Skandal! Uzina ULP Mjekës ka demontuar municione kimike serbe!

Nga Gjergj Thanasi
Në një shkrim timin kam këmbëngulur që në rast pranimi në Shqipëri të armatimit kimik të Assadit, për arsye të larta shtetërore, pra jo partiake apo më keq akoma vetjake, duhej me patjetër, që aleatët amerikanë të pajisnin dhe stërvisnin një nënrepart (kompani) anti kimike të ushtrisë shqiptare. Niveli i paisjes dhe i stërvitjes së kësaj kompanie do të ishte më së paku sa ekuivalenti i saj në ushtrinë sllovake. Tani gjykoj, që mendimi im ndonëse i saktë është i pamjaftueshëm. Siç shkruan Noli te romani në vargje Skënderbeu: Nuk është palla hekuri i dheut, por krahu i fortë i Skënderbeut. Nuk mjaftojnë paisjet, por duhet edhe faktori njerëzor.

Fatkeqësisht trashëgimia berishiane në fushën e sigurisë kombëtare, që nga poroziteti i kufijve e deri te livadhisja në Shqipëri e agjenturave të huaja është e nivelit: Bir Selman i nënës kë të qaj më parë. Tek ne terroristët e huaj hynë e dalin si te hani i Dali Bidulit, pa porta fare. Te ne disa nga këta terroristë jane pajisur me pasaporta biometrike nga sistemi dhe njerëzit përgjegjës për këtë maskarallëk gradoheshin në detyrë nga “ancient regime”. Te ne serbët ishin ulur këmbëkryq në Ministrinë e Mbrojtjes shqiptare. Te ne zona jo të vogla të territorit nga Tropoja në Bulqizë, nga Bathorja në Lazarat janë pjesërisht jashtë kontrollit të shtetit. Te ne produkte të spiunazhit serb si famëkeqi Fazlliç i bënin zbor oficerëve madhorë të policisë dhe ushtrisë shqiptare deri te ministra e deputetë. E kam theksuar dhe e përsëris barku, që polli Gërdecin nuk është shterpëzuar ende pas 15 marsit 2008!

Ka ndodhur edhe më e pamenduara

Në kuadrin e bashkëpunimit kriminal serbo-shqiptar në fushën e trafiqeve të armatimeve ka ndodhur edhe më e pamenduara. Ne që u bëmë të famshëm në botë për demontimin e përgjakshëm të municioneve në Gërdec, kemi demontuar municione kimike serbe në ULP Mjekës. Disa nga politikanët, që nxjerrin mbesat në demostrata kundra mbërritjes në Shqipëri të armëve të Assadit, kanë pasur dijeni dhe familjarët e tyre kanë përfituar para nga demontimi i municioneve kimike të prodhimit serbo-sllav në Uzinën e Mjekësit. Është goxha skandal vetë fakti, që edhe pas tragjedisë së Gërdecit, ku nuk mungonte komponeti serb (prania e predhave serbe për mortaja 120mm në grup depot e Memajt, në Rromanat pranë Durrësit), vazhdohej të bëhej pazar me serbët për të demontuar municione “made in Serbia”. Ky skandal shkon në kufijtë e gjëmës, kur kemi të bëjmë me demontim municionesh kimike serbe. Uzina e Mjekësit është uzinë për prodhim lëndësh plasëse me teknologji suedeze të Firmës së famshme Bofors, sot pakëz demode-obsolete. Me ndihmën e aleatëve dhe partnerëve kjo uzinë është atrecuar edhe për demontim municionesh për armë këmbësorie dhe municione artilerie të kalibrave të ndryshëm. Uzina si teknologji, si luk i jashtëm (shiko ëikileaks-at përkatëse), si nivel sigurie është edhe mbi simotrën e saj të Poliçanit. Gjithsesi të demontosh municione kimike është shumë më e vështirë dhe shumë më e rrezikshmë sesa demotimi i municioneve për armët e këmbësorisë apo edhe i predhave të zakonshme tip HE, tip antitanke, unitare ose jo, anti fortifikim etj. etj.

