit ushtarak e psikologjik në bazën sekrete “Poseidon” me të dhëna e porosi specifike.

Porosi të veçanta për bashkëpunimin me zbuluesit grekë, pavarësisht diferencave midis tyre.
Udhëzime për ngritjen e rrjetit agjenturor në Jug të vendit.

Në vijim të rubrikës “Dokumentet e CIA-s për Shqipërinë”, tashmë të deklasifikuara, siguruar nga Arkivi i Shërbimit Sekret Amerikan, sot po botojmë një material me të dhëna interesante që i përket vitit 1954. Dokumenti në fjalë, veç të tjera, përmban listën e agjenturës së Sigurimit të Shtetit që asokohe vepronte në Konispol, e cila ishte hartuar nga  oficerët e CIA-s që drejtonin këto operacione. Ajo me sa dukej i bëhej e ditur grupit “E premtja”  që përgatitej për t’u nisur me mision rekrutimi në këtë zonë për t’i shpëtuar kontaktit me ta. Përveç listës me emrat e njerëzve të Sigurimit shqiptar që operonin në Konispol, një tjetër detaj interesant që zbulohet në këtë dokument lidhet me ndihmën e Zbulimit grek në këto operacione, pavarësisht diferencave që vëreheshin midis agjentëve shqiptarë dhe atyre helenë. Për shërbimet inteligjente amerikane, ky bashkëpunim ishte jetik për operacionet në Shqipëri. Edhe pse këto të fundit zyrtarisht drejtoheshin nga zbuluesit e CIA-s, nuk ka asnjë dyshim që Zbulimi i Fshehtë grek ishte mjaft i përfshirë në këto operacione, megjithëse mbetet për t’u diskutuar niveli i njohjes me rrjetin e amerikanëve në terren. Agjentët e misionit “E premtja”, pasi janë trajnuar nga ana ushtarake e psikologjike në bazën sekrete “Poseidon”, kanë marrë edhe udhëzime operacionale. Dokumenti i botuar në dy pjesë, është ndoshta nga dokumentet e parë që hap një dritare për t’u njohur me punën e Shërbimeve sekrete në terren. Dosja operacionale e misioneve të CIA-s në zonën e Konispolit është një prej dosjeve me më shumë interes që ndodhet në Arkivin e deklasifikuar Amerikan mbi Shqipërinë e viteve ‘50. Studimi i hollësishëm dhe krahasimi me dokumentet autentike shqiptare të asaj periudhe mund të japë shumë përgjigje për ngjarjet që kanë lënë gjurmë. Sidoqoftë, duhet theksuar se në disa dokumente tashmë të deklasifikuara, Agjencia Qendrore e Zbulimit Amerikan pranon se dosjet e operacioneve klandestine kundër Shqipërisë janë asgjësuar në pjesën më të madhe të tyre. Për këtë arsye, zbulimi i dokumentacionit të mbetur është shumë i rëndësishëm për të kuptuar disa prej mistereve të historisë komuniste, si dënimi i një sërë figurash qendrore dhe lokale të ardhura nga zona e Çamërisë. Shumëkush që njihet me këto të dhëna, me të drejtë i përqas ato me historinë e grupit të çamëve të dënuar me një proces të bujshëm në vitin 1961. Po cila është e vërteta… 

TOP SEKRET 
REE’s SGAA 10182 KAPOK 2619, 24 Maj 1954
Për : Chief, SE Attn:
Nga: C
Subjekti : OBOPUS
DATE. 16 qershor 1954 
Udhëzimet dhe pajisjet e grupit “E premtja”, faza I 
Kërkohet leje veprimi nga qendra 
Më poshtë po ju dërgojmë një dokument sqarues mbi udhëzimet për misionin “E premtja”, si dhe listën e pajisjeve të tyre. Këto udhëzime i janë dhënë grupit nga (emri i fshirë) më 15 dhe 16 maj dhe janë kopjuar saktë nga të gjithë anëtarët e grupit. Ata u instruktuan që ta memorizojnë substancën e udhëzimeve përgjatë javës në vazhdim. Të hënën, 24 maj, (emri i fshirë) e përsëriti të gjithë udhëzimin dhe (emri i fshirë) bënte përkthimin. 
