Ndryshohet buxheti 2013

Me 79 vota pro dhe 42 kundër, Kuvendi i Shqipërisë miratoi aktin normativ të qeverisë për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2013.

Ndryshimet u kundërshtua ashpër nga opozita gjatë gjithë seancës maratonë që nisi që në orët e para të ditës së enjte. Drejtues të opozitës në fjalën e tyre thanë se me këtë vendim, qeveria Rama rrezikon të zhysë vendin në recesion.

Por mazhoranca këmbënguli se ndryshimet janë të nevojshme. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se arka është gjetur bosh dhe se ndryshimet ishin të nevojshme. Ai akuzoi ish-mazhorancën për abuzime me buxhetin.

“Nga 174 milionë dollarë për bukën e gojës në prill, maj, qershor, muaj që përkojnë me pragun dhe pastaj me fushatën elektorale janë shpenzuar 94 për qind të fondit pa dashur kush t’ia dijë se ku do ta gjejnë në korrik, në gusht, në shtator, në tetor, në nëntor dhe në dhjetor bukën e gojës, ata të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër përveçse të presin ditën e shënuar të muajit për të marrë këto para të bukës së gojës nga shteti dhe nuk kanë për fat të keq mundësinë që ta sigurojnë bukën vetë. Nga 174 milionë dollarë që ishin përcaktuar për këta njerëz keni harxhuar 94 për qind për fushatë elektorale dhe sot në arkën e shtetit janë vetëm 7 milionë dollarë, ndërkohë që radha e gjatë e invalidëve të këtij vendi pret me sytë nga qielli bukën e gojës. Jo sipas nesh, por pikërisht sipas Bankës Botërore dhe FMN-së bashkarisht, sepse ne ndërkohë në mirëkuptim me ta kemi kërkuar dhe një audit të posaçëm, afërsisht 200 milionë dollarë punë të tenderuara publike për ato shiritat dhe të papaguara; 20 milionë dollarë për ujë dhe për kanalizime; 30 milionë dollarë për shëndetësinë, i keni lënë ju pas në formë pas në formë faturash. Po ashtu për arsimin keni lënë pas fatura 20 milionë dollarë”, deklaroi Rama.

Por, demokratët akuzuan qeverinë se po rrit borxhin pasi do t’i paraprijë dështimit në mbledhjen e të ardhurave dhe rritjen e shpenzimeve për administratën.

“Ndërsa qani me lot krokodili, përse nuk bëni një gjest shtetari dhe nga 400 milionë dollarët që do të merrni nga ky moment deri në 31 dhjetor, përse nuk përdorni 100 milionë dollarë të paktën, 150 milionë dollarë për paraplegjikët, pensionistët, ndihmën ekonomike, për të shlyer investimet publike, faturat e ilaçeve dhe blerë karburant”, replikoi ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se përmes këtij buxheti socialistët po vënë në jetë skenarin grek për Shqipërinë.

“Sot këtu vendoset faza e dytë e skenarit të Jorgo Papandreut. Me matematikën e Ramiz Alisë që paraqiti eksperti i patateve dhe i vjedhjes së floririt, Shqipëria dhe ekonomia e saj ecën me shpejtësi drejt gropës. Ndaj thirrja ime është: Hidheni poshtë këtë Akt që mbart në vetvete fazën e dytë të një skenari ogurzi për ekonominë shqiptare, atë të zhytjes së saj në recesion dhe në krizë të pashmangshme”, u shpreh Berisha.

Ndryshe nga votimi për aktin normativ të propozuar nga qeveria, mazhoranca dhe opozita bashkuan votat për të dy projektligjet e tjera, njëri prej të cilëve ishte ai mbi grantet në agrikulturë. TCH

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button