Rrëfej rrjetin mafioz të Arben Imamit

EKSKLUZIVE / Raporti denoncues që i shkoi Ambasadës Amerikane në vitin 2012.
Dëshmia e fortë e ish-shoferit të drejtorit të Uzinës së Mjekësit në Elbasan. Si funksionon rrjeti i grabitjes dhe abuzimet me pasurinë ushtarake shtetërore dhe fondet e amerikanëve. Cilët janë njerëzit e besuar të Arben Imamit. Si lidhet djali i kryeministrit me historinë e abuzimeve dhe takimet me biznesmenë të huaj. Kush janë këshilltarët e Berishës që mbrojnë drejtorin e Uzinës. Roli i veçantë i Shefit të Financave të Uzinës dhe një personi kyç që punon pranë tij. Si lidhet djali i tezes së Arben Imamit me historinë e dekonspirimit të një hetimi nga Shërbimi Informativ  dhe cili ishte personi i infiltruar nga grupi i Imamit brenda SHISH-it…
DITA- InvestigimMateriali dhe faktet që do të lexoni më poshtë janë të hollësishme dhe të rënda. Gazeta siguroi pak kohë më parë një raport koifidencial që ish-shoferi i Drejtorit të Uzinës së Mjekësit në Elbasan i ka dërguar Ambasadës Amerikane në fund të vitit 2012. Pasi u njohëm me raportin kontaktuam me hartuesin e tij. Për çudinë tonë, ai jo vetëm pranoi autorësinë, por na tha se ishte i gatshëm që raporti të botohej i plotë duke vënë në dukje publikisht dhe emrin e tij. Quhet Ndriçim Ashiku. Aktivist i vjetër i PD-së në Elbasan, ish-biznesmen, i cili ka punuar për afro 2 vite (2010-2012) si shofer i Drejtorit të Uzinës së Mjekësit Daniel Karanxha.
Një shprehje thotë se “shoferët e drejtorëve zakonisht dinë shumë”. Por duket se në rastin e Ashikut, shoferi i ka kaluar të gjitha pritshmëritë, detajet dhe informacioni që ai ofron janë të hollësishme. Një merimangë e thurur me njerëz të besuar, një hierarki që fillon që në zyrat e ish-ministrit të Mbrojtjes Imami, vazhdon me këshilltarët e Berishës, zbret poshtë në Uzinën e Mjekësit tek drejtori, më pas tek Shefi i Financës së Uzinës që së bashku me djalin e tezes së Imamit kanë guxuar të mbikëqyrin dhe aktivitetin e Shërbimit Informativ.
Nuk mund të mungonte dhe “Xeni”, djali i kryeministrit, të cilin Ashiku e kujton shpesh nga bisedat me Drejtorin, kur ky i fundit i kujtonte se “me porosinë e Shkëlzenit dhe të Imamit”  duhej të takonte biznesmenë të huaj në periferi të Tiranës.  “DITA” ka shkëputur pjesët më domethënëse të këtij raporti duke e ofruar të koncentruar përmbajtjen e tij të gjatë. Gazeta ka shmangur qëllimisht pjesë që implikojnë në rrethana dhe situata të lidhjeve me krimin e organizuar disa persona konkretë për të cilët hartuesi i raportit ngrinte dyshime por nuk ofronte referenca të besueshme.
foto

Ndricim Ashiku
Raport-Informacion,
Drejtuar Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë:
Jam Ndriçim Ashiku, një ish-shofer i Drejtorit të Uzinës ULP-Mjekës në Elbasan, ish-kryetar i Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes së Rendit dhe SHISH-it në Uzinën ULP-Mjekës Elbasan. Drejtori quhet Daniel Karanxha, më poshtë do e cilësoj shkurtimisht me termin Drejtori.
