Pëllumbi: Humbëm një shans që vjen vetëm një herë në 100 vjet

Ish-Kryetari i Kuvendit, Prof. Servet Pëllumbi në këtë intervistë
për gazetën ‘DITA’ komenton vendimin e për të mos pranuar demontimin e
armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. Bën edhe një krahasim të
qëndrimeve të opozitës së asaj kohe me qëndrimin e opozitës së tanishme
për çështje analoge. Historia e aeroplanëve ‘spiunë’ në aeroportin e
Gjadrit në 1995.

Profesor, si do ta komentonit një ditë më pas vendimin e Ramës për t’i thënë ‘Jo’ shkatërrimit të armëve kimike në vendin tonë?
Në radhë të parë duhet të flasim për opinionin që u krijua para
marrjes së vendimit. Kishte shumë mjegull, kishte manipulim, kishte
xhelozi politike. Thuajse të gjithë ishin të paqartë dhe të pasigurtë
për atë që do të ndodhte. Fatkeqësisht në inkurajimin e kësaj klime
antiqeveritare dhe kundër demontimit të këtyre armëve në vendin tonë u
ngritën edhe një sërë figurash publike dhe me reputacion. U ngrit edhe
Partia Demokratike, pra opozita me Berishën në krye. Por, fakti që ne u
thirrëm në një tryezë me fuqitë e mëdha për të ndihmuar në një proces me
rëndësi botërore, mendoj se ishte një shans i madh për Shqipërinë. Ne e
quajmë me të drejtë Amerikën partner strategjik, por të të quajë
Amerika, OKB-ja dhe Rusia partner strategjik është tjetër gjë. Kjo duhej
të ishte kuptuar dhe vlerësuar për momentin në të cilin ndodhemi. Për
këtë do të flitet gjatë, por një shans i tillë vjen shumë, shumë rrallë,
ndoshta një herë në 100 vjet. Mendoj se do të kishim më shumë përfitime
se sa dëme. Por, siç e thashë, gjithë ajo zallamahi që u krijua pati në
thelbin e vet moskuptime të mëdha.

Përfundimisht qeveria e Shqipërisë tha JO. A bëri mirë Rama që mori atë vendim?
Rama, nëse mund të qortohet në fillim, kur çështja e armëve kimike u
bë publike, veproi me një maturi të jashtëzakonshme sidomos në momentin e
marrjes së vendimit. Ai respektoi popullin, respektoi protestuesit. Unë
nuk i di detajet e bisedimeve që janë bërë midis Ramës dhe partnerëve
ndërkombëtarë, por po të kishte konsultime paraprake sidomos brenda
maxhorancës, si dhe një informacion më të saktë prej specialistëve
kompetentë të kësaj fushe, njerëzit do të ishin kthjelluar, do të kishte
një arsyetim më racional sidomos nga qytetarët dhe mendoj se punët mund
të kishin rrjedhur ndryshe.

Ka fitues e humbës moralë dhe politikë kjo histori?
Nëse ne të gjithë si vend dhe si komb humbëm një shans për të patur
një status special midis kombeve të tjerë ballkanikë dhe europianë,
Ramën do ta quaja ‘një i fituar i madh moral’ në sytë e popullit të vet,
të vendit të vet, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë. Ndërsa nëse do
të gjykojmë se kush është i humburi i madh në përfundim të kësaj
‘beteje’, mund të them me bindje se të humburit e mëdhenj janë Lulzim
Basha, Sali Berisha dhe opozita në tërësi. Ata u vetëdeklaruan si
antiamerikanët më të mëdhenj, morën nofkën e antiamerikanit dhe kjo
njollë vështirë se mund t’u hiqet ndonjëherë.

Sidoqoftë, protestat ishin qytetare, ishin protestat më qytetare në 23 vitet e fundit, apo jo?
Kjo është e vërtetë. Por kjo tregoi se sa shumë ka ndryshuar
Shqipëria pas 23 qershorit. Ka ndryshuar aq shumë sa dhe Sali Berisha e
Lulzim Basha nuk arritën të manipulonin dot turmat, përkundrazi ata i
përzunë nga mesi i tyre. Sjellja ishte në tërësi qytetare, si nga
protestuesit, ashtu dhe nga ana e qeverisë. Në këtë aspekt mund të themi
se kemi arritur diçka të madhe që na kishte munguar aq shumë gjatë
regjimit të Berishës, i cili i është kundërvënë brutalisht si diktator
popullit.  Është i njëjti që ka urdhëruar të përdoreshin armët kimike në
Vlorë dhe ka vrarë njerëz në Tiranë kur ata dolën në rrugë për të
protestuar. Të mos harrojmë 97-n, të mos harrojmë Gërdecin, të mos
harrojmë 21 Janarin.

Profesor, për ditë me radhë, një popull i tërë i mbajti sytë nga
Rama, për vendimin që do të merrte ai lidhur me armët kimike. A është e
drejtë që sytë të mbahen vetëm te një njeri për vendime kaq të
rëndësishme, qoftë ky Kryeministër apo President?

