Kadare: turp që shqiptarët u detyrohen osmanlinjve dhe komunistëve

Ismail Kadare komenton deklaratat e tre kryeministrave në Prishtinë: “Një nga turpet e mendimit shqiptar, që qenia e Shqipërisë u detyrohet dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist”.Kështu do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit shqiptar, ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët. Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë, ai i Evropës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Evropa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët.

Se sa përrallë ka qenë ky i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort. I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit…”. Këto janë pasazhe nga libri “Mosmarrëveshja” e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i botuar rreth 3 vite më parë, por që pas deklarimeve të tre kryeministrave në Prishtinë duken shumë aktuale, por edhe rihapin debat. Kreu i qeverisë turke, Taip Erdogan, i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe i asaj kosovare, Hashim Thaçi, mbajtën fjalime afeksionuese për marrëdhëniet shqiptaro-turke gjatë inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës, më 22 tetor. Ndër të tjera, Rama e Thaçi thanë se turqit dhe shqiptarët janë popuj vëllezër, dhe e quajtën “vëlla” Erdoganin, ndërsa ky i fundit tha: Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë. Deklarime që kanë shkaktuar mjaft reagime, qofshin pozitive apo negative.

Por, për Kadarenë duket se nuk janë të panjohura këto lloj “flirtimesh” mes shqiptarëve dhe turqve. Sipas gazetës “Panorama”, në vend të një komenti apo replike, ai sugjeroi pikërisht librin “Mosmarrëveshja”. “Nuk i kam lexuar të plota deklaratat e tyre, por me aq sa jam njohur nuk mund të bëj ndonjë reagim apo koment të çastit. Sepse për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve unë kam shkruar prej kohësh te libri “Mosmarrëveshja”, ndaj nuk kam çfarë të shtoj tani gjë tjetër. Çfarë kam thënë në libër, mbeten aktuale…”,ka thënë Kadare.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button