Pas denoncimeve për abuzime të tejskajshme të drejtorit dhe stafit të tij drejtues në uzinë dhe poligone, me fondet e dhëna nga ambasada e SHBA-ve për procesin e demontimit të armëve dhe municioneve, i jam drejtuar personalisht për të bërë denoncim figurave më të larta shtetërore, konkretisht:
1. Kryeministrit të Shqipërisë, z. Sali Berisha.
2. Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami.
3. Kryetares së Kuvendit, znj. Jozefina Topalli
4. Ministrit të Mjedisit, z.Fatmir Mediu
5. Komisionit Parlamentar për Rendin Mbrojtjen dhe SHISH-in, nën/kryetarit të këtij komisioni z. Ilir Gjoni.
Për këto denoncime, ju njoftoj se jam i kërcënuar unë dhe familja ime, bashkëshortja dhe dy djemtë Xhulio 20 vjeç, student dhe Renato 18 vjeç. Ditën që shpërtheu furra e shkrirjes së municioneve, bashkëshortja ime ishte në punë turni i dytë në këtë repart dhe pa nga afër të gjithë ngjarjen reale se çfarë ndodhi dhe dëshmoi për gazetarët që u interesuan. Pas këtij veprimi ajo u pushua menjëherë nga puna. Pas kësaj ngjarje mua më vinin shpesh sinjale në mënyra aspak të hijshme nga njerëz pranë ministrit të Mbrojtjes dhe pranë Partisë Demokratike të Rrethit të Elbasanit. I kam llogaritur të gjitha, pavarësisht kërcënimeve me jetë.
Më pas jam thirrur në Kryeministri, kam qëndruar në Drejtorinë e Antikorrupsionit mbi 3 orë, në këtë takim unë kam bërë të qartë dhe kam zbërthyer në detaje të gjitha faktet që dija dhe kërkova në mënyrë të posaçme të njoftohej kryeministri i vendit se fondet e ardhura nga SHBA-të, po përvetësoheshin nga drejtori dhe stafi i tij.
“Drejtor i mirë me shokë shumë”Drejtori ishte një mik i ngushtë i ministrit Arben Imami, por edhe mik me Flamur Kuçin që punon në kryeministri(këshilltar i Berishës, shën redaks.) dhe një njeri i afërt i drejtorit të “Klik Ekspo Klik Group” L. Muhametaj, i cili merret me shitjen e të gjitha lëndëve plasëse dhe municioneve të uzinës. Drejtori është gjithashtu një njeri i besuar i Ndriçim Berishës, drejtor i privatizimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, kushëri i Sali Berishës. Pas këtij takimi në kryeministri u bëra të ditur personave që më pritën se do i drejtohesha dhe ambasadës Tuaj dhe do i denoncoja të gjithë.
Pas këtij takimi më vjen një kërcënim i hapur nga deputeti i PD-së në zonën e Peqinit, z. Dashnor Sula. Ai është drejtpërdrejtë i implikuar në këtë histori, sepse me ndërhyrjet e tij ka bërë që tenderi i naftës së furrës me vlerë 1 milionë dollarë t’i kalojë kompanisë “Duçellari shpk”.
Pas kërcënimit nga ana e deputetit Sula, presioni vazhdoi nëpërmjet policisë së Elbasanit. Më konkretisht, ka qenë presion nëpërmjet Seksionit Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Këtu dua të theksoj se kreu i kësaj Drejtorie është sjellë mirë dhe u tregua i njerëzishëm. Kur pa me sytë e tij terrorin dhe gjendjen në të cilën familja ime ai ndryshoi tërësisht qëndrim. Madje më tha se ai nuk kishte ç’të bënte pasi atë vetë e kishin urdhëruar pas vajtjes sime në kryeministri.
