Mimi në Bruksel një grua shqiptare mes të ‘fortëve’ të NATO

Mimi Kodheli e ka ndjerë veten shumë rehat ndërsa ka gjetur vlerësim të plotë, jo vetëm të vendit që zë Shqipëria në tryezën ovale të 28 vendeve anëtare të NATO-s, (na takon të shprehemi të parët për shkak të emrit të Shqipërisë (Albania) fillon me A), por edhe sepse zonja 49 vjeçare që drejton mbrojtjen shqiptare dhe Shqipërinë në NATO, zuri jo pa të drejtë vendin në krah të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmusen, në foton familjare pas ministerialit dy ditor të ministrave të mbrojtjes që u mbajt në zyrat qendrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel në datat 22 dhe 23 tetor.

Ministrat e Aleancës, i shtrëngonin duart dhe detyrimisht kthenin kokën. Në korridoret e NATO-s dhe në sallën e gazetarëve, aty ku mediat ndërkombëtare raportonin për atë se çfarë do të ndodhte për politikat e sigurisë në botë, flitej për ministren e re, bjondja-sharmante që vinte nga Shqipëria.
Sigurisht, nuk kishte shumë konkurrencë me 28-tëshen e karrigeve të NATO-s. Janë edhe dy zonja të tjera që prezantojnë vendet e tyre për mbrojtjen. Jeanine Hennis Plasschaert, është ministrja e Mbrojtjes që prezanton Hollandën në samitin e NATO-s; e Ine Marie Eriksen Soreide prezanton për mbrojtjen, Norvegjinë.
Nëse do të marrim në konsideratë faktin se Hollanda e Norvegjia janë demokraci të forta disa qindra vjeçare, për Albania-në, emri i Mimi Kodhelit, ishte një kthim koke pothuaj prej gjithë ministrave, ushtarakëve e zyrtarëve në sallën e bisedimeve dy ditore të ministerialit të NATO-s.

Ministrja shqiptare Mimi Kodheli, nuk e ka problem këtë fakt. Përkundrazi, me një thjeshtësi e paburokraci, kalon gjithë paraditen e datës 22 tetor në zyrat e përfaqësisë shqiptare në NATO. Në krah të saj shfaqet ambasadori Artur Kuko në çdo takim.
Disa herë të tjera edhe admiral Kristaq Gërveni. Emri i ushtarakut, sigurisht, është shumë i dëgjuar në median e publikun shqiptar. Eshtë një ndër firmëtarët e marrëveshjes së detit me Greqinë, dhe duket jo pa siklet me ardhjen e qeverisë e ministres së re në pozicion. Takimi i parë i ministres me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Rasmusen, shkon në një klimë të plotë mirëkuptimi. Në përfaqësinë shqiptare të NATO-s, askush nuk është në siklet. Ministrja e re, me axhendën përpara, është e qartë se ky ministerial i parë tek i cili do të përfaqësohet, nuk do të jetë i fundit. Tani, pamja e saj e qeshur, para e pas takimit, si dhe shtrëngimet e duarve e thashethemet që dëgjohen korridoreve, tregojnë se Mimi Kodheli, ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve.

Madje, disa kolegë italianë gazetarë që kanë ndjekur ministerialin edhe brenda dyerve të mbyllura në sallë, tregojnë se fjala e saj përpara 27 ministrave të tjerë, si dhe ndërhyrjet e herë pas hershme, për çështje të ndryshme të sigurisë, tërhoqën vëmendjen e ministrave të mbrojtjes, të vendeve anëtare të NATO-s.
“Aaaa, ju keni zgjedhur një ministre të re të Mbrojtjes? Kush është”, pyesin kolegët kroatë, me të cilët përshëndetemi edhe për t’u uruar anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Duke nxituar për te skeda mediatike, marrim fletën e sapoprintuar nga zyra e shtypit e NATO-s, ku emri i Mimi Kodhelit, qëndron e para, poshtë emrit të shtetit, Albania. Me shumë kuriozitet, disa prej tyre, hyrjen e ministres së re brenda sallës ku do të mbahen punimet e samitit dyditor, e fotografojnë menjëherë. Ministrja, nuk ngurron të vrapojë. Jep një intervistë të shpejtë për median shqiptare para samitit; përshëndetet me gazetarët nga Shqipëria të cilët i njeh, e mandej futet në sallën e populluar nga civilë e ushtarakë, aty ku do të diskutohen sfidat e reja për Afganistanin, e disa projekte të tjera të reformës në NATO, për të cilat, Shqipëria paraprakisht ka rënë dakord.