Dokumenti është ndarë në katër pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga instruksionet operacionale për të gjithë grupin. Pjesa II përmban të dhënat operacionale. Pjesa III jep detajet operacionale. Pjesa IV jep detajet e inteligjencës, të cilat i janë dhënë vetëm RNDOLLAR. 
Për sa i përket postës, ne shpresojmë se do të kemi mundësinë në USA për të interceptuar postën që vjen në një adresë të caktuar në USA nga një adresë e caktuar në Shqipëri.  
Për paragrafin 13 të pjesës III, Re parë 13 RNDOLLAR iu dha opsioni për këtë çështje. Por, ne mendojmë se ai nuk do të pranojë që t’i japë kapsulën me helm të vëllait.  
Firmosur (emër i fshirë) 

Pjesa e parë 
Udhëzime të përgjithshme
·      Ne nuk shpresojmë se çdo gjë në këto udhëzime është e re për ju. Qëllimi i këtyre udhëzimeve është mënyra e organizimit të mendimeve tuaja drejt qëllimit final, si dhe në theksimin e detajeve për të cilat të gjithë ne kemi rënë dakord që ju nuk duhet t’i harroni në mënyrë që të keni sukses. Dështimi në këtë lloj pune i atribuohet mosvëmendjes në detaje. 
·      Miku i juaj më i mirë është errësira dhe heshtja. Ju do të infiltroheni në errësirën e natës gjatë periudhës pa hënë, gjë që ju jep një avantazh të madh. Shanse që ju të zbuloheni është fakti se komunistët duhet t’ju kenë dëgjuar dhe jo t’ju kenë parë. 
·      Prandaj ne ju sugjerojmë që të mos qëlloni dhe të mos tregoni pozicionet tuaja sa më gjatë të jetë e mundur. 
·      Në se ju mendoni se Komunistët kanë dijeni mbi prezencën tuaj
në zonë, duhet të ktheheni sa më shpejt të jetë e mundur në Greqi. 
·      Nëse komunistët janë midis jush dhe kufirit, mundohuni t’i evitoni dhe jo t’i qëlloni, duke çarë rrethimin. 
·      Mbajeni mend, ju do të shkatërroni çdo mundësi për sukses të këtij misioni nëse do t’i përdorni armët tuaja. Ju duhet t’i përdorni armët vetëm në mundësinë e fundit për të mbrojtur veten tuaj. Do t’i përdorni ato vetëm si mundësi e vetme për të mbrojtur jetën tuaj. 
·      Misioni ynë është shumë më i rëndësishëm se gjuajtja me armë kundër komunistëve të panjohur dhe pa peshë. 
·      Ju duhet të keni një disiplinë shumë të lartë përgjatë ditës. Duhet të lëvizni vetëm në raste të rëndësishme. 
·      Përgjatë ditës duhet të fshiheni në mënyrë sa më të mirë për të mos u zbuluar.
·      Mos përdorni dylbi gjatë pasdites, kur dielli mund të reflektojë mbi to dhe të shikoheni nga fshatrat përqark. 
·      Mos pini duhan apo ndizni zjarre gjatë natës. Ju e keni parë përgjatë stërvitjes se edhe thëngjilli i një cigareje mund të duket si fanar nga 400 metra natën në errësirë. 
·      Kutitë e mishit, letra higjienike, jashtëqitjet tuaja çdo gjë duhet të groposet. Mos lini asgjë pas! 
·      Do të keni maksimumin e energjisë nëse hani në racione të vogla dhe shpesh. 
·      Ne rekomandojmë një kalim tjetër gjatë daljes jashtë kufirit dhe jo në atë që përdoret për t’u futur në brendësi. Nëse komunistët e dinë se keni kaluar kufirin ata do të vendosin prita përgjatë kalimit. 
·      Ne nuk e kemi udhëzuar agjentët AIRBRM dhe AIRNAVE mbi qëllimet e këtij misioni, pasi ata nuk kanë përse t’i dinë këto qëllime. Ne nuk fitojmë asgjë nëse ata dinë më shumë se ç’duhet.
