2012, ku çaluan financat shqiptare


Vetëm para pak ditësh kryetari i KLSH-së raportoi në komisionin e Ekonomisë mbi auditin e trëguesve fiskalë të buxhetit të vitit të kaluar, ku janë vërejtur shkeljet më të mëdha, borxhi për biznesin, mos funksioni i ISSH-së, apo informacioni i munguar nga Tatimet. Po këshu KLSH është prononcuar për 85 milionë eurot e mospagesës së garancisë nga konsorciumi fitues i privatizimit te “Albpetrol”. I quan dëm ekonomik. Pra që duhet zhdëmtuar, i duhet kthyer Shtetit shqiptar. Leskaj u shpreh në Komision se “nga ana e METE janë bërë komunikime elektronike për procesin dhe garancinë e ofertës, por edhe pas mbylljes së procedurave të privatizimit e deri më tani, nuk është arkëtuar garancia bankare në shumën 85 milionë euro, duke i shkaktuar dëm ekonomik Buxhetit të Shtetit në këtë shumë”. Dakord, por kush do t’i kërkojë kujt që të paguajë? Konsorciumi i formuar për të bërë blerjen e Albpetrol u shkri. Sipërmarrësi shqiptar prapa këtij konsorciumi është në ujra falimentimi. KLSH nuk shprehet si do të gjenden këto para, vetëm kërkon nga Ministria e Ekonomisë (METE e dikurshme) dhe Avokati i Shtetit të fuqizojnë kuadrin ligjor për të bërë të detyrueshëm pagesën e garancisë në rast se kontrata e privatizimit nuk respektohet. Po kështu pjesë e rëndësishme e këtij raporti ka të bëjë më borxhin publik. KLSH kërkon fiksimin e një tavani (pa e thënë se sa në përqindje mbi GDP-në). Por sërisht, është shumë e vështirë për shumicën e sotme, të përpiqet të disiplinojë në këtë mënyre financat publike, duke qenë se mënyra e vetme për të gjetur para është të marre borxh, pra të rrise edhe më shume borxhin e sotëm.

Privatizimi i dështuar i Albpetrol dhe si duhet të merret garancia 10 për qind
Nga auditimi i ushtruar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), me objekt: “Auditim mbi ecurinë e arkëtimit të garancisë së ofertës së paraqitur nga shoqëria “Vetro Energy PTE Ltd” për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol”sha, Patos”, KLSH ka konstauar se garancia e ofertës që duhej të tërhiqej në rastin e një kandidati fitues, kur ai nuk arrin, që brenda afatit kohor të parashikuar në dokumentat standarde të tenderit, të nënshkruajë marrëveshjen ose të dorëzojë garancinë e kontratës, të kërkuar nga marrëveshja, nuk u arrit të realizohej. Garancia e ofertës ishte 10% e çmimit total, që kandidati fitues ofroi për blerjen e aksioneve të shoqërisë “Albpetrol” sha, pra 85 milionë Euro.Duke qenë se nuk u arrit nga kandidati fitues, që brenda afatit kohor të parashikuar në dokumentat standarte të tenderit, të nënshkruhej marrëveshja, garancia e ofertës duhej të ishte arkëtuar në Buxhetin e Shtetit. Nga ana e METE janë bërë komunikime elektronike për procesin dhe garancinë e ofertës, por edhe pas mbylljes së procedurave të privatizimit e deri më tani, nuk është arkëtuar garancia bankare në shumën 85 milionë euro, ose rreth 12 miliardë lekë, duke i shkaktuar dëm ekonomik Buxhetit të Shtetit në këtë shumë. Raporti bën të qartë se arkëtimi i kësaj shume duhet të vazhdojë të ndiqet me përparësi nga të gjithë institucionet përgjegjëse shtetërore. Gjithashtu rekomandohet që METE, në bashkëpunim me Avokatin e Shtetit, të kryejnë ndërhyrjet e duhura në aktet ligjore dhe nënligjore, për të përfshirë në formularët e garancive të ofertave dhe kontratave elementë shtesë, që do ta bënin më të detyrueshëm zbatimin e garancisë së ofertës apo kontratës të nënshkruar nga kandidatët fitues, duke e detyruar subjektin përkatës të respektojë kushtet e tenderit dhe të gjitha detyrimet referuar kuadrit regullator vendas e të huaj.

Rekormandimi për borxhin publik
Borxhi publik ka ngelur pa një tavan të përcaktuar dhe kjo ka krijuar premisa për rritje të vazhdueshme të tij në periudhat në vijim. Në vijim dhe të rekomandimit të lënë prej KLSH-së në vitin 2012, i është rekomanduar Ministrisë së Financave të ngrejë një grup pune me ekspertët më të mirë të fushës, për përgatitjen dhe paraqitjen e një nisme ligjore për vendosjen në Kushtetutë dhe në Ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor” të pragut të treguesit të borxhit publik ndaj PBB-së. Në të, të parashikohet që: “Përjashtim nga ky rregull të bëjnë rastet e emergjencave, katastrofave natyrore dhe krizave ekonomike”. Në momentin e kalimit të pragut të borxhit publik kundrejt PBB-së, nga situatat e parashikuara, Qeveria duhet të marre masa për balancimin e Buxhetit. Ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor” është i ndryshueshëm me vendimmarrjen e thjeshte në Kuvend. Me synim zvogëlimin e risqeve potenciale ndaj këtij ligji themeltar për menaxhimin e financave publike, rekomandimi i ardhur nga KLSH është rekomanduar që ligji të ndryshohet vetëm me shumicë të cilësuar parlamentare.

