Ismail Kadare: Shqiptarët u konvertuan me dhunë në fenë islame

Ismail Kadare flet për konvertimin shqiptarëve në fenë islame. Numri i
parë i revistës filozofike franceze “NOOR” hapet me intervistën e
shkrimtarit Ismail Kadaré dhe një tregim të Ylljet Aliçkës. Janë dy
shqiptarë që zënë një vend me rëndësi në një botim të çdo
përgjashtëmuajshëm, në një revistë të themeluar nga një grup i njohur intelektualësh francezë.

Në intervistën e tij Kadare ndër të tjera thekson se “Shqipëria nuk do
kishte ekzistuar, nëse ne nuk do kishim tolerancën mes myslimanëve dhe
krishterëve” dhe se “ishte jeta jonë e vështirë që na bëri të kuptojmë
logjikën dhe nevojën e tolerancës”. Revista gjashtëmujore “NOOR” u shfaq
suksesshëm këtë pranverë si një ide e një grupi filozofësh të njohur si
Malek Chebel, Mark Ferro, etj, me synimin “të nxisë debate dhe
reflektime mbi spiritualizmin dhe laicitetin, mbi racizmat dhe
radikalizmat në ngjitje, sinjale këto të një bote që po vdes nga frika
dhe që ushqehen gjithnjë e më shumë nga absolutizmi i mendimit dhe nga
humbja e pasioneve kolektive”.

Vendi juaj, nën regjimin e Hoxhës ishte i vetmi vend mbi planet
që u deklarua krejtësisht ateist, duke frenuar të gjitha fetë. Cila
ishte arsyeja e kësaj mase të jashtëzakonshme. Si reagoi populli
shqiptar? Po ju vetë, si e përjetuat zhdukjen e Zotit me dekret?

Hoxha e justifikonte vendimin e tij, si përgjigje ndaj “kërkesës” së
rinisë shqiptare. Kur e vuri në jetë këtë vendim në vitin 1968, ai
përfitoi nga konteksti i lëvizjeve të atij viti në disa vende europiane,
koha e lëvizjeve studentore dhe e revoltave sociale, ku ndër të tjera
pati dhe lëvizje kundër kishës. Hoxha u përpoq ta justifikonte si një
lëvizje progresiste. Edhe sot, unë ende nuk e kuptoj arsyen e vërtetë të
këtij vendimi. Apo mos ndoshta kjo ishte një çmenduri e pastër e
Hoxhës, një trill i një diktatori megalomaniak? Apo mos ndofta donte të
imitonte “miqtë tanë” kinezë, në mënyrë që të fitonte simpatinë e tyre?
Kush e di?

Si reagoi populli? U rebelua për t’i mbrojtur këto vende kulti?
Populli pothuajse nuk reagoi. Njerëzit kishin probleme të tjera, jeta e
përditshme ishte tmerrësisht e vështirë. Kishat dhe xhamitë ishin
braktisur prej 20 vjetësh më parë në diktaturë.

Ju vetë, prindërit tuaj ishit të besimit bektashi. Si e përjetuat këtë diktat?
Unë jam rritur në një shtëpi intelektualësh. Nuk shkonim as në xhami, as
miqtë tanë të krishterë nuk shkonin në kishë. Një ndër krenaritë tona
të rralla është bashkëjetesa paqësore e tri besimeve, shprehje e një
tolerance fetare të jashtëzakonshme. Nuk do desha të them se kjo është
rezultat i një pjekurie specifike shqiptare, ne nuk jemi më të ndriçuar
se të tjerët. Ndofta ishte rezultat i jetës së vështirë, që na bëri të
kuptojmë logjikën dhe nevojën e tolerancës. Edhe para ardhjes së turqve
ne ishim mësuar me bashkëjetesën e dy besimeve të krishtera. Më pas u
bënë tri besime, s’kishte arsye të ndryshonim.

Pse u konvertuan shqiptarët me ardhjen e ushtrisë otomane?
Një pjesë e popullsisë së varfër, u detyrua të konvertohej me dhunë.
Disa të tjerë ndërruan kamp për arsye ekonomike, disa të tjerë për një
fenomen tepër të rëndësishëm për shqiptarët, pasi vetëm një mysliman
kishte të drejtë të mbante armë. Shqiptari ishte para dilemës: si do
mundte ai të mbronte dinjitetin e familjes së tij pa armë? Ndodhte që
një vëlla i po të njëjtës çati konvertohej dhe një tjetër jo.


Pra, psikologjikisht ne ishim të përgatitur ndaj një jete sociale të
tolerancës. Por pushtimi otoman nuk krijoi asnjë liri, pavarësisht
iluzioneve, duke nxitur konfliktet mes klaneve. Feudalët ishin “të lirë”
të bënin luftë mes tyre. Sot, nëpërmjet fesë së Islamit, Turqia
përpiqet përsëri të ndikojë dhe modifikojë konceptin tonë të jetës
sociale. Perandoria otomane duket se po rivjen në një tjetër formë.

Pas rënies së diktaturës, fetë e mëdha, nëpërmjet emisarëve të tyre u përpoqën të riinvestojnë shoqërinë shqiptare?
Ka tendenca radikalizimi dhe kjo s’është gjë e mirë. Prej mbi 20 vjetësh
shoqëria shqiptare përpiqet të rindërtojë identitetin e saj kulturor,
social e politik, që i përshtatet. Por pavarësisht mjaft rindërtimeve të
xhamive apo kishave, unë nuk shikoj ndonjë ndryshim të rëndësishëm në
zakonet e bashkëpatriotëve të mi. Nga ana tjetër, disa madje tentojnë të
rishkruajnë historinë tonë duke minimizuar veprën e heroit kombëtar
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që sipas meje duhej të ishte përfshirë në
historinë europiane. Padyshim që politika kërkon të përfitojë nga
gjithfarëlloj radikalizmash, fundja si kudo.

Ju vetë jeni shënjuar nga literatura antike dhe mitologjitë helenike. Atëherë çfarë influencash keni pasur?
Letërsia më ka mbrojtur nga çdo influencë, ideologjike apo fetare. Ashtu
dhe populli im, i cili ka të tjera probleme për t’u ndikuar. Ne
shqiptarët jemi popull i emancipuar, ndofta më i emancipuari në botë.
Europa duhet ta marrë seriozisht në konsideratë tolerancën tonë. Ajo
duhet ta mbrojë dhe mbështesë vendin tonë, pasi ne përfaqësojmë një
shembull unik dhe tepër të çmueshëm.

Çfarë rreziku paraqet në vendet e Europës Lindore “nacionalizmi” i ri?
Patriotët shqiptarë, shumë përpara se Shqipëria të ekzistonte si komb,
kanë zgjedhur Marsejezën si himnin e ardhshëm kombëtar, pasi ajo
simbolizonte lirinë, vëllazërinë, barazinë.

P.Hajnrih Bël ka thënë “Gjuha ime është djepi im”. Nëse ju zëvendësoni termin djep me komb, atëherë nuk është i njëjti kuptim?
Në diktaturë, liria e vetme që i mbetet një shkrimtari është gjuha e
tij. Për këtë arsye ne lexonim male me libra. Për pasojë realiteti
zhdukej pas këtyre librave.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button