NATO, si institucion, kërkon që mbarë bota të marrë vesh për aspektin joluftarak, por ndihmës, asistues, e strategjik që secili nga vendet kërkon të përfitojë, e paskësaj një votë sesi do të vijojnë misionet, sidomos në Afganistan, pas tërheqjes së trupave luftarake në 31 dhjetor 2014.
Për të qenë e sinqertë, dua të them se NATO ka investuar që edhe Shqipëria të njihet me këto sfida, dhe nuk e di sesa mund të jetë arritur një gjë e tillë. Unë vetë kam qenë pjesë e misionit MOLA tour në Afganistan, nëntorin e 2012 (media opinion liders of Afganistan). Pakkush në Shqipëri e mori vesh nga shkrimet në gazetë, se kisha qenë në këtë mision krah dy gazetarëve nga Anglia e Italia. Por fakti që gjithë vendet që kontribuojnë me trupa në Afganistan (pra edhe Shqipëria) duhet të dinë se çfarë po ndodh realisht në këtë vend, është shumë e rëndësishme për misionin mediatik dhe njerëzor të NATO-s.

E në vazhdën e këtyre zhvillimeve, NATO me të drejtë mbështet faktin që Shqipëria të jetë pjesë e këtyre zhvillimeve. Sigurisht, kjo bëhet nëpërmjet medias.
Përpara ministerialit, ministres duhet t’i bëhen disa pyetje. Kolegët e vendeve të tjera anëtare të NATO-s, i pyesin ministrat përkatës për rolin dhe funksionin që secili nga shtetet do të ketë në angazhimet e reja në Afganistan, dhe sa do t’i kushtojë secilit vend në buxhetin e vet ky lloj impenjimi.

Cili do të jetë kontributi i NATO-s dhe Shqipërisë në Afganistan pas vitit 2014?; Cilat do të jenë planet e Shqipërisë në kuadër të planifikimeve të reja që po bën Aleanca e Atlantikut Verior?; Si do të jetë reforma e ushtrisë shqiptare tani e në vazhdim? Bazuar në kriteret që vendos NATO? Pra në sensin e mosprishjes së projekteve, apo vetëm në emërimin dhe shkarkimin e disa ushtarakëve?

Këto janë pyetjet që duhet të drejtohen për ministren Mimi Kodheli, në kuadër të ministerialit që është mbledhur për këtë qëllim, dhe për asgjë që mund të ketë lidhje me Shqipërinë apo me Kosovën. Por, një ditë përpara se të vinte ministrja në Samit, gjatë një bisede me ambasadorin Artur Kuko, morëm vesh se Shqipëria vazhdon njëlloj e angazhuar dhe e impenjuar në kuadër të reformave të Aleancës, në kuadër të Këshillit NATO-Rusi, apo edhe projektet ISAF. Që do të thotë se nuk kemi asnjë enigmë për çështjen e marrëdhënieve brenda Aleancës, apo për mënyrën sesi zëri ynë, pavarësisht se fillojmë me A (Albania), shprehet brenda Aleancës.

