A do t’i qëndrojmë deri në fund “trimërisë” me Greqinë?!

Vladimir Karaj
Evangelos Venizellos mund të jetë i pari ministër i Jashtëm i Greqisë që është pritur të paktën në dukje me këmbët e para në Tiranë. Nuk ka qenë vetëm konferenca e Greek Deputy Prime Minister Evangelos Venizelos visits Tiranasikletshme dhe jo fort miqësore e shtypit me homologun Ditmir Bushati, po thuajse e gjithë atmosfera që ka rrethuar takimet e tij në kryeqytetin e Shqipërisë. Historia e ligjit të Luftës, që Greqia e mban në fuqi për të penguar kthimin e pronave çamëve të dëbuar dhe krijuar një barrierë ligjore për kontestimin e sekuestros në rrugë ligjore në gjykatat greke, i ka përndjekur thuajse të gjitha vizitat e tij në kryeqytet. Pas tensionit dhe përballjes me ministrin e Jashtëm Bushati, ku palët reflektuan qëndrime krejt të kundërta, ishte kreu i opozitës, Lulzim Basha që i ka parashtruar Venizellosit të njëjtat kërkesa mbi ligjin e luftës dhe pronat e shqiptarëve të Çamërisë, ndërsa u ka shtuar këtyre edhe nevojën e njohjes së Kosovës nga Athina.

Dukshëm, të njëjtat ngjyra dhe ngërçe kanë pasur takimet me Presidentin e Republikës, ku ministrit mik sërish i është dashur të mbrojë tezën e tij për ligjin e Luftës, dhe përtej buzëqeshjes në fotografi, të njëjtat tema jo fort të mirëpritura janë diskutuar edhe në takimet me kreun e Kuvendit, Ilir Metën dhe kryeministrin Edi Rama, të koduara nën termin “probleme të trashëguara nga e kaluara”.

Përtej kësaj atmosfere që duket si “kryengritja” e politikanëve shqiptarë përballë homologëve grekë, ndaj të cilëve përgjithësisht ishin treguar “inferiorë” deri dje, qëndrimet e palëve kanë mbetur aty ku ishin. Krejt të kundërta thuajse për të gjithë këtë mori çështjesh që mbeten të hapura mes dy fqinjëve. Zgjidhje të shpejtë ndoshta do të ketë vetëm për dy prej tyre (kërkesa të Athinës). Rinisjen nga puna të komisionit për ndërtimin e varreve të ushtarëve grekë, diçka po ashtu e mbetur prej Luftës së Dytë Botërore, dhe ndryshimin prej shtetit shqiptar (duke i tërhequr) të disa dhjetëra mijë pasaportave që toponimet greke i kanë të shkruara në shqip dhe duke i bërë të papranueshme nga Greqia, e cila e justifikon këtë me një marrëveshje ndërkombëtare mbi toponimet.

Problemet e tjera, që sigurisht nuk do të zgjidhen në takime të ngjashme, do të duan që pala shqiptare të tregojë që nuk e kishte me gjasme dhe se do jetë koherente në këto qëndrime dhe se në të ardhmen nuk do të jemi po në këtë pikë, por të paktën një pjesë e tyre do të jenë shtruar për zgjidhje. Shumë njerëz rezervojnë të drejtën për të dyshuar te kjo. Kjo sepse përtej paraqitjes si gjest i rrallë nga një ministër i Jashtëm, ajo që tha Ditmir Bushati, edhe pse plotësisht e drejtë nga këndvështrimi i shqiptarëve, nuk është bërë për herë të parë.

Një prej paraardhësve të tij, Edmond Panariti bëri po ashtu disa deklarata të ngjashme kur vizitoi Athinën vitin që shkoi apo gjatë një takimi me ambasadorin e Greqisë në Tiranë në janar të këtij viti. Simbolikisht edhe në mënyrë të shkëputur edhe më herët, përfaqësues të Shqipërisë edhe në nivele kryeministri e presidenti, i kanë bërë të tilla deklarata duke marrë thuajse të njëjtën përgjigje nga pala greke: “Çështja Çame nuk ekziston. Ligji i luftës nuk ekziston”. Të njëjtat gjëra tha dhe përsëriti edhe Venizellosi dje në Tiranë, gjë që më shumë tregon se sa pak është bërë për këto çështje nga pala shqiptare.

Aq pak sa Greqia ende nuk është në pozitën që t’i pranojë si ekzistente. Madje më shumë sesa këmbëngulja e ministrit tonë të Jashtëm për të theksuar se “Çështja çame është pjesë e dosjes tonë diplomatike me Greqinë dhe sot, sipas pikëpamjes sonë është momenti që realiteti të shihet në sy”, ajo që të bënte përshtypje ishte qëndrimi i homologut që e përgënjeshtroi këtë pak minuta më herët duke e bërë të dukej sikur pala shqiptare ishte në një botë çudirash dhe fliste përçart.

E njëjta situatë u duk kur u fol për ligjin e gjendjes së luftës që mban të sekuestruara pronat e shqiptarëve në Greqi. Venizellos u soll sikur të gjithë në sallë, përfshi ministrin homolog, nuk dinin asgjë në lidhje me marrëveshjet dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Arrogancë dhe fodullëk?! Përmendja e faktit se pavarësisht krizës Greqia mbetet një ndër 30 ekonomitë më të mëdha në botë, në vendin me ekonominë më të dobët në Evropë (dhe shih se mbeti pa u thënë me një numër jo fort të vogël emigrantësh të strehuar në Greqi) sigurisht ishte një shfaqe e kësaj, por ishte edhe më shumë se kaq. Ishte një lexim i tillë i situatës që të linte të kuptohej se “ngritja kokë” e politikanëve shqiptarë kishte lidhje me krizën greke (nëse është kështu është naive) dhe ai donte tu thoshte se e kishim gabim nëse mendonim se Greqia është e dobët dhe në krizë financiare. Më shumë se kaq ai përmendi në të njëjtën formë “shantazhi” si paraardhësit e tij se progresi apo vënia në jetë e marrëveshjeve dypalëshe që përgjithësisht janë në favor të Greqisë, ishin kyç për mbështetjen që kjo do i jepte Tiranës në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

E thënë e gjithë kjo përballja e djeshme e politikës shqiptare, edhe pse si rrallë ndonjëherë zërat mes opozitës dhe shumicës ishin të sinkronizuar dhe mbështetën njëri tjetrin, mund të mbetet një nul nëse nuk kalohet përtej këtyre qëndrimeve që ngase përsëriten shumë rrallë duken si të sforcuara dhe të sikletshme. Shqipëria duhet të gjejë rrugë të tjera përtej konferencave të shtypit për ta bindur Athinën që “Ligji i Luftës” që mbahet në fuqi me ligësi prej vitesh, pavarësisht absurdit që mbart, ekziston dhe duhet të abrogohet në parlament. Kjo është e vetmja në mënyrë që shqiptarët të fitojnë të drejtat e mohuara (të pronësisë dhe të tjera) prej tij, qoftë edhe përmes gjyqësorit e deri në Strasburg. Vetëm pasi kjo të jetë bërë Greqia do të kuptojë se ka një Çështje Çame ose të paktën një çështje të dëbuarish me përdhunë. Por për ta bërë këtë nuk mjaftojnë deklaratat e koklavitura në konferenca shtypi edhe pse mund të thuhet që sikleti i Venizellosit në Tiranë ishte një hap përpara. Gjithçka mbetet tani e tutje është t’ia bëjmë Athinës të dukshme, ekzistente, problemet që kemi me të.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button