Botohet në Fletoren Zyrtare rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame

Rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame është botuar në Fletoren
Zyrtare. Në pranverë botimi i rezolutës u shoqërua me debate në kuvend,
për shkak se ky akt nuk ishte dërguar në fletoren zyrtare. 
 

REZOLUTA E BOTUAR NE FLETOREN ZYRTARE 
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, duke vlerësuar nivelin shumë të
mirë të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe
Republikës së Greqisë, vullnetin e dyanshëm për zhvillimin e tyre të
mëtejshëm në të mirë të dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe të paqes,
sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon, e të integrimit europian dhe
euroatlantik; Duke mbajtur parasysh se Greqia, si vend mik, anëtar i
Bashkimit Europian dhe NATO-s, përbën një partner shumë të rëndësishëm
në rrugën e Shqipërisë për arritjen e objektivit madhor për integrimin
në strukturat euro-atlantike; Duke konsideruar Konventën Europiane,
Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe dokumente të tjera
ndërkombëtare, të njohura nga të dyja palët; Mbështetur në frymën e
Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së mirë dhe Sigurisë
midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë; 

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË: 
– Vlerëson se është koha që çështja e të drejtave të shtetasve
shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dy palët, në
frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së mirë dhe
Sigurisë, të nënshkruar dhe të ratifikuar nga të dyja vendet; 

– I kërkon qeverisë së Republikës së Shqipërisë të shtojë më tej
përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe pasurive të tjera të
patjetërsueshme të popullsisë çame, në përputhje me dokumentet e njohura
ndërkombëtare; 

– Çmon se gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë në aspektin teknik dhe
juridik midis qeverive të dy vendeve për çështjen e sekuestros
konservative të vendosur si rrjedhojë e Ligjit të Luftës të vitit 1940
mbi pasuritë e popullsisë çame, si dhe ngrirjen e ligjit nr. 2664 të 3
dhjetorit 1998, do të përbënin një kontribut shumë të rëndësishëm për
kapërcimin e problemeve të krijuara prej tyre; 

– I kërkon qeverisë shqiptare që nëpërmjet grupeve të posaçme të
punës të bashkëpunojë me palën greke dhe, në frymën e Traktatit të
Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së mirë, të përshpejtojë fillimin
e negociatave me qeverinë greke për zgjidhjen e këtij problemi; 

– Shpreh bindjen se Parlamenti i Republikës së Greqisë, i cili ushqen
të njëjtin vullnet për çuarjen përpara të marrëdhënieve dypalëshe
shqiptaro-greke, do të japë kontributin e tij për trajtimin me frymë
konstruktive dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes së lartpërmendur,
duke bërë edhe rregullimet ligjore përkatëse; 

– Ngarkon qeverinë e Republikës së Shqipërisë që këtë Rezolutë t’ua
bëjë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare që mund të
kontribuojnë në zgjidhjen e problemit.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button