·      Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi besim te ta, por është një nga principet e operacionit që ju është mësuar gjatë trajnimeve. 
·      Ju nuk duhet t’i kërkoni RNDOLLAR informacion për misionin dhe as ai nuk duhet të tregojë.
·      Nëse ju do të kapeni, atëherë do të tregoni se jeni trajnuar te “Ferma” ( emër i koduar) dhe jeni transportuar me kamion te FROSINA, ku ju ka marrë një kamion tjetër dhe ju ka sjellë në kufi.
·      Pavarësisht mendimit tuaj personal për grekët, ju duhet të kuptoni se pa ndihmën e tyre ky operacion nuk mund të jete i suksesshëm. Ata na japin një ndihmë të paçmuar në përgatitjen e këtyre operacioneve dhe ju duhet t’i trajtoni ata me shumë respekt. Çdo problem me ta si rezultat i fjalëve apo i veprimeve tuaja do të shkaktojë largimin tuaj nga operacioni. 
·      Nga tani dhe deri sa të hyni në kufirin shqiptar, ju jeni nën komandën e Linaughls. Atij duhet t’i bindeni pa asnjë kundërshtim. Ai do të jetë një ndihmë e paçmuar për ju, pasi ai e njeh shumë mirë kufirin. 
·      Pasi të largoheni prej këtu, AlRBREAD dhe AIKNAVE duhet të ndjekin komandën e RNDOLLAR. 
·      Ekzistenca e juaj varet nga ajo nëse ju do të veproni si një ekip i vetëm, apo jo. 
·      Ju të gjithë e dini vendndodhjen e kutive postare sekrete. Duhet t’i markoni ato në mënyrë që të gjenden edhe pa ndihmën tuaj. Duhet të jeni në gjendje që të na i përshkruani vendndodhjen e tyre pas kthimit tuaj në bazë, veçmas nga njeri- tjetri. 
·      Duhet të jeni shumë të kujdesshëm dhe të mos e nënvlerësoni kundërshtarin. Ata janë shumë të zgjuar dhe të trajnuar mirë. Ata kanë avantazhin që e njohin terrenin shumë mirë dhe kontrollojnë zonën.
·      Ju do të largoheni nesër dhe do të udhëtoni me det. Duhet të qëndroni të fshehur në barkën tonë dhe duhet të keni shumë durim.
·      Misioni juaj është i pari për këtë vit dhe shumë vetë do ta vëzhgojnë atë me shumë interes. Të gjithë ne ndajmë me ju besimin në suksesin e këtij misioni.
 
PJESA II
Përshkrim i të dhënave operacionale 
1. Pikat e rojeve kufitare që njohim në zonën e Konispolit
QR 34340595-Shënkolle( Kodra 258)
QR 375580-Orle  (kodra 413)
QR 400650 -Pagana
QR 425545 -Bringjes
QR 459568 – Kodra 855, kjo është pika më e rëndësishme pasi ka një këndvështrim të të gjithë zonës së Sajadhës 
QR 491540 – T u r i (Kodra 861)
Ne mendojmë se pikat e vrojtimit kanë mundësi komunikimi me njëra-tjetrën, si dhe me qendrën e tyre në Konispol. 
2. Pika vrojtimi që ne dyshojmë, por që nuk janë verifikuar.
a. Ka një njësi patrullimi të kufirit në Vërvë dhe ndoshta edhe një tjetër në juglindje të Vërvës. 
b. Ka një njësi patrullimi kufitar në Janjar. Edhe pse nuk kemi pasur mundësi të identifikojmë shërbimin, patrullimi në kufi nga njësi kufitare, prezenca e njësive në Vërvë dhe Janjar sugjeron që kjo zonë kufiri duhet të jetë shumë mirë e ruajtur.
