“Kathimerini”: Papulias një ndër grekët më të dashur në Shqipëri

Gazeta prestigjioze greke “Kathimerini” shkruan me entusiazëm për vizitën e afërt të presidentit grek në Tiranë, madje e quan një “zgjedhje te mençur” këtë vizitë, pak kohë përpara se Karolos Papulias të lërë presidencën.

“Tani që zoti Papulias është afër përfundimit të qëndrimit të tij në postin më të lartë të shtetit, do të vizitojë Shqipërinë, vizitë për të cilën nuk e dimë nëse do të jetë e fundit, apo çfarë do të nënshkruhet në të”, thotë Stavros Tzimas në analizën e tij. Megjithatë, sipas tij, ka diçka kuptimplotë në këtë udhëtim.

“Papulias ka një ndikim të madh në opinionin publik shqiptar; konsiderohet si një ndër grekët më të dashur në Shqipëri, që ka ndikuar në politikën e afrimit midis dy vendeve pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës. Deri edhe në teorinë se kur ishte foshnjë, ai është ushqyer me gji nga një grua shqiptare, që tregohet me krenari nga shqiptarët për të theksuar lidhjet e tij me kombin e tyre”, shkruan Tzimas.

Papulias, sipas gazetës, është një nga më të mirët, njeriu më i përshtatshëm për të udhëhequr një fushatë të miqësisë shqiptaro-greke, në mënyrë që të fillojë të shkrihet akulli që është akumuluar në vitet e fundit në marrëdhëniet 2 palëshe. “Papulias do t’iu çojë shqiptarëve mesazhin se Greqia nuk është një kërcënim për vendin e tyre, siç përpiqen ta paraqesin qarqet ekstreme, por fqinj i ndershëm, dhe rruga e vështirë drejt strukturave europiane mund të jetë më e lehtë me shoqëri, ndërkohë që shqiptarët ushqehen me sindromin e rrethimit armiqësor dhe grekëve të këqinj. Pra, udhëtimi në Tiranë është një zgjedhje e mençur e Athinës sa edhe dëshira e vetë presidentit Papulias”, shkruan “Kathimerini”.

“Kathimerini” për ligjin e luftës
Në një tjetër shkrim, i njëjti autor sqaron situatën me “ligjin e luftës”, çështje që siç shprehet ai, ngrihet gjithmonë nga fqinjët shqiptarë.

Në shkrim thuhet se ky është një ligj i imponuar nga pala greke në Dekret Mbretëror në 1940, menjëherë pas pushtimit italian. “Në kohën e kryeministrit Andreas Papandreu, më 28 gusht 1987, me rekomandim të ish ministrit të Jashtëm të asaj kohe Karolos Papulias Greqia e shfuqizoi “luftën”, për përmirësimin e klimës në marrëdhëniet greko-shqiptare, por shqiptarët këmbëngulin që ky dokument të kalojë nga Parlamenti grek”, vijon shkrimi.

Më pas autori bën një paralele: “Fqinjët tanë të mirë grinden për “luftënxitjen” tonë, duke hedhur dyshime se Greqia fsheh pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, por edhe ata fshehin “ligjin e tyre të luftës” me Greqinë, të cilin nuk e kanë hequr. Në prill 1939, Parlamenti shqiptar, nën pushtimin italian, vendosi që çdo vend i cili është në luftë me Italinë të konsiderohej automatikisht “armik” për Shqipërinë. Në vitin 1944 Enver Hoxha në Konferencën e Përmetit, deklaroi anulimin e të gjitha vendimeve nga qeveritë e mëparshme. Por me ardhjen e tij në pushtet, Sali Berisha anuloi urdhrin e regjimit komunist dhe solli në fuqi vendimet e qeverisë së Zogut për këtë çështje. Pra as parlamenti komunist, as ai i mëvonshëm demokratik, nuk vendosi të shfuqizojë “ligjin luftarak” me Greqinë”, vëren analiza.

“Bazuar në këtë fakt, Tirana në vend që të bërtasë dhe të kultivojë mosbesim, duhet të bëjë edhe vetë atë që kërkon nga Greqia. Që të mos i japë arsye Greqisë të mendojë për aspirata territoriale shqiptare mbi territorin e Çamërisë, sepse këto hije të historisë nuk çojnë askund”, përfundon gazeta greke “Kathimerini”.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button