Shiko, unë e thashë pak më sipër, Rama kishte deklaruar se nuk do të
merrte asnjë vendim pa u konsultuar dhe pa miratimin e Kuvendit. Për
shkak të protestave popullore ai mori vendimin tjetër, i tha ’jo’ armëve
kimike. Mendoj se veproi shumë drejt. Nëse bëjmë një krahasim me
Berishën kur ai ishte në pushtet, kemi një sjellje krejt të kundërt.
Botoni çfarë ka ndodhur në prill 1995 dhe kuptohet lehtë. Është mjaft
domethënëse për të kuptuar dallimin e madh midis nesh dhe Berishës:

Gjithsesi, pasi Rama i tha ‘jo’ demontimit të armëve kimike në
vendin tonë, Berisha kërkoi dorëheqjen e Ramës. Si do ta komentonit këtë
qëndrim të Berishës?

Berisha është njëlloj regresist si në pushtet dhe në opozitë. Dhe
PD-në tashmë në opozitë e drejton ai dhe jo Basha. Berisha i sotëm me
partinë e tij nuk i la kohë Ramës të shprehet në parlament. Vetëm ai
njeri nuk ka gojë të kërkojë dorëheqjen e Ramës. Unë mendoj se Berisha
po shkon drejt asfiksisë së plotë.  Nuk po e kalon dot traumën nga
humbja e pallogaritshme që pësoi në 23 qershor të këtij viti dhe me sa
shohim e tmerron fakti që Rama ka shumë shanse në dorë për t’i bërë mirë
vendit dhe popullit, ka një qasje më moderne, më bashkëkohore dhe
demokratike me situatat, me qytetarët, me të ardhmen e vendit.

Gjithsesi, ne e humbëm një shans..
E humbëm, por nuk e kemi humbur perspektivën. Deklarata e Shteteve të
Bashkuara pas këtij vendimi për armët kimike ishte mjaft domethënës.

* * *
Kur Berisha nuk pyeste askënd për bazat ushtarake dhe aeroportet në 1995
Nga Xhevdet Shehu
Ish-korrespodent i Zërit të Amerikës
Në pranverë të ’95-ës mbërritën në aeroportin e Gjadrit në Lezhë disa
aeroplanë zbulues, prania e të cilëve ngjalli menjëherë polemika në
qarqet politike dhe opinionin shqiptar.
… Ora duhej të ishte rreth 4 e mëngjesit, kur ra telefoni.
Përgjumshëm ngrita receptorin, duke menduar se ç’ka ngjarë. Telefonatat e
natës janë gjithmonë të frikshme.
Në receptor dëgjova zërin e njohur të Isabela Islamit, zëvendësshefes
së VOA-s, e cila, pasi më kërkoi falje për këtë zgjim të papritur, tha
se ishte e detyruar të më telefonote. Pastaj më sqaroi se sapo i kishte
mbërritur në zyrë lajmi se në Shqipëri janë instaluar dy a më shumë
aeroplanë Predator (që do të thotë grabitqar, por që menjëherë në shtypin e Tiranës u shqipërua spiun).
Sekretin e kishte zbuluar një kanal televiziv privat në Amerikë dhe …
lajmi nuk përbënte më “sekret”. Duhej një konfirmim zyrtar nga
autoritetet e Tiranës për të përgatitur diçka për programin e orës
shtatë të mëngjesit.
Po vrisja mendjen se kujt t’i drejtohesha për informacionin që më
duhej. Përveç ministrit të Mbrojtjes, nuk besoj të guxojë tjetër njeri
të hapë gojën për këtë ngjarje, mendova, nisur edhe nga rastet e
mëparshme të ngjashme.
Ndonjë orë më vonë i telefonova ministrit në shtëpi. Zhulali po
flinte. Megjithatë, ashtu përgjumshëm, më dëgjoi me vëmendje, por edhe
me habi për informacionin që po i kërkoja.
– Është e vërtetë, tha si padashur ai, por unë nuk mund ta konfirmoj
zyrtarisht tani, sepse kemi vendosur që nga dreka të bëjmë një zëdhënie…
Por mua, si zakonisht, nuk më priste puna. Rashë ngushtë, megjithëse
atë që më duhej, konfirmimin, unë e kisha marrë nga Zhulali. Pas pak
arritëm në një kompromis: unë do ta jepja lajmin, por pa zbuluar
burimin, domethënë ministrin, sipas një klisheje që detyrohesha ta
përdorja herë pas here.
Në kronikën që përgatita shkruajta: “Lajmin për mbërritjen e aeroplanëve vëzhgues amerikanë pa pilotë në Shqipëri e pohoi para pak çastesh për Zërin e Amerikës një funksionar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili nuk desh të identifikohej. Ai
la të nënkuptohej se ky mision i aeroplanëve amerikanë, i pari i këtij
lloji në Shqipëri, do të kryhet në kuadrin e Partneritetit për Paqe me
NATO-n si dhe të Memorandumit dypalësh midis ushtrisë shqiptare dhe asaj
të SHBA, të nënshkruar afro dy vjet më parë. Funksionari i lartë i
Ministrisë së Mbrojtjes tha se aeroplanët vëzhgues amerikanë mbërrijnë
në një moment të thellimit të krizës në Bosnjë-Hercegovinë dhe të
rrezikut të dukshëm të përhapjes së konfliktit të armatosur në jug të
rajonit…”

