Nga taksat tek Lazarati, 20 pyetjet e Blushit për qeverinë ‘Rama’

Fejzi Braushi
Jo vetëm opozita mendon se qeveria tashmë duhet të tregojë se ç’do bëjë për të ardhmen dhe jo të merret me të Blushi-Benshkuarën. Edhe një prej figurave kryesore të socialistëve, deputeti Ben Blushi ka të njëjtat kritika sa i përket asaj që ka ofruar dhe bërë deri më tani qeveria e majtë, duke evidentuar se shqiptarët presin prej saj të dëgjojnë se si do t’i zgjidhë problemet dhe jo vetëm të ankohet se sa keq e ka lënë qeverisja e djathtë vendin. Duke marrë shkas nga debati mazhorancë-opozitë lidhur me buxhetin faktik të vitit 2012 dje në Kuvend, Blushi në mënyrë fare të hapur ka kritikuar qeverinë për sjelljen e saj ndaj situatës kryesisht ekonomike në vend. “Ajo që dihet, u tha sot nga të gjithë ministrat dhe u tha në mënyrë të shkëlqyer se sa keq është qeverisur në të gjithë sektorët që ata mbulojnë. Unë them se me miratimin e buxhetit faktik 2012, sot ishte mundësia e fundit që ne themi sa keq ka qeverisur opozita. Pas kësaj dite, të gjithë duam të dëgjojmë se çfarë do bëjmë ne. Ne nuk mund të bëjmë mirë në rast se tregojmë vetëm sa keq ka qenë para nesh. Ka qenë shumë keq, por duhet t’u japim mundësinë shqiptarëve që të besojnë tek ne, të besojnë se kjo shumicë do jetë pak më e mirë”, – tha Blushi në fjalën e tij, që ishte shumë e ndryshme nga ajo e kolegëve të tjerë të mazhorancës. Më tej ai ka renditur një sërë pyetjesh të drejtpërdrejta se çfarë është duke bërë qeveria për një nga premtimet e mëdha elektorale, duke filluar që nga borxhi, ulja e taksave, investimet, shëndetësia, arsimi apo edhe rendi. Duke u ndalur te borxhi i jashtëm, ai i ka kujtuar qeverisë se ndërsa kishte kritikuar kur kishte qenë në opozitë rritjen e borxhit, sot ajo e ka çuar atë vetë në mbi 70 %. Ndaj ai ka pyetur se çfarë do bëhet në vazhdim me këtë çështje. “Ne erdhëm në pushtet dhe, detyruar edhe nga konteksti ekonomik i pafavorshëm, e çuam borxhin në mbi 70 %, duke marrë para disa javësh 230 milionë euro borxh. Ne kemi kundërshtuar kur ishim në opozitë detyrimin për të marrë borxh dhe jemi zotuar se do ta reduktojmë borxhin sapo të vinim në pushtet. Pyetja që kam sot është: çfarë do bëjmë ne, çfarë do të bëjmë ne pas kësaj?”. Një pyetje tjetër ka shtruar Blushi ndaj qeverisë edhe për uljen e deficitit buxhetor dhe vendosjen e taksës progresive. Ai u ka kujtuar ministrave se është koha t’iu thonë shqiptarëve a do ta zbatojnë këtë taksë dhe nëse po, a do zbatohet edhe ajo mbi kapitalin dhe fitimin. “A do kemi pas një viti deficit më të ulët buxhetor? A do ndryshojë sjellje administrata tatimore dhe ajo doganore? A do marrim ne më pak borxh në të ardhmen? A do aplikojmë taksën progresive jo vetëm mbi sistemin e pagave por edhe mbi kapitalin dhe konsumin? Çfarë do tatojmë ne më shumë; punën, kapitalin, konsumin, apo të tria bashkë? A do të tatojmë më shumë të varfrit apo të pasurit? A do të tatojmë më shumë ushqimet apo makinat, më shumë makineritë apo librat, bujqësinë apo energjinë, prodhimin apo industrinë? A do ia lehtësojmë ne barrën ndonjë çik bujqve, a do e heqim TVSH-në mbi imputet bujqësore, siç kemi premtuar? A do heqim akcizën e naftës për bujqësinë?, – u shpreh Blushi. Një tjetër shqetësim i tij ishte dhe ai që kishte të bënte me sistemin e shëndetësisë, duke sjellë në vëmendje të qeverisë premtimin e saj për shëndetësinë falas. ”Pyetja që ju bëra për ne që kemi fituar zgjedhjet është, a do shkojmë ne drejt shëndetësisë falas? A do kenë spitalet tona më pak korrupsion dhe më shumë kujdes për pacientët? A do ta heqim apo jo TVSH-në për barnat, siç kemi premtuar?” – tha më tej Blushi. Një tjetër pyetje që ai shtroi kishte të bënte edhe me sistemin arsimor, duke i kërkuar qeverisë që të marrë guximin dhe t’u thotë prindërve dhe fëmijëve se cilat janë shkollat të cilave u vlejnë diplomat dhe cilat jo. “Çfarë po bëjmë ne, a do ta ndryshojmë ne sistemin arsimor të Shqipërisë? A do kenë shkollat tona më shumë cilësi? A do luftohet korrupsioni në arsim? Çfarë do bëhet me universitetet tona private dhe publike? A do ketë guxim shteti në fund të fundit t’u thotë prindërve dhe fëmijëve se në cilat shkollat private nuk duhet t’i çojnë fëmijët, se diplomat e tyre nuk vlejnë? Kjo është çështja”, – theksoi Blushi. Një tjetër fushë për të cilën ai ka shtruar pyetje direkte ka qenë dhe ajo e rendit. Ai i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, i cili ndodhej në sallë, të bënte të ditur se kur policia do futet në Lazarat për t’i dhënë fund asaj që ai e konsideroi si ‘parajsa e drogës’. “A do ta vendosim ne rendin për 300 ditë, siç kemi premtuar? A do ndërhyjmë në Lazarat, zoti ministër, se nuk ka ditë që nuk shkruhet në çdo gazetë të botës për këtë parajsë magjike të drogës në mes të Shqipërisë, që rëndon çdo ditë besueshmërinë tonë? Unë besoj se nuk ka mundësi të ketë reforma në Shqipëri për sa kohë nuk ndërhyhet në Lazarat. Çdo reformë për të vendosur sistemin ligjor është e kompromentuar në qoftë se vazhdojmë të bëjmë sikur nuk e shohim në mes të Shqipërisë një ishull droge”, – tha Blushi duke i kërkuar qeverisë “që të shohë më shumë përpara sesa prapa, të marrë më shumë vendime, të flasë më pak dhe natyrisht, të veprojë më shumë se të tregojë”.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button