Si fitohen miliona me metalet
Loja e abuzimeve është e ndërtuar në këtë mënyrë: Nga baza logjistike ku komandant ishte gjeneral Gjunkshi, në çdo poligon vendosen njerëzit e tyre ku bëjnë furnizime me kamionë të municioneve. Por në të vërtetë, që në ngarkesën e tyre në tunele, bëjnë seleksionimin e municioneve me metale me ngjyra dhe pa ngjyra, në fishekë bronzi, në predha me unaza bakri dhe këto grumbullohen në uzinë për demontim me shkrirje dhe për shitje municioni jashtë vendit. Kurse metali i shkrirë shitet nga uzina si skrap i thjeshtë me çmimin 340 lekë të vjetra, por në të vërtetë bakri dhe bronzi kanë një çmim real 6-7 mijë lekë të vjetra.
Po ju sjell një tjetër fakt. Në uzinën e fishekëve 14.5 mm, me magazinier Julian Grëmin, brenda dy muajve grumbulloi 50 mijë fishekë bronzi ku një fishek peshon jo më pak se 100 gramë. Në total bëhen jo më pak se 6 ton. Këto sasi drejtori i merr pa asnjë lloj dokumenti dhe nuk dihet se ku shkojnë. (vazhdon shpjegimi i skemës me vjedhjet edhe në të tjera poligone, shën redaksi)
Skema e milionave ka hierarkiTheksoj se demontimi në këto poligone përbën një gropë të zezë,  ku devijohen të gjitha shpenzimet dhe fondet e dhëna nga SHBA-të, ata devijojnë sasinë reale të municioneve, devijojnë sasinë e metaleve me ngjyrë, devijojnë paratë që marrin për demontim dhe nga ana tjetër këto municione shiten jashtë vendit. Ekziston dhe problemi i naftës së prokuruar nga Uzina, por që nuk përdoret fare për demontim. Shitjet e kësaj nafte i kryen kompania “Klik Ekspo Klik Group”, ajo i bën të gjitha transferuat, pas kësaj kompanie fshihet ministri Arben Imami, financieri Ndriçim Berisha, Shkëlzen Berisha, gjenerali Xhemal Gjunkshi dhe drejtori Daniel Karanxha.
Deputetit ka linjën e vetNë Uzinë ndodhet një laborator analizash, ku bëhen analizat e dinamitit dhe të karburantit. Në këtë laborator punon e shoqja e shoqja e kryeinxhinierit të Uzinës, znj. E. Çipa. Konflikti i interesit është i pastër. Nëse konstaton abuzime, kë do denoncojë kjo zonjë? Burrin e vetë? Apo drejtorin që sjell solar në vend të naftës? Këtë solar e bie në fakt firma “Duçellari shpk”. Pas kësaj firme fshihet deputeti Dashnor Sula me kunatin e tij Gugash Maganin dhe ortakun e tyre Drini Ceka nga qyteti i Peqinit. Kompania “Duçellari shpk”  ka fituar mbi 70 për qind të tenderëve në Peqin dhe komunave përreth me ndërhyrjen e drejtpërdrejt të deputetit Dash Sula. Dua të fokusohem pak tek figura e këtij deputeti. Për ironi, ai është krushku im. Lidhja ime me të është nëpërmjet kushëririt tim të parë Abedin Ashikut, i cili është i martuar me motrën e Dash Sulës. Përtej influencës në fondet publike deputeti Sula ka lidhje me njerëz të nëntokës së krimit dhe nxjerr përfitime nga ta. Këto lidhje duhet të hetohen nga organet kompetente. (vazhdon me specifikime ngjarjesh, njerëzish dhe rrethanash të cilat nuk janë të verifikuara, shën. redaks.)