Deklarata e PS në 20 prill 1995 për vendimin e Berishës
Në një konferencë shtypi si një nga udhëheqësit kryesorë të opozitës
së asaj kohe (pasi kryetari Nano ishte futur në burg), Servet Pëllumbi
do deklaronte:
 “Nga sa jemi informuar deri tani, Presidenti i Republikës z.
Berisha, gjatë vizitës në Uashington, vizitë të cilën e kemi parë dhe e
shohim me interes, ka premtuar vënien në dispozicion të amerikanëve dhe
të NATO-s të një numri bazash ushtarake në vendin tonë. Kjo ka qenë nga
sensacionet e kësaj vizite që, me të drejtë ka ngjallur diskutime brenda
dhe jashtë vendit. Me këtë rast do të nënvizoja dy aspekte të lidhur
ngushtë me njëri-tjetrin. Njëri aspekt është politik e parimor, që
lidhet me konceptin e sigurimit të vendit tonë, të cilin ne e shohim në
rrafshin e sigurimit kolektiv euroatlantik. Të gjitha forcat politike,
pavarësisht nga dallimet programore, nga qenia në pushtet apo në
opozitë, duhet të ketë një qëndrim të njëjtë për këtë çështje me interes
kombëtar. Ka dhe një aspekt të dytë, më konkret, më praktik, që lidhet
me marrëveshjet për sigurimin kolektiv dhe marrjen e masave për
mbrojtjen e vendit. Në këtë fushë janë ndërmarrë një varg hapash
konkretë. Ne si opozitë, kemi mbështetur çdo hap për zgjerimin e
nocionit të sigurimit kolektiv dhe të krijimit të atmosferës së
mirëkuptimit në shkallë evropiane dhe transatlantike, duke filluar me
bashkëpunimin me NATO-n, Partneritetin për Paqe, me Memorandumin e
Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë me atë të SHBA-ve
etj. Në një rajon të trazuar, siçështë rajoni ynë, këto marrëveshje kanë
patur e kanë një theks të veçantë e me vlera mbarëkombëtare. Por ne
mendojmë se, në këtë rrafsh, Qeveria Meksi dhe vetë Presidenti i
Republikës i kanë lejuar vetes, së pari, një mungesë të theksuar
transparence dhe evitim gati tërësor të kontrollit efektiv, civil e
parlamentar; Së dyti, trajtimin e marrëveshjeve ushtarake, deri dhe të
stërvitjeve të përbashkëta shqiptaro-amerikane, si çështje të PD-së, apo
edhe më ngushtë, si “çështje Zhulali”! Dhe, së treti, mënjanimin e
Kuvendit, që ka të drejtën sovrane të shprehet për dhënie bazash
ushtarake, apo për çdo marrëveshje tjetër me karakter ushtarak që ka të
bëjë me sovranitetin dhe me mbrojtjen e vendit. Në këtë kuptim askujt,
pra as Presidentit të Republikës, nuk i lejohet që të përdorë jo më
Shqipërinë, por asnjë pjesë  sado të vogël të territorit të saj, si
kartë besueshmërie, favoresh personale apo të një force politike të
caktuar. Vënia mbi baza ligjore e marrëveshjeve të tilla, jo vetëm që do
të shpërndante çdo farë dyshimi brenda dhe jashtë vendit, por do t’i
bënte ato edhe më të qëndrueshme… Kjo është arsyeja pse ne si opozitë
kemi patur dhe kemi objeksionet tona për këtë çështje. Por është për të
ardhur keq që jemi etiketuar si destruktivë, madje edhe si anti-NATO dhe
anti-SHBA etj. Një mungesë e tillë serioziteti, për të mos thënë më
tepër, nuk ndihmon, por e dëmton dëshirën e vendit tonë për ta parë
sigurimin e vet të lidhur ngushtë me atë euroatlantik. Po ashtu dhe me
imazhin e Shqipërisë në Ballkan. Njerëzit dinë plot fakte nga vende të
tjera demokratike që, edhe leja për të kaluar një repart, sado i vogël
ushtarak, përmes territorit të një vendi sovran, merret në Parlament. E
jo më kur bëhet fjalë për baza ushtarake, për implikime në rajone ku
luftohet prej vitesh etj. Pra ne nuk paragjykojmë marrëveshjet ushtarake
dhe as dhënien e bazave, nëse një gjë e tillë duhet dhe i shërben
sigurimit të vendit tonë, por kemi mendimin se, para se ato të
premtohen, Presidenti më parë duhet të flasë me popullin e vet, të ketë
miratimin e tij, miratimin e Kuvendit. Kjo do të ishte interes edhe të
partnerëve tanë, të qëndrueshmërisë e stabilitetit në rajon. Parë me
këtë sy deklarata e fundit e Berishës është e nxituar dhe e
papërgjegjshme. Vendi ynë ka për zot popullin. Berisha është vetëm
nëpunësi numër një i shtetit”.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button