Nëse Rama, atë fjalim (pa fjalinë e fundit) do ta mbante dy ditë më përpara

Ka një valë reflektimi në shoqërinë shqiptare; një shqetësim nëse kemi bërë atë që duhet me refuzimin ndaj SHBA-ve për të marrë pjesë në operacionin për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Nuk qahet mbi qumështin e derdhur, por thelbi i këtij debati nuk ka të bëjë me atë nëse disa që flasin tani, duhej të kishin folur përpara etj, siç kuptohet në shënimin e kolegut Nano këtu përbri apo në opinione të tjerë së fundmi. Ne kemi nevojë të kuptojmë dhe nuk ka një kohë të përshtatshme dhe një tjetër të papërshtatshme për këtë.

Nuk e them për të fyer njeri, por tensioni dhe amullia u zhvilluan në kushtet kur shumica e protestuesve nuk dinin as përgjigjen e pyetjes nëse ato që po vinin ishin predha apo bidona. Ajo që mund të dallohej disi më qartë mes rrëmujës ishte frika nga një operacion ushtarak nën mbikqyrjen amerikane për shkatërrimin e armëve kimike të Asadit në Shqipëri. Ky u konsiderua i rrezikshëm, sepse mund të ndodhnin aksidente gjatë procesit. Negociatat kishin përjashtuar një rrezik të dytë: depozitimin ose groposjen e mbetjeve në territor shqiptar pas përfundimit të procesit. Por u mor vesh më pas që këto do nxirreshin jashtë Shqipërisë, me gjasa në Francë, pra shqetësimi për rreziqe në të ardhmen nga një groposje e pakujdesshme (që në ditët e para të panikut, – e them sinqerisht, – m’u duk edhe mua një rrezik real) ishte shmangur. Mbetemi, pra tek rreziku i aksidentit gjatë procesit.

Atëherë le të logjikojmë pak: Në Shqipëri ekzistojnë mbi 30 zona të vendit ku ka edhe helme kimike. Për ti pastruar dhe asgjësuar këto helme tonat duhen rreth 600 milionë dollarë, 18 milionë dollarë për çdonjërën. Po përjashtojmë një moment rrethanat e sotme. Supozojmë se nuk ka patur asnjë ofertë “të tmerrshme” amerikane. Ta zemë se Shqipëria dikur do t’i ketë vetë këto 600 milionë dollarë dhe do vendosë të pastrojë helmet e veta kimike. Ky proces i shkatërrimit të helmeve tona në këtë të bekuar të ardhme të supozuar, a nuk do kishte rreziqe? Sigurisht që do kishte. Atëherë? Nuk do t’i pastrojmë kurrë këto helme? Do protestojme per moshkaterrimin e tyre sepse kemi frikë që nëse veprojmë mbi to mund të na ndodhë ndonjë aksident? A do kish kuptim kjo?! Sigurisht që do ishte e pakuptimtë një protestë e tillë. E pakuptimtë është pra edhe kjo e këtyre ditëve. Iu shmangëm një procesi asgjësimi helmesh kimike (dhe nën ekspertizën më të duhur ekzistuese) sepse gjatë këtij procesi… mund të ndodhin aksidente. Është njësoj si të thuash: mos provo ta kalosh rrugën sepse ka rrezik. Epo ja që rrugën duhet ta kalosh. Nuk mund të rrish gjithë ditën në trotuar nga frika.

Por Mustafai dhe të tjerë kanë plotësisht të drejtë nëse tek ata që “duhej të kishin folur më parë” fusin qeverinë. Nga disa media dëgjuam dje dhe sot që qeveria nuk mund të fliste sepse ka klauzola për sekrete ushtarake, etj. Bukur, asnjë sekret nuk kish pse të merrte udhët. Po a kish sekrete ushtarake në ato që tha Rama në fjalimin refuzues për çështjen e armëve kimike? Nuk besoj. Ajo që besoj është që nëse Edi Rama do ta mbante atë fjalim (pa fjalinë e fundit) dy ditë përpara ditës që e mbajti, gjerat mund të rridhnin ndryshe.

Kreu i qeverisë mund dhe duhej t’i thoshte më parë ato që tha atë pasdite; ta ndante më parë shqetësimin me protestuesit dhe me shqiptarët e tjerë: “Situata është kjo, jo ajo që po dëgjoni nëpër media e rrjete sociale. Le të reflektojmë, kemi dy ditë kohë t’i japim botës si Shqipëri një përgjigje etj, etj”. Njerëzit do reflektonin. Jam i bindur që edhe shumë nga protestuesit do reflektonin.

Por Rama bëri një fjalim brilant (plus një fjali të pakuptimtë) në një moment pas të cilit, asnjë efekt nuk vlente më. Ishte mesazhi i saktë, korrieri i duhur, koha e gabuar.

Heshtja apo pëshpërimat kështu e ashtu përpara atij fjalimi, lanë zonë të gjerë e të pambikqyrur veprimi për një hallakatje e një valëvitje mendjesh në kufijtë e çmendurisë. Disa nga personazhet publikë të përfshirë në këtë dalldi, meritojnë kupën e trapllikut njerëzor nëse do ekzistonte një e tillë. Dritëro Agolli, shpalli se “do vdesim të gjithë” (!); Fatos Lubonja krahasoi Ramën me Hitlerin që mbyti fëmijët me gaz, dhe kërkoi që Arvizu të shpallej non grata (!) Jozefina Topalli shkoi edhe më larg: Falsifikoi një kopertinë gazete britanike me një foto fëmijësh të vrarë në Siri, dhe titullin për Asadin: “Ata po mbysin me gaz fëmijët” e shndërroi në titull për SHBA-të: “Ata po mbysin me gaz Shqipërinë” (!). Të ze frika kur mendon që një idiote e tillë ka qenë kryetare e parlamentit të këtij vendi.

Broçkullat e tjera pa fund e bënë situatën aq të tendosur sa edhe kundërshtimi më i vogël ndaj “të zemëruarve”, kërkonte më shumë kujdes se trinjakët e lindur para kohe. Dhe ja ku jemi sot, me shqetësimin mos gabuam. Pse?

Sepse asgjëja nuk është zgjedhje. Dhe sepse nuk ka gjë në botë që na shpëton nga vetvetja.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button