Kur mandatit të dytë po i vinte fundi

Kur mandatit të dytë të kabinetit Berisha po i vinte fundi, tahmaja për të bërë lekë po rritej, duke mos gjetur më asnjë pengesë juridike, morale apo edhe vetë frikën për një ndëshkim të mundshëm. Dikasteri Imami si i thonë fjalës për të bërë lekë po i binte në top. Në këtë kuadër u importuan nga Serbia me qëllim demontimi predha mortaje të kalibrit të rëndë. Ky fakt në vetvete ky veprim ishte i turpshëm sidomos për një Kryeministër, që na hiqej superpatriot në sytë e vëllezërve kosovarë. Madje për koinçidencë kjo paudhësi ndodhi në njëqind vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Nuk ishte hera e parë, që predhat e mortajave serbe tranzitoheshin nëpër Shqipëri drejt destinacioneve ekzotike si Teherani apo aeroporti i Gomas në Republikën Demokratike të Kongos.

Kësaj rradhe sipas dokumentave përkatëse predhat e mortajave serbe nuk vinin në Shqipëri për tranzitim-kontrabandim, por për demontim. Nga kqyrja e ambalazheve dhe të vetë predhave të mortajave serbe arrihet në konkluzion, që këto predha nuk ishin të zakonshme dmth. të tipit HE, që sipas terminologjisë sovjetike quhen predha thërmuese, por ishin predha me aftësi mbajtëse të agjentëve agresivë kimikë. Sipas emërtesës së armatimit të ushtrisë titiste këto predha janë municione për mortajat MB kalibër 120mm tip M95.

Për çfarë bëhet fjalë

Ambalazhimi i predhave bëhet në kuti kartoni, një predhë, një kuti dhe më pas në arka druri dy predha në një arkë. Vetë predhat janë tip M64 P2. Pikërisht ky lloj municioni nuk është predha klasike e mortajës serbe 120mm e llojit HE-thërmuese. Bëhet fjalë për tjetër tip municioni. Për të siguruar më shumë informacion u përdorën teknika investigative të huazuara nga investigatori Eliot Higgins (Broën Moses). Kështu, u krye analizimi i numrave të partisë së prodhimit të fotografuara në arkat e ambalazhit të këtyre predhave mortaje. Nga kyjo analizë rezultoi se predhat ishin prodhime të vjetra, të para vitit 1990, të Fabrikës së municioneve “KrusiK”, të qytetit serb të Valkevos.

Për koinçidencë nuk është hera e parë që Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka kryer biznes me këtë fabrikë ushtarake serbe. Të paktën në dy raste të dokumentuara, predha mortaje 120 mm dhe barut i kësaj fabrike janë importuar nga Meico për t’u tranzituar në Iran apo për të bërë rimbushjen me barut serb të predhave të vjetra sovjetike, kineze dhe të Poliçanit me qëllim eksportin e tyre drejt një vendi të Lindjes së Mesme. Nga ekzaminimi i predhave rezultoi, që nuk ishin predha thërmuese por predha speciale, të përshtashme për t’u mbushur me agjentë fumogjenë (tym prodhues) dhe agjentë agresivë kimik dmth. LHL.

Dëshmia audio e një oficeri zbulimi boshnjak

Sipas dëshmisë audio dhe me shkrim të majorit Semsudin Muminoviç, oficer zbulimi i divizionit Nr.24 të ushtrisë muslimane boshnjake me vendbazim në Zvinice, në maj të vitit 1995 çetnikët e së ashtuquajturës “Republika Serbska” goditën me mortaja kalibër 120 mm me municione kimike kolonat e përzjera me refugjatë dhe me ushtarë myslymanë boshnjakë në dy lokacione, përkatësisht Konjeviç Polje dhe Nova Kasaba. Majori beson se LHL-ja e përdorur nga serbët ishte: Tri-kviniklidinil Benzilate – helm që vepron në sistemin nervor duke dëmtuar aftësitë e njeriut pa e vrarë atë. Ambalazhet e evidentuara nga boshnjakët në pozicionet fushore të mortajave serbe mbanin të njëjtat numra të partive të prodhimit të me predhat e demontuara në Mjekës.

Mbetet i pa qartë rrugëtimi i këtyre predhave me mbushje kimike, sepse para vitit 1990 ato bënin pjesë në bazën e armëve kimike të JNA-së në Haxhiç afër Sarajevos, pastaj kaluan në duart e serbëve të Bosnjës dhe më pas municionet e mbetura kimike përfunduan në grup depot e JV-as afër Zlati Borit në Serbi.

Nuk kemi informacion nëse predhat e demontuara ishin bosh pra pa LHL, apo ishin të mbushura me agjentë fumogjenë apo me LHL. Po ashtu nuk dihet nëse u demontuan, që të gjitha në Mjekës-gjysma e së keqes -apo disa prej tyre u trafikuan në drejtim të paditur. Kujtojmë se mortajat qoftë edhe ato të rënda kalibër 120 mm janë tip artilerie shumë i përshtashëm për luftë guerrilje dhe për goditje terroriste.

