Armët kimike, plani kërcënonte pronat e Damir Fazlliç

TIRANE- Opozita shqiptare, ose, më mirë, kreu real i saj, kanë patur, ndër të tjera, edhe një arsye të fuqishme – aspak politike – për të dalë me qendrimin “Jo” për hyrjen e armëve kimike siriane në Shqipëri. Kjo ka të bëjë me afërsinë që ka baza ushtarake, e piketuar nga ana e amerikanëve për të kryer demontimin e tyre, me toka, tashmë të blera nga biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç, lidhjet e të cilit me shumë fije me familjen Berisha nuk janë më sekret për askënd. Aty ku mbaron territori i kësaj baze ushtarako-detare, fillojnë tokat që janë blerë nga Fazlliçi disa vjet më parë. Në rast se do të bëhej botërisht e ditur që, ngjitur me pronat e tij, ndodhej arsenali i armëve kimike vdekjeprurëse të Assadit, kjo do të ndikonte edhe psikologjikisht që investitorë aktualë e të mundshëm të largoheshin nga investimet e tyre, që tashmë janë kryer apo do të kryheshin në këtë rajon, ku Fazlliçi ka blerë të paktën 50 hektarë. Kjo do të cenonte interesat e familjes së ish-kryeministrit, që del sërish në skenë edhe këtë herë si kreu real i opozitës shqiptare.

Trojet
Që me ardhjen në pushtet të Berishës, Fazlliçi doli në skenë si një biznesmen i huaj që gëzonte një status të veçantë, tepër të favorizuar nga qeveria e djathtë. Më parë, Argita Malltezi, e bija e Berishës, tentoi t’ia shiste trojet në Porto Romano e përtej tij biznesmenit pakistanez Zanfar Ansar, për t’i përdorur për një terminal të nënprodukteve të naftës, kundrejt një “pagese avokatie” prej 3 milionë eurosh. Kur ky refuzoi, trualli u ble nga kompania “Croën Acquisitions” e Fazlliçit. Fjala është për 80 mijë metra katrorë tokë, që vajza e Kryeministrit Berisha i ka shitur kompanisë “Croën Acquisitions” të Fazlliçit në dy pjesë: një prej 25 mijë metra katrorë dhe një tjetër prej 55 mijë metra katrorë. Terminali do të shërbente për çdo gjë: naftë, benzinë, gaz, karburant për avionë, ndërsa në funksion të tij pritej të ngrihet edhe një infrastruktrukturë e plotë, me rrugë dhe linjë të re hekurudhore.

Privatizimet
Jo rastësisht, një nga objektet ushtarake që dolën në privatizim, megjithë rëndësinë e jashtëzakonshme të tij strategjike, ishte baza ushtarako-detare e Bisht-Pallës. Në vitin 2012, ka qenë deputeti socialist Taulant Balla, që zbuloi para opinionit se në kepin e Bishtit të Pallës po shiteshin mijëra meta katrore, që përshinin jo vetëm atë, por edhe prona të tjera të ushtrisë në Porto Romano dhe në Maminas. Pra, Fazlliçi dhe familja Berisha i kishin vënë syrin gjithë zonës dhe ministri Imami ua plotësoi dëshirën për t’i nxjerrë në privatizim.

Bllokimi
Por, rotacioni në krye të qeverisë ndryshoi gjithshka. Banorët e zonës bëjnë me dije se vlera e tokës ka pësuar ulje të ndjeshme në krahasim me 10 vjet të shkuara, kur nisi ndërtimi i parkut energjitik dhe portit të karburanteve në veri të Durrësit, shumë pranë Bisht-Pallës, pasi investitorët janë tërhequr, duke parashikuar një të ardhme jo shumë të mirë për trojet e blera nga Fazlliçi e Berishët.
Për më tepër, perspektiva e tyre do të ishte krejt e zezë, në rast se në Bisht-Pallë do të demontoheshin armët kimike.

Zbulimi
Ka qenë një njoftim i botuar nga Shqiptarja.com, i cili për herë të parë hodhi dritë mbi planin e administratës amerikane për të përdorur Bisht-Pallën për demontim. Këtë njoftim, besohet se Berisha e dinte më parë. Nga ky moment, atij, familjes dhe mikut të përbashkët Damir Fazlliç iu është shtuar një motiv tjetër për të nxitur opozitarët që të dalin e të thonë “Jo” për plehrat, madje duke dalë edhe kundër interesave të SHBA, gjë që, në një moment si ky Berisha nuk do të kishte bërë kurrë më parë. Por, interesat ekonomike të kreut real të opozitës shqiptare janë një thelë tepër e madhe në lojë dhe për ato është treguar i gatshëm të ulet ne shesh përballë Kryeministrisë, megjithë rrezikun se ndokush do të kujtohej se në atë vend ishte ndodhur një nga katër të vrarët e 21 Janarit 2011, që ai, me gjakftohtësi, dha urdhër nga prapa perdeve të zyrës kryeministrore që të qëllohej pa mëshirë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button