Vuljaniç: T’i jepet statusi Shqipërisë

Raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, Nikola Vuljaniç, paraqiti, gjatë mbledhjes në Strasburg, një rezolutë, në të cilin i bëhet thirrje Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Ashtu si dhe në raportin e progresit, të paraqitur javën e shkuar nga Komisioni Europian, – thotë “Zëri i Amerikës”, – edhe rezoluta e hartuar nga relatori Vuljaniç njeh përparimet e bëra nga Shqipëria, drejt përmbushjes së objektivave të integrimit dhe veçanërisht arritjen e reformave të kërkuara nga Brukseli, ndërkohë që theksohet se ka ende shumë punë për t’u bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht në reformën e administratës publike, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pavarësisë së sistemit gjyqësor e pluralizmit të mediave.

Sërish theksohet edhe nevoja e dialogut dhe konsensusit mes forcave politike.

Duke mbështetur propozimin e Komisionit Europian, rezoluta “i bën thirrje Këshillit, të njohë përparimin e Shqipërisë, duke i dhënë asaj statusin kandidat”.

Përpara se të miratohet nga Komisioni i Jashtëm, e më pas nga Parlamenti Europian, rezolutës mund t’i bëhen amendime nga europdeputetët. Nëse ajo do të kalonte përpara mbledhjes së dhjetorit, do të ishte një plus për Shqipërinë, – thekson “Zëri i Amerikës”, – duke qenë se disa vende kandidate janë ende skeptike.

Për të marrë përkrahje për statusin, ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, do të udhëtojë në javët e ardhshme drejt Parisit dhe Berlinit, dy kryeqendrat e Bashkimit Europian. / Top Channel

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button