Ne për para kemi shkelur gjithçka!

Amerika aleati ynë i vetëm strategjik a mund t’i zërë besë autoriteteve shqiptare për rreth 1300 ton armë e municione kimike të Assadit, kur edhe me armiqtë shekullorë serbë ne për para kemi shkelur edhe konventa ndërkombëtare të nënshkruara nga Shqipëria, që në kohën e qeverisë Meksi? Vështirë! Unë besoj fuqimisht se binomi Rama –Kodheli nuk është hajdut dhe i kriminalizuar si pararendësit Berisha-Imami, por kaq nuk mjafton. Për shkak të ngadalësisë në pastrimin e pisllëqeve të së kaluarës dhë për shkak të emërimit të ylyfmatrakëve dhe aguridheve në vende me spec për sigurinë kombëtare të Shqipërisë unë besoj se ekipi i ri rilindas, nuk ka kapacitete ndonëse nuk i mungon dëshira dhe vullneti, për të neutralizuar ndonjë tentativë për të bërë shumë lekë edhe me LHL-të e Assadit, apo për të përsëritur një Mega Gërdec nga tahmaja apo nga mendjelehtësia kriminale.

Sugjerime ministres Kodheli dhe znj.Spiropali

Për të verifikuar demontimin e municioneve serbe kimike në Mjekës, si edhe trrafikimin e tyre të mundshëm modestisht do i sugjeroja Ministres Kodheli dhe zonjushës Spiropali të kryenin verifikimet e mëposhtme:

1 – Mund të verifikohet nëse AKSHE-ja ka dhënë leje për importimin e këtyre municioneve nga Serbia, apo nga firma fasadë malazeze si psh. MDI (Montenegro Defence Industries).

2 – Mund të verifikohen urdhërat e shërbimit, dietat etj të makinave tip “Kampanjola” të policisë ushtarake dhe personelit të kësaj policie, nëse kanë shoqëruar mjete transporti me ngarkesë ushtarake nga Bozaj-Hani Hotit për në thellësi të territorit shqiptar.

3 – Mund të verifikohet bërja hyrje në magazinat e ULP Mjekës të këtyre predhave serbe. Meqenëse gjatë demontimit të predhave speciale kimike, fumogjene etj sasia e eksplozivit T 4 (RDX-eksogjen) është shumë e vogël krahasuar me demontimin e predhave thërmuese tip HE të të njëjtit kalibër 120 mm, mund të konstatohet një indicie më shumë se çfarë lloj predhe mortaje serbe është demontuar në Mjekës. Për këtë mjafton të krahasohet sa lëndë plasëse del nga demontimi i të njëtit numër predhash normale dhe sa faktikisht është bërë hyrje në magazinën e fabrikës.

Nëse banda kriminale që komandonte më parë Ministrinë e Mbrojtjes ka zhdukur dokumentacionin, në regjistrat e doganave shqiptare kanë ngelur gjurmë të hyrjes së këtyre predhave serbe. Mjaftojnë dokumentimi në doganë i kësaj hyrje për t’i shkuar deri në fund kësaj afere. Më së paku kjo aferë është turp kombëtar dhe hajdutëri, më së shumti është shkelje e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë nënshkruese, deri te larg qoftë ndihmë aktive për filiale të terrorizmit ndërkombëtar.

Pas kësaj afere të municioneve kimike serbe në Mjekës as që ia vlen barra qiranë të diskutosh për kapacitete, aftësi dhe përvojë demontimi LHL-sh dhe municionesh në Shqipëri apo për aventura për asgjësim të një arsenali të stërmadh LHL-sh dhe armësh kimike si ai i Assadit të Sirisë.

Besoj se Ministrja Kodheli si antipod i ish ministrit Imami krahas pjesëmarrjes në shfaqje teatrale për emancipimin e femrave, krahas caktimit se cila gazetare do të “Inbedded” (bashkëshoqërojë) me trupat e NATO-s në manovrat në brigjet e Detit Balltik, do të ketë prioritet edhe këtë aferë. Tashmë është detyra e Ministres Kodheli dhe organeve të tjera shtetërore ta zbardhin këtë aferë, që na nxin faqen si shqiptarë dhe që i krijon vështirësi diplomatike Kryeministrit Rama në vizitën e tij të afërt në Beograd. /Zgjohu Shqiptar

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button