Dojaka: Ndryshim, qeveria e re po e mban fjalën për çështjen çame (VIDEO)

Kryetari i Aleancës Popullore, Artur Dojaka, partisë që përfaqëson interesat e komunitetit çam, por që është në koalicionin qeverisës, deklaroi se kanë nisur që të shihen ndryshimet e politikës së qeverisë ndaj çështjes çame.

“Aleanca Popullore falënderon kryeministrin Rama dhe përgëzon ministrin e Jashtëm, zotin Ditmir Bushati për ngritjen dhe trajtimin e çështjes çame në bisedimet me zv/kryeministrin grek, zotin Venizelos.

Shqiptarët e kanë vënë re sot – të gjithë – ndryshimin dinjitoz të qëndrimeve të qeverisë shqiptare. Aleanca Popullore, pjesë e koalicionit fitues të 23 qershorit është krenare që ka dhënë kontributin e saj në këtë ndryshim të dukshëm e të shumëpritur nga shoqëria shqiptare.

Qytetarët shqiptarë meritojnë sot fqinjësi të mirë, por edhe reciprocitet në marrëdhëniet ndërkombëtare,” tha Dojaka.

“Do të shtoja se vizita në Tiranë e zv/kryeministrit, njëkohësisht ministër i Jashtëm i Greqisë, zotit Venizelos përkon me 100 vjetorin e përndjekjes së bashkëkombësve tanë që kulmon me masakrat e qershorit 1944 ndaj popullsisë së pambrojtur të shqiptarëve të Çamërisë, asokohe nënshtetas grekë.

Ne do të vlerësonim që përfaqësuesi i qeverisë greke të mbartte

në valixhen e tij diplomatike edhe apologjinë e munguar deri më sot për gjenocidin e ushtruar ndaj tyre”.

Qëndrimin e qeverisë shqiptare e ka përshëndetur edhe partia tjetër çame, PDIU, e cila ndodhet në opozitë.

“Qeveritë e shkuara kanë qenë të intimiduara ndaj palës greke, duke bërë që problemet e pazgjidhura kohë pas kohe të agravojnë,” thotë për TCH kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, i cili përshëndet edhe qëndrimin e qeverisë shqiptare për artikulimin e kërkesës shtetit grek për heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë.

Por ai kundërshton qëndrimin e ministrit Venizellos për këtë çështje.

“Çfarë ka ndodhur? Marrëveshja që i referohet Venizelos e vitit 1987 heq gjendjen e parë, atë të sulmit ndaj Shqipërisë. Marrëveshja e fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë e vitit 1996 heq gjendjen e dytë, pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë, por mbetet në fuqi sekuestroja ndaj pronave të shqiptarëve të Çamërisë, por edhe të shqiptarëve të tjerë të Follorinës, apo komuniteteve fetare që janë me qindra”, deklaron Idrizi.

“Për marrëveshjen e ujërave kemi një qëndrim realist të Bushatit dhe një qëndrim tinëzar të Ministrisë së Jashtme greke, që futi në këtë çështje integrimin si një kërcënim”, vlerëson Idrizi.

Por a do ta shtyjë drejt kalimit në mazhorancë PDIU-në kërkesa për heqjen e ligjit të luftës, si një nga pikat kryesore të rezolutës çame, e cila tashmë është vendosur në axhendën diplomatike të qeverisë?

“Do ta mbështesim, përshëndesim dhe do shtyjmë më tej çdo çështje ndërkombëtare, por nuk besoj që kjo detyrimisht mund të na bëjë pjesë të mazhorancës apo jo”, shton Idrizi.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button