Kisha dhe kam mendimin se për çështjen e reformave tona të brendshme, perceptimin sesi do të reformohet ushtria shqiptare, sesi do të ndiqen penalisht zyrtarët e korruptuar të ministrisë së mbrojtjes, apo nëse në NATO, do të duhet të qëndrojë akoma Kristaq Gërveni ose jo (meqënëse ka qenë një ndër ushtarakët e kontestuar nga ish opozita për shkak të marrëveshjes së detit me Greqinë), ministren, mund ta pyesim fare mirë në Tiranë pa e marrë rrugën drejt Brukselit. Dhe duke u ndalur te kolonel Gërveni, në korridoret e përfaqësisë sonë diplomatike, ka shumë thashetheme, ashtu sikurse ka thashetheme të tipit se “misioni në NATO, është mbushur tej e përtej me njerëz që u është gjetur një funksion, por që nuk kanë ndonjë punë të rëndësishme për të bërë”. Por këto janë probleme të brendshme të Shqipërisë, jo të NATO-s.

Samiti rezultoi i suksesshëm. Ministrat e Mbrojtjes bashkërisht vendosën që ti japin një mbështetje të fortë forcave afgane të sigurisë. Misioni që do të vijojë pas 31 dhjetorit 2014, nuk do të jetë një mision luftarak, do të jetë një mision asistues e ndihmues. “Jemi shumë afër vendosjes së misionit tonë në vendin e duhur. Komandantët tanë ushtarakë e kanë riparë planin dhe kanë identifikuar termat dhe elementët kyç që duhet të vendosen në mision” tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Rasmusen, gjatë konferencës për shtyp. Sipas Anders Fogh Rasmussen forcat afgane kanë treguar se ata mund ta marrin këtë detyrë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se anëtarët e NATO-s dhe aleatët do të vazhdojnë të mbështesin Afganistanin pas misionit ISAF që përfundon në dhjetorin e 2014. “Por kemi ende shumë punë për të bërë” tha sekretari i përgjithshëm, duke iu referuar rezolutës që do të marrë dakordësinë e NATO-s për të vazhduar atje misionin e asistencës.
Pyetja më e madhe që shtrohet përpara NATO-s e aleatëve të tyre është: si do të jetë i ndryshëm ky mision, kur edhe ai që do të vazhdojë pas vitit 2014, do të përdorë të njëjtat vende, baza, makina e personel që është përdorur deri më tani, në “kohën e luftimeve”? Edhe NATO, ka shumë për të bërë. Shumë prej pyetjeve teknike, mbeten ende pa përgjigje. Sa i takon Shqipërisë, ajo është ende e angazhuar totalisht jo vetëm me misionin e vet në Afganistan, por edhe në kuadër të reformave të NATO.

Shqiptarja.com në Riga e Poloni
Për herë të parë një media shqiptare do të ndjekë nga afër Steadfast Jazz 2013, një stërvitje ushtarake e NATO-s që do të zhvillohet në Poloni dhe në vendet balltike nga datat 2 deri në 9 nëntor. Do të jetë kulminimi i një serie prej 17 stërvitjesh që do të mbahen në 14 shtete të ndryshme të botës. Bazuar në skenarë fiktivë, ushtrimet do të jenë në tokë, ajër e det dhe do të shoqërohen nga Forcat Operacionale Speciale, të cilat do të marrin detyra të ndryshme vitin e ardhshëm. NATO nuk ka zhvilluar stërvitje të këtij lloji live që nga viti 2006. Gati 6000 trupa nga 20 vende anëtare (dhe Shqipëria) do të marrin pjesë në këto ushtrime. Në kuadër të transparencës, edhe Rusia është ftuar të observojë këto ushtrime.
Emri i stërvitjes
Emri “Steadfast Jazz” është zgjedhur në dakordësi të plotë me procedurat e NATO-s për të tilla lloj ushtrimesh. “Steadfast” fillon me shkronjën “S”, çka do të thotë se ky ushtrim përfshin elementë nga SHAPE, (Supreme Headquarters Allied Poëer Europe). Shkronja “J” në Jazz, do të thotë se ky lloj ushtrimi është i përbashkët, pra që të gjithë elementët (ushtria, trupat navale, trupat ajrore, Marina, Forcat Speciale) janë të gjitha të përfshira. Shkrimi u publikua sot (25.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print) 

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button