“Korrigjim marrëveshjes së detit”

Ministri grek i Mbrojtjes, Dimitrios Avramopoulos, i ndodhur në Shqipëri si pjesë e delegacionit që shoqëroi Presidentin Papulias, në një intervistë ekskluzive për Top Channel ka hedhur dritë mbi shumë tema të nxehta mes dy vendeve.

I pyetur lidhur me marrëveshjen e kufijve detarë, ministri Avramopoulos u shpreh i gatshëm që të korrigjojë marrëveshjen e vitin 2009.

“Është nënshkruar një marrëveshje dhe vendet gjithmonë respektojnë atë që kanë nënshkruar, firmën e tyre. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë gjykoi ndryshe, çëeshtja nuk është mbyllur ende. Ne duam që të zgjidhet kjo çështje dhe sigurisht që nuk ndërhyjmë në rendin e brendshëm ligjor të Shqipërisë. Por, ajo që del si rezultat i bisedimeve që kemi kryer kohët e fundit, është dëshira e ndërsjelltë që të përcaktohen zonat detare. Dhe, nëse në diçka duhet të ekzistojë një përmirësim i kësaj marrëveshjeje, e cila ekziston tashmë, atëherë të ulemi dhe ta diskutojmë, por në bazë të kësaj marrëveshjeje që kemi nënshkruar, duke respektuar gjithmonë firmën dhe nënshkrimin që kemi vendosur. Isha shumë i qartë, nuk është çështje mundësish, por është një përmirësim i marrëveshjes ekzistuese”, tha Dimitrios Avramopoulos, ministër i Mbrojtjes i Greqisë.

Duke u ndalur te varrezat e ushtarëve grek në Shqipëri, ministri i Mbrojtjes i Greqisë ka theksuar se çdo i vdekur meriton respekt. Ndërsa, i pyetur për rastin e skandalit të Kosinës, Avramopoulos deklaroi:

“Që në momentin që nuk kam dijeni për çështjen, nuk mund t’iu jap mendimin tim mbi këtë gjë. Të gjitha këto, sigurisht duhet t’i studioj, ose t’i konfirmoj, ose t’i hedh poshtë komisioni që është ngritur. Por, është hera e parë që unë dëgjoj diçka të tillë”, tha Dimitrios Avramopoulos.

Për ministrin Avramopoulos, ligji i Luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk ekziston më.

“Ky ligj Lufte, pyesim veten, ku bazohet? Dhe, do t’iu them se çfarë nënkuptoj me këtë. Në 1996, Shqipëria dhe Greqia nënshkruan një traktat miqësie. Pra, janë dy gjëra që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Nga njëra anë, dikush të nënshkruajë një traktat miqësie, nëse ekziston një gjendje lufte mes dy vendeve, së dyti, Greqia nga qenë nga të parat vende që ka ndihmuar Shqipërinë të futet në NATO. Bashkë ekzistenca jonë në një aleancë, automatikisht lë mënjanë çdo gjë, që do të pengonte bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërmjet dy aleatëve. Së treti, në Parlamentin shqiptar dhe atë grek ekzistojnë Komisione Parlamentare Miqësie, të gjitha këto së bashku tregojnë diçka, vërtetojnë diçka, se ligji i Luftës jo vetëm që nuk ekziston më, është hequr, por është shuar fare. Pyetja ime konsiston, cilët janë ata që duan ta riprodhojnë dhe ta risjellin, ndërkohë që ai vet tashmë i përket historisë?”, u shpreh Dimitrios Avramopoulos.

Ndërsa për pronat e shqiptarëve të Çamërisë, Avramopoulos deklaroi se cilido qytetar ka të drejtë t’i drejtohet gjykatave greke dhe atyre europiane për çdo shkelje që ata mund të pretendojnë. I pyetur lidhur me njohjen e Kosovës, ai deklaroi se kjo gjë nuk arrihet nga njëra ditë në tjetrën, por tashmë janë hedhur themelet e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjithashtu, Avramopoulos u pyet edhe lidhur me problemet për emrin e Maqedonisë, ku vlerësoi maksimalisht faktorin shqiptar atje, si më të angazhuarin për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë problem.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button