Drejtori ka ca punë me XeninJo pak herë kam dërguar Drejtorin në Maqedoni për takimet që bënte deri dhe në kufi me Greqinë, në zonën e Gjevgjelisë me firma të rekomanduara nga ministri Imami për shitje të municioneve dhe lëndëve plasëse. Më kujtohet një takim me përfaqësues të kompanisë greke “EXTRACO” presidenti i së cilës më ka dhuruar dhe një orë dore mua si shofer, por edhe takime me përfaqësues të kompanive bullgare që blinin municione të Uzinës të adresuar tek drejtori me porosi të posaçme të vetë ministrit Imami, por edhe të adresuar prej Luan Muhametajt, pronarit të “KLIK EKSPO KLIK GROUP”. Në raste të përsëritura kam dërguar drejtorin në një lokal në periferi të Tiranës i quajtur “Sofra e Ariut” ku ai zhvillonte kryesisht takime me biznesmenë të huaj, por është për tu theksuar se në këtë lokal drejtori mbante dhe disa takime që i quante veçanërisht të rëndësishme. Po ju përmend një prej tyre. Pas një takimi me disa biznesmenë të huaj që nuk i njoh, e pyes drejtorin se si i shkoi takimi. Ai më thotë se: “Këta që unë takova sot, kanë ardhur me porosi të Imamit dhe të Shkëlzenit”. E theksoj se në shumë takime me të huaj, drejtori përmendte emrin e Shkëlzen Berishës. Më gjatë nuk di.
Rrjeti i emërimeve në UzinëPër të gjithë fuqinë punëtore të Uzinës, për marrjen në punë ose për largimin nga puna merret vetë krushku i Drejtorit, shtetasi Argjir Panariti. Ai bën abuzime me pagesat dhe procesverbalet e orëve shtesë të punës duke paguar njerëzit e tij të afërt, apo dhe shpërblyer për punë jashtë orarit njerëz që vijnë në punë një herë në tre-katër ditë. Nëpër pikat kyçe në Uzinë vendosin vetëm njerëzit e tyre të afërt. Për tu përmendur është ish-drejtori i KESH Artan Topi. Ky njeri ka pasur probleme penale në të kaluarën. Këtë njeri e emëroi në Uzinë Sokol Neziraj, ose njeriu më i afërt i Imamit në atë Uzinë. Një tjetër punonjës, shoferi i Shefit të Financës, shtetasi Ilia Firaku, po ashtu me precedentë penalë, Drejtori e caktoi në komisionin e blerjeve, ku në të njëjtin komision ishte dhe vetë Shefi i Financës Kristaq Pirligu. Vëreni me kujdes, Shefi i Financës me ligj duhet të mbikëqyrë këtë komision, por në komision gjendet dhe vetë Shefi por dhe shoferi i Shefit.
Përpara me fushatën e ImamitMinistri Imami u caktua nga Partia Demokratike si i deleguar i grupit të punës zgjedhjet vendore në Elbasan në vitin 2011. Me urdhër të Imamit, drejtori im, pra Daniel Karanxha, caktohet si “Drejtor Ekonomik i Fushatës Elektorale” të kandidatit të PD-së, Durim Hushi. Për hir të së vërtetës ky kandidat është krushk me Drejtorin tim, Danielin. Drejtori vuri në dispozicion të kandidatit të gjitha potencialet e mundshme të Uzinës, fuqinë punëtore, automjetet, karburantin, krijoi një fond të posaçëm të Uzinës për blerje flamujsh, banderolash bazë materiale, kompjuterë, karta telefonike rimbushëse dhe numra telefoni. Të gjitha këto fatura mbuloheshin nga Drejtori me Shefin e Financës duke i pretenduar si fatura punimesh të kryera nga kompania “Bajrami shpk”, ku pronar i kësaj kompanie është një i afërm i Shefit të Financës.  Shefi i Financës, sa herë i vinin grupe kontrolli nga ministria, i shtronte inspektorët në gosti dhe harxhet e këtyre gostive i paguante kompania e kushëririt të tij “Bajrami shpk”.  Shefi i Financës, është krushku i Ali Gripshit(nën/Prefekt në Elbasan)  është ky i fundit që e ka afruar Shefin e Financës në një marrëdhënie direkte me Imamin. Të tre formojnë një trekëndësh njerëzish të besuar.