3. Konditat e përgjithshme të kufirit. 
a. Në zonën e lumit në pikat QR 431541 dhe
atë të QR 440535 ka fusha të minuara.
b. Batalioni i mbrojtjes së kufirit në Konispol ka 6 qen kufiri, të cilët përdoren për të ndjekur shkelësit e kufirit. 
c. Gjatë ditës patrulla prej dy deri tre vetash patrullojnë përgjatë kufirit. Gjatë natës patrullat ndërpriten dhe rojet kthehen në ndërtesën e kufirit. Rojet e kufirit janë të armatosur me pushkë dhe granata dore.
d. Çdo postë kufitare ka 20 veta 
e. Zona e kufirit është ajo zonë prej kufirit deri në 500 metra. Zona kufitare është zona prej 5 kilometrash nga kufiri. Konispoli hyn në zonën kufitare.
f. Nuk ka shenja se kufiri ka brez të butë (zonë e punuar shën. ynë). Kjo zonë është shumë e përshtatshme për mbrojtje natyrale. Pasja e zileve apo këmborëve të lidhura përgjatë shtigjeve nuk është diçka që mund të nënvlerësohet, por mendojmë se në këtë zonë nuk ka prova për pasjen e tyre.
Informacion i Përgjithshëm 
a. Një batalion i Brigadës së Parë dhe një njësi e kufirit janë pozicionuar në Konispol. Barakat janë vendosur në juglindje të Konispolit. 24 orë patrullim është në efekt në barakat e Ushtrisë. Uji merret nga dy puse në veri të Konispolit.
b. Në fshat ka ndalim kalimi pas orës 20:00 ku të gjithë banorët e kanë të ndaluar të qarkullojnë në fshat.
c. Konispoli është një fshat me 300-350 familje. Ujin e marrin me puse, ndërsa ndriçimi bëhet me llamba me vajguri. 
d. Stallat e fshatit janë në Pagne dhe Mursi. Këto zona duhen evituar.
e. Barinjtë duhen evituar me përjashtim të rasteve që dihet se janë miqtë tanë.
Agjentët e njohur të Sigurimit janë 1. S.K, 2. B.K, 3. M.V, 4.    G.K,5. V.K, 6.I.I, 7. R.T (grua, shën. i ynë),8. Q.D, 9.C.B,10.  I.O ( i armatosur),11. M.K, 12. S.H, 13. T.S, 14. K.R, 15.       S.L, 16. J.T, 17.F.T, 18. A.L, 19.P.K, 20. P.L, 21. N.Z, 22.   B.P (i armatosur), 23. A.R. ( i armatosur)

Pjesa e Tretë    
Qëllimi i infiltrimit të misionit “E premtja”
Në fazën e parë të misionit ju do të përpiqeni që të përmbushni këto objektiva:
1.    Rekrutimin e agjentit kryesor
2.    Seleksionimi i agjentëve ndihmës me rekomandimin e agjentit kryesor
3.    Krijimi i rrjetit agjenturor
4.    Shpjegimi i misionit dhe objektivave kryesore për agjentin kryesor.
Plani operacional
2. Grupi do të dërgohet në kufirin grek në pikën e vrojtimit 1 gjatë natës dhe do të kaloni ditën duke vëzhguar terrenin e operacionit. Nëse do të jeni të kënaqur me kushtet që do të vëzhgoni, atëherë do të infiltroni natën.
3. Do të drejtoheni për në veriperëndimin e zonës 2, dhe do të ecni  3.5 deri në 4 orë ku dhe nga ky pozicion do të vëzhgoni gjatë ditës terrenin operacional. Ju do të vazhdoni deri te një pikë tjetër në identitetin 2, vend që do t’ju sigurojë mbulim, si dhe kalim të lehtë për në shtëpinë e agjentit kryesor gjatë errësirës së natës nga ku do të vëzhgoni gjate gjithë ditës. Nëse çdo gjë shkon mirë, ju do të tentoni të kontaktoni agjentin kryesor natën e tretë të infiltrimit. Duhet të keni kujdes të evitoni kontaktet me gruan dhe fëmijët e agjentit.
4. Do të organizoni një vend të sigurt takimi nëse rekrutimi del me sukses. Do të bëni takime sa të jetë e nevojshme për të sqaruar agjentit kryesor të gjitha pikat e objektivave. Ju do të tentoni të rekrutoni AIPIGEON në fillim dhe pastaj nëse ky rekrutim nuk del me sukses, do të tentoni rekrutimin e identitetit 3. Nëse edhe kjo tentativë dështon, atëherë do të ktheheni në bazë pa kontaktuar njeri tjetër.