Detyrimet ndaj sipërmarrjes private
Krahas rritjes së borxhit publik, shqetësim për ekonominë tonë përbëjnë dhe detyrimet që Buxheti i Shtetit ka kundrejt sipërmarrësve privatë. Në raportin “Për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2011”, KLSH rekomandon “saktësimin dhe shqyrtimin me realizëm të gjendjes së këtyre borxheve, si dhe përcaktimin e masave për të lehtësuar sa të jetë e mundur sipërmarrjen private nga kosto e kredive që ajo mund të ketë marrë për përmirësimin e situatës së saj financiare, nëpërmjet ndërhyrjes për ristrukturimin e kredive dhe ndërkohë mbledhjen e borxheve të këqija”. Por tej kësaj është konstatuar mos angazhim dhe një përkeqësim i situatës, si rrjedhojë e çeljes së fondeve në mënyrë pjesore, apo realizim të investimeve të reja, pa mbuluar me fonde investimet në proces. Për këtë qëllim duhet të parashikohet që në Ligjin “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2014” të ardhurat nga privatizimet duhet të përdoren së pari dhe kryesisht për të ulur borxhin publik, ku 50% të jetë kufiri i poshtëm, dhe pjesa tjetër të shkojë për uljen e detyrimeve për faturat e papaguara ndaj sipërmarrësve privatë për punët publike të realizuara. Të parashikohet që institucionet buxhetore, gjatë detajimit të fondeve të investimeve publike, të kenë detyrimin e përfshirjes në financimin e vitit “në rradhë të parë” të të gjitha investimeve të kontraktuara, apo punimeve të cilat rezultojnë të realizuara dhe nuk janë financuar për vitin ushtrimor. Nga auditimi i kryer në disa degë thesari, rezultoi se për kontratat shumëvjeçare, regjistrimi në sistem kryhet për vlerën totale dhe për vitin korrent, duke mos marrë në konsideratë afatet e realizimit të këtyre kontratave në vite dhe nevojën për financime sipas këtyre afateve.

Buxheti i shtetit të mos korrektohet gjatë vitit
Parashikimi optimist i performancës së të ardhurave buxhetore në fillim të vitit sjell pastaj korigjim të tij gjatë gjithë vitit. Sipas KLSH-së kjo situatë ka sjellë reduktimin e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, gjë që u shoqërua me efekte negative në mbajtjen e një disipline fiskale efektive. Për vitin 2012, të ardhurat buxhetore u korrektuan me rreth 23 miliardë lekë dhe shpenzimet me rreth 14 miliardë lekë. Defiçiti buxhetor u korrektua me rritje me 8 miliardë lekë. Për këtë shkak Ministria e Financave duhet të marrë masa për realizimin e proceseve të planifikimit buxhetor mbi baza realiste, duke forcuar kapacitetet planifikuese, me synim që të ndërpriten praktikat e korrektimit të buxhetit gjatë zbatimit të tij. Praktika e korrektimit është e dëmshme kudo, por veçanërisht rishikimi në ulje për institucionet kushtetuese është i papranueshëm dhe jo-ligjor, kur nuk kalon në komisionet përkatëse të Kuvendit.

Mungojnë pasqyrat financiare të Thesarit
Raporti vëren problematikën e mungesës së pasqyrave fina
nciare të konsoliduara të Shtetit, situatë që është përsëritur edhe për vitin 2012. Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, që në bazë të ligjit është përgjegjëse për raportimin financiar, nuk ka bërë të mundur hartimin e këtyre pasqyrave në përputhje me të gjitha kërkesat ligjore dhe rregullatore që lidhen me raportimin financiar. Hartimi i bilancit pasuror të shtetit, në përputhje me standartet ndërkombëtare të kontabilitetit publik është një objektiv strategjik për të cilin është parashikuar realizim gradual. KLSH duke vlerësuar si të domosdoshme pasqyrat financiare të konsoliduara të Shtetit në marrjen e një pamje të qartë të situatës financiare të Shtetit, por dhe duke njohur rëndësinë e tyre për të siguruar një qeverisje më të mirë, Ministria e Financave (Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit) të marrë masa të menjëhershme për përgatjen e pasqyrave financiare të konsoliduara të Shtetit për vitin 2012, dhe në vijim të realizohet rishikimi brenda një kohe të shkurtër i kuadrit të plotë rregullator të raportimit financiar në sektorin publik, duke mbajtur parasysh Standartet Ndërkombëtar të Kontabilitetit të Sektorit Publik, si dhe duke i dhënë rëndësinë e duhur fuqizimit të sektorit të kontabilitetit dhe raportimit financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit.

