Kompania Belle Air shpall pezullimin e fluturimeve

Kompania shqiptare e fluturimeve Belle Air, më e madhja në vend, shpall pezullimin pa afat të të gjitha fluturimeve ndërkombëtare. Kompania konfirmoi lajmin për noa.al dhe njoftoi pak minuta më parë se ka disa arsye që vendosi të marrë këtë hap.

Ndiqni më poshtë komunikimin e plotë zyrtar nga Bellair:

“Pas tetë vjet operimesh të suksesshme nga Shqipëria drejt destinacioneve Evropiane dhe anasjelltas, kompania Belle Air është detyruar të pezullojë përkohësisht fluturimet e saj. Të ndodhur përballë një situate tejet të vështirë e kemi të pamundur për të vazhduar fluturimet. Arsyet që na çuan në këtë pezullimim janë situata e përgjithshme ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, reçesioni në tregjet kryesore ku operojmë, si edhe bllokimi prej mëse 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të kompanisë Belle Air”.

Belle Air ristrukturohet?

Gjatë kësaj periudhe kompania Belle Air deklaron se do të rinisë një proçes ristrukturimi për t’u rikthyer së shpejti me shërbime dhe çmime më të lira në tregun shqiptar. Në këtë proçes kompania Belle Air thotë se “fton të gjithë investitorët shqiptarë e të huaj të marrin pjesë për ripërtëritjen e kësaj historie suksesi të biznesit shqiptar”.

Mbrojtja e pasagjerëve dhe rimbursimi i biletave

Me ndihmën e kompanisë ajrore italiane Blue Panorama, Belle Air thotë se ofron mundësinë e mbrojtjes nëpërmjet blerjes së biletës me një çmim tarife mbrojtje të gjithë pasagjerëve me bileta Belle Air, duke filluar nga e hëna 25.11.2013 nën markën Low Cost Blu Express të kompanisë Blue Panorama Airlines nga Tirana drejt Italisë dhe anasjelltas, ofertë që varet nga sasia e vendeve të mbetura në shitje dhe destinacioni i përzgjedhur. Për të vazhduar procedurat, kompania fton të interesuarit të telefonojnë në +355 42 390 111.

Sakaq, të gjithë pasagjerët qe kanë prerë bileta nëpermjet kartës së kreditit dhe që kërkojnë rimbursimin e biletave, duhet të kontaktojnë me bankat që kanë lëshuar këto karta krediti dhe të paraqesin kërkesën së bashku me referencat e biletës.

Per të vazhduar proçedura të tjera rimbursimesh, konmpania jep edhe kontaktin tjetër: +355 42 390 390.

Nga ana tjetër, të gjithë klientët Belle Air dhe kushdo që dëshiron të blejë një biletë nga Tirana drejt Bergamos (Orio Al Serio), Bolonjës, Milano Malpensa, Romë Fiumicino, Pizës, Venecias dhe Veronës dhe anasjelltas, mund të telefonojnë në qendrën e kontaktit Blue Express të Blue Panoroma Airlines +39 06 959 86666 ose të vizitojnë faqet web: www.blu-express.com, www.blue-panorama.com.

“Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimet e krijuara nga ky pezullim i përkohshëm dhe gjithashtu ju falënderojmë për besimin tuaj ndaj kompanisë sonë ndër vite. Kjo është një ditë e trishtuar për ju pasagjerë dhe për të gjithë stafin Belle Air”, – thuhet në njoftimin zyrtar të Belle Air.

Rreth Kompanisë Belle Air

Belle Air është një shoqëri tregtare me kapital tërësisht shqiptar, e krijuar në vijimësi të një nisme biznesi familjar prej vitit 1992, e cila, thotë se “në mënyrë modeste e me përkushtim, ka ndërtuar dhe zhvilluar një kompani ajrore të suksesshme duke filluar nga viti 2005 deri më sot”.

“Misioni ynë është të krijojë linja të rregullta ajrore ndërmjet Shqipërisë dhe destinacioneve europiane, duke u bërë kompania më e preferuar nëpërmjet ofrimit të mundësive të udhëtimit për të gjithë grupet shoqërore e të gjitha moshat, emigrantë e turistë, të punësuar e biznesmenë, shqiptarë e të huaj si dhe rritjes së transportit ajror me standartet më të larta të Cilësisë e të Sigurisë ajrore”, – thuhet në një njoftim të gjatë që kompania lëshoi për mediat mbrëmjen e së dielës.