5. Në organizimin e takimit me agjentin kryesor ju duhet të keni parasysh detajet e kontaktit me të. Agjenti kryesor duhet të instruktohet që të udhëtojë në “një korridor” në një kohë të caktuar nga ku do të vëzhgohet prej jush. Atij duhet t’i jepet një shënje vizuale apo parulle si sinjal që ai nuk është i kontrolluar.
6. Pika e takimit duhet të jetë e përzgjedhur që t’ju japë mbulim të mirë, si dhe një mundësi largimi të shpejte në rast rrethimi. Kjo pikë duhet të jetë në zonën e aktivitetit të përditshëm të agjentit.
7. Gjatë takimit me agjentin kryesor, AIRBRED dhe AKINAW duhet të vendosen në pozicione vëzhguese për të kontrolluar zonën.
8. Gjatë takimit nuk duhet të përdorni dritë. Numri i takimeve duhet të jetë në minimumin e mundur, por koha e takimeve duhet të jetë aq e gjatë sa të jetë e sigurt. 
9. Përpara kalimit të kufirit për në bazë duhet të organizoni një sinjal me agjentin me të cilin do ta lajmëroni për rikthimin tuaj për fazën e dytë të këtij misioni. 
 
PREGATITJA E AGJENTIT KRYESOR NGA RNDOLLAR
1.    Ju do ta përgatisni agjentin kryesor si më poshtë:
a.    Do t’i shpjegoni kërkesat për inteligjencë, sipas protokollit të paraqitur në kapitullin IV
b.    Së bashku me agjentin kryesor të bihet dakord në rekrutimin e agjentit ndihmës, i cili duhet të përmbushë kërkesat për inteligjencë. Kriteret e mëposhtme duhen të përmbushen nga agjenti ndihmës; të jetë i qëndrueshëm, me kurajë, i motivuar, inteligjent, të komunikojë me agjentin kryesor, të ketë akses tek objektivat, të gjykojë, të mos jetë nën vëzhgimin e Policisë Sekrete. Agjenti kryesor duhet të zhvillojë metoda kontrolli mbi agjentët
e tjerë të rrjetit.
c.    Agjenti kryesor duhet të japë të dhëna biografike mbi agjentët e tjerë potencialë, si vendlindja dhe ditëlindja, vendndodhja aktuale, puna aktuale, të dhëna mbi të kaluarën e tij, mënyrat e udhëtimit, statusi familjar, edukimi, emrat dhe kontakte të njerëzve që mund të ketë jashtë, burimi i informacionit dhe mënyra e marrjes së këtij informacioni.
d.    Sipas të dhënave tona, agjentët  për krijimin e këtij rrjeti janë si më poshtë: Identitetet 4-8. Agjenti kryesor nuk duhet të rekrutojë asnjë nga këta persona me përjashtim të dy të parëve, deri sa faza e dytë e operacionit të jetë e përfunduar. Ai do të tentojë t’i rekrutojë këta persona (4 dhe 5) vetëm nëse është i bindur se ka siguri absolute. Nuk duhet në çfarëdo mënyre apo rrethane që të rekrutojë më shumë se një person përgjatë fazës së parë dhe të dytë të operacionit. Nëse ka dyshime mbi identitetet 4 dhe 5, ai duhet të marrë kohë sa të dojë për t’i testuar dhe për t’i parë nëse janë jashtë dyshimeve. E theksojmë që NE nuk kemi nxitim në krijimin e këtij rrjeti.
e.    Duhet të flisni me agjentin kryesor nëse dikush nga anëtarët e rrjetit refuzon të punojë çfarë duhet bërë.
f.      Përcakto nëse agjenti kryesor apo agjentët e rrjetit mund të udhëtojnë dhe çfarë mbulimi do të përdorim për arsyen e këtyre udhëtimeve.
g.    Përcakto sesa kohë duhet për rekrutime të rrjetit
vijon…
AURON TARE

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button