Demaçi: Amerika ka autorizuar Turqinë të kujdeset për shqiptarët

Veprimtari i njohur Adem Demaçi ka theksuar se Amerika ka autorizuar Turqinë që të kujdeset për shtetet shqiptare në Ballkan.

Ai i pyetur nga portal Express lidhur me vajtje – ardhjet e kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan në Kosovë dhe deklarimi i tij me lehtësi se “Kosova është Turqi”, ka theksuar se krejt këto lëvizje të turqve në Kosovë po bëhen pasi Amerika e ka autorizuar Ankaranë që të merret me shtetet e shqiptarëve në Ballkan. “Këto metafora që përdorë Erdogan ‘Kosova është Turqi’ i bën për të treguar afërsinë. Ne jemi shteti i vogël, i ri dhe që kemi nevojë për një mbrojtje. Nuk ka mundësi që Amerika të merret gjithmonë me ne. Amerika i ka autorizuar turqit që të kujdesen për Shtetin e Kosovës”, ka thënë Demaçi, për Gazetën Express, duke shtuar se shqiptarët e kanë Amerikën si mike kryesore.

Sipas tij, askush s’duhet të ketë frikë nga turqit se mund të riokupojnë tokën e shqiptarëve, por siç shprehet ai “miqësia me Turqinë ndikon drejtpërdrejtë te Serbia dhe Greqia të kenë kujdes me dy shtetet e shqiptarëve”. “Ju e dini, ushtrinë e Shqipërisë e furnizojnë me armë dhe e ushtrojnë turqit. Qiellin e Kosovës e mbron aviacioni turk. Ne jemi të rrethuar nga shtete të cilat gjithmonë kanë lakmuar që të na shkëpusin ndonjë copë. Sot Turqia po vihet në mbrojtje tonë. Këtë e din edhe Turqia, edhe Greqia, edhe Serbia, e dinë edhe të tjetër. Kështu që ne kemi nevojë për një miqësi shumë të ngushtë me Turqinë”, ka shtuar ai. Kryeministri i Turqisë Erdogan gjatë qëndrimit të mërkurën në Kosovë deklaroi se “Kosova është Turqi e Turqia është Kosovë”.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button