Disa telefonata me Fatmir MediunPër procesin e djegies në furrë përgjigjet dhe Ministria e Mjedisit. Në disa raste të përsëritura kam telefonuar dhe vetë direkt me ministrin Fatmir Mediu për probleme të ndryshme duke vënë në dijeni dhe inspektorin e tij Beqir Hila. Ky inspektor është i lidhur me Drejtorin e Uzinës. Si pasojë e krijimit të kësaj lidhje ata fusin në uzinë solar për djegien në furrë në vend të naftësNë një rast kur në furrë po shkarkohet një tjetër autobot me 3 mijë litra me solar, unë telefonova ministrin  Mediu dhe e njoftova për atë që po ndodhte dhe për rolin e inspektorit të tij. Medium ë përgjigjet: “Të falënderoj, do të marr masa urgjente dhe do të nis nesër një grup të posaçëm kontrolli në Uzinë. Por si për çudi njerëzit që kishin skenarizuar futjen e kësaj sasie solari, ishin njoftuar dhe të nesërmen kur erdhi kontrolli çdo gjë ishte sistemuar dhe solari ishte zhdukur. Po kush ishte në krye të grupit të kontrollit? Ishte   Beqir Hila dora vetë. Pra skema ishte e qartë, pasi e sinjalizova unë, Mediu ka telefonuar Beqir Hilën dhe i ka thënë të shkonte të nesërmen për kontroll. Po kë do kontrollonte Beqir Hila, miqtë e vetë? Ai njoftoi miqtë që të pastronin vendin dhe kur u bë kontrolli formal çdo gjë rezultonte në rregull.
Financieri mban SHISH-in në kontrollShefi i Financës është pika kyçe, personi që i kanë besuar kopsitjen e letrave. Ai bën të gjitha rakordimet e dokumenteve dhe bilanceve në të gjitha historitë e abuzimit në Uzinë. Shefi i Financës ka emëruar si magazinier në këtë Uzinë baxhanakun e tij, shtetasin Kristaq Pëllumbi. Ky i fundit përgjigjet për magazinimin e municioneve, dinamitit apo karburantit, pra luan një funksion me rëndësi në të gjithë skemën e abuzimit. Shefi i Financës, ka caktuar një tjetër baxhanak të tij shofer për furnizimin me municion nga magazinat nëpër repartet e punës. Një tjetër person kyç është e punësuar në zyrat e Financës. Ajo është llogaritarja V. Durbaku, bashkëshorti i saj N. Durbaku, punon në Shërbimin Informativ të Elbasanit. Këta dy persona përfaqësojnë një lidhje kyçe. Bashkëshorti N.Durbaku ka detyrën që të sinjalizojë çdo lëvizje apo përgjim që bën Shërbimi Informativ për Uzinën. Rrjeti mbrohet prej tij dhe një tjetër punonjësi të Shërbimit i quajtur G.Delimeta. Ky i fundit është kushëri i parë i shtetases Arta Sakja ish-sekretare e Sali Berishës ndërsa sot punon sekretare pranë Kuvendit të Republikës me Jozefina Topallin. Në një rast të hetimit të aktivitetit të Uzinës nga një ekip i Shërbimit G.Delimeta dekonspiroi aksionin, ai bëri një raport ku përshkruante natyrën e bisedave të incizuara nga SHISH-i dhe këtë raport ia dorëzoi dy miqve të tij të cilët janë Luan Gjergji, djali i tezes së ministrit Imami por gjithashtu sinjalizoi një tjetër anëtar të grupit pranë Imamit, ai është shtetasi V.Xhaferri, që rezulton me implikime në trafikun e drogës në Itali në vitin 2004 dhe i dënuar nga shteti italian. Ky hetim i SHISH u dekonspirua në kohë prej këtij rrjeti dhe hetimi dështoi.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button