Daçiç: Serbia nuk do të largohet kurrë nga veriu i Kosovës

Serbia nuk do ta lëshojë kurrë veriun e Kosovës, ka thënë sot kryeministri serb, Ivica Daçiç gjatë vizitës në veri të Mitrovicës.

Këto mesazhe, ai i ka drejtuar në një tubim zgjedhor të Iniciativës qytetare serbe e njohur edhe si “lista serbe”.

Bashkë me kryeministrin Daçiç, në këtë tubim kanë marrë pjesë edhe ministrat Aleksandar Vulin dhe Zorana Mihajloviç.

Pjesëmarrja e delegacionit të nivelit të lartë qeveritar serb në këtë miting, ishte shprehje e mbështetjes që Beogradi i jep “listës serbe” në zgjedhjet lokale në Kosovë, nëpër komunat ku komuniteti serb përbën shumicën.

Për shkak të incidenteve që ndodhën më 3 nëntor, votimet do të përsëriten në 3 qendra votimi në Mitrovicë. Për këtë arsye, delegacioni qeveritar nga Beogradi ka qëndruar sot në Mitrovicë ku ka ftuar serbët që të dalin të votojnë dhe të mos lejojnë, siç janë shprehur anëtarët e këtij delegacioni, që në krye të Mitrovicës veriore të vjen një shqiptar.

“Serbia nuk do ta lëshojë kurrë dhe nuk do t’i harroj kurrë serbët e veriut të Kosovës”, ka thënë Daçiç.

Më pas u ka thënë serbëve se, ata duhet ta dëgjojnë shtetin serb, në mënyrë që Serbia të mund të vazhdojë me praninë e vet në veri.

Në dallim nga gjendja e para dy javëve, tani në Mitrovicën veriore, dominojnë thirrjet për dalje në zgjedhje dhe jo ato për bojkot.

Thirrjet janë të shoqëruara edhe me mesazhin për të votuar listën serbe, e cila po mbështetet fuqishëm nga qeveria e Beogradit.

Autoritetet e atjeshme, po pretendojnë që Mitrovica e veriut të jetë qendra e re administrative serbe, ku do të vendoset edhe Asociacioni apo Bashkësia e Komunave Serbe, organ ky i dalë si rezultat i Marrëveshjes së 19 Prillit në Bruksel, në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd.

Përmes këtij organi, serbëve lokal u është premtuar një shkallë më e lartë e vetëqeverisjes lokale, ndërsa katër komunat veriore do të kenë kompetenca shtesë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button