“Kemi arritur ta realizojmë misionin tonë duke ofruar 24 linja të rregullta ajrore nga aeroporti i Tiranës, – vijon deklarata për shtyp, – duke vënë në dispozicion 7 avionë të gjeneratës së fundit. Kemi transportuar në këto linja mbi 830 mijë pasagjerë në vit, duke konkurruar suksesshëm mes 12 kompanive te tjera ajrore në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, si Austrian Airlines, Alitalia, Air One, British Airways, Lufthansa, Turkish Airlines, Olympic Air, Jetairfly etj.”.

Belle Air thotë se është një faktor i rëndësishëm social dhe ekonomik në Shqipëri.

Renditur midis 10 bizneseve më të mira shqiptare, aktiviteti i Belle Air ndikon në mënyrë direkte dhe indirekte në rritjen e PBB, duke sjellë një efekt zinxhir në aktivitetet ekonomike të lidhura me aktivitetin e Belle Air.

Në një xhiro vjetore mbi 100 milionë euro, mbi 90% e shpenzimeve vjetore të kompanisë i përkasin zërave të: shpenzimeve të pagave dhe kontributeve shoqërore, shërbimeve dhe taksave aeroportuale, taksave të pasagjerëve, shpenzimeve për karburant, qerave operacionale e financiare dhe zërave të mirëmbajtjes së flotës, te cilat garantojnë sigurinë e vazhdueshme dhe përputhshmërinë me standardet e enteve rregullatore europiane dhe vendase.

Mbi 70% e këtyre shërbimeve dhe pagesave kryhen brenda Shqipërisë duke patur ndikim direkt mbi të ardhurat e buxhetit të shtetit nga taksat, mbi të ardhurat e Aeroportit Nënë Tereza, mbi të ardhurat e qindra agjencive që operojnë për Belle Air si dhe mbi shumë aktivitete dhe biznese të tjera të ndërlidhura.

Belle Air ka punësuar në Shqipëri rreth 400 punonjës, ku 85% është staf shqiptar, i motivuar e cilësor e faktor kyç për zhvillimin e mëtejshëm të kompanisë.

“Ne investojmë vazhdimisht për trajnimin dhe kualifikimin e tyre duke synuar gjithashtu krijimin e një brezi profesionistësh në industrinë e aviacionit civil, të munguar gjatë dekadave të shkuara. Ne aplikojmë një politikë të ndershme dhe transparente punësimi dhe promovimi të stafit e cila nuk diskriminon asnjë përkatësi etnike, fetare apo politike”, – thekson kompania.

Precedenti i Swissair

Data 2 Tetor 2001 e gjeti kompaninë me një rritje të ndjeshme të nevojës për likuiditet ndërsa të gjithë furnitorët insistuan në pagesa cash për fatura të lëshuara prej tyre, kërkesë e cila ishte pasojë e njoftimit që kishin marrë një ditë më parë për vonesa të pritshme në pagesa.

Rezervat e parasë të Swissair mjaftonin për të kryer vetëm fluturimet e para të mëngjesit. Gjatë mëngjesit, furnitorët e karburantit refuzuan furnizimit e avionëve me karburant.

Bankat refuzuan rritje të kredisë. Në orën 15:45, Mario Corti, CEO lajmëroi ndërprerjen e operimeve për arsye të rritjes së rrezikut të sigurisë shkaktuar nga shkelja e Rregullores për Detyrën e Fluturimit. Kjo çoi në lënien në tokë të mijëra pasagjereve nëpër botë përfshirë dhe ekuipazhet e fluturimeve. Karta e kreditit e kompanisë së tyre u bllokua nga bankat, hotelet I përzunë dhe ekuipazhet duhet të ktheheshin në shtëpi me burimet personale financiare. Si rrjedhojë, edhe biletat e shitura u anuluan.

Në datën 5 Tetor, fluturimet ri-filluan në shumicën e destinacioneve falë një kredie mbi 450 Milionë Franga Zvicerane nga fondi federal i emergjencave. Kjo ndodhi pjesërisht që të siguronte promovimin e Zvicrës si një vend i rëndësishëm për biznesin dhe të garantonte bazën për krijimin e kompanisë se re Swiss. Parandalimi i kolapsit total të Swissair evitoi kolapsin e grupit të furnitorëve apo bizneseve të tjera të lidhura apo që vareshin nga kjo kompani.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button