Mungesa e të ardhurave nga tatimet
Për vitin 2012, strukturat e Tatimeve mblodhën 3.2% të ardhura më pak nga viti 2011. Në kushtet kur ekonomia rritet, edhe pse në mënyrë modeste, kjo dëshmon punë të pamjaftueshme dhe jo efiçiente të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njësive të saj vartëse. KLSH konstatoi se Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, që krijon rreth 46% të të ardhurave tatimore, ka një strukturë me 140 punonjës, ndërkohë që 1,279 punonjës të tjerë realizojnë 54% të të të ardhurave tatimore, pa përmendur strukturën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me 187 punonjës. Këto shbalancime kërkojnë një ristrukturim të kujdesshëm të tatimeve, për t’i bërë ato efiçiente. Për vitin 2012, borxhi tatimor rezultoi në një nivel shumë të lartë, me rreth 70 miliardë lekë, ose 500 milionë euro, me një rritje 8% nga viti 2011. Rritja e borxhit tatimor, megjithë pakësimin e debitorëve, si pasojë e zbatimit të ligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të Borxhit Tatimor dhe Doganor”, thekson paaftësinë e administratës tatimore në mbledhjen e borxhit tatimor.

Të ardhurat e munguara nga buxheti i pushtetit vendor
Për të mundësuar dhënien e një opinioni të bazuar për zbatimin e ligjishmërisë nga njësitë e pushtetit vendor, janë audituar 40 subjekte, nga të cilat 22 bashki, 11 komuna, 2 këshilla qarqesh, 2 prefektura dhe 3 ndërmarrje në varësi të Bashkisë Tiranë. Nga auditimi ka rezultuar se, të ardhurat në total në pushtetin vendor janë realizuar me ulje 9.2 përqind nga viti 2011. Shpenzimet rezultuan në masën 101.1% kundrejt planit, dhe ne ulje me 2.8% kundrejt nje viti me pare. Kemi rekomanduar marrjen e masave urgjente nga organet e pushtetit vendor, per permiresimin e gjendjes dhe shpërblimin e demit ekonomik të konstatuar.

Sigurimet shoqërore rrisin deficitin e buxhetit
Sigurimet shoqërore sigurojnë 15% të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit. Për vitin 2012, ato grumbulluan 49,3 miliardë lekë, ose 2.8 % me pak se plani vjetor. KLSH ka konstatuar mosrealizim te të ardhurave të programuara. Për këtë qëllim është kërkuar marrja e masave të menjëhershme nga ISSH, Ministria e Financave dhe DPT dhe hartimi i një udhëzimi të Ministrit të Financave, ku të përcaktohet mënyra e raportimit dhe evidentimit të kontributeve, mënyra e raportimit të të dhënave mujore dhe progresive për detyrimet e kontributeve të papaguara në afat dhe për kamatvonesat e tyre, si dhe sanksione më të ashpra për mosdorëzim të listepagesave brenda afateve. Defiçiti i pensioneve është rritur ndjeshëm dhe vetëm për vitin 2012, zë rreth 1,5% të PBB-së.

Rekomandimet e KLSH-së

 Përgatitja e një Buxheti realist, duke shmangur praktikën e vërejtur vitet e fundit të korrigjimit të Buxhetit në gjysmën e vitit financiar;

 Vendosjen e një tavani kushtetues për borxhin publik në përqindje të PBB-së, me kusht që ai të tejkalohet vetëm në rastet e emergjencave, katastrofave natyrore, dhe krizave ekonomike.  Për borxhin e Qeverisë ndaj kontraktorëve privatë, vendosjen në Ligjin “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2014” të një neni që në të ardhurat nga privatizimet, pjesa e mbetur pas përdorimit të 50 përqind e lartë të fondeve për të ulur borxhin publik, të shkojë për uljen e detyrimeve për faturat e papaguara ndaj sipërmarrësve privatë për punët publike të realizuara. Kërkesën ndaj sistemit bankar që të mos bllokojë dhënien e kredive për kompanitë, të cilave Shteti u ka borxh;

 Vendosjen në Ligjin “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2014” të një neni që përdorimi i Fondit të Kontigjencës për ruajtjen e defiçitit buxhetor, të bëhet me miratim nga Kuvendi i Shqipërisë;

 Zvogëlimin deri në arkëtimin e plotë të vlerës së borxhit tatimor dhe doganor;

 Konsolidimin dhe mirëfunksionimin e strukturave të menaxhimit financiar, kontrollit dhe auditimit të brendshëm, në përputhje me kërkesat e legjislacionit të miratuar dhe me kërkesat e parashtruara nga BE për vendin tonë, në kuadër të Kontrollit të Brendshëm Financiar të Sektorit Publik.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button