Ja çfarë përfiton Shqipëria nga statusi

Zëdhënësi i komisionerit Stefan Fyle, Peter Stano deklaroi në një intervistë për ATSH-në, se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e vendosura nga BE-ja për të marrë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor. 
“Shqipëria ka përmbushur kushtet që kanë të bëjnë me marrjen e statusit të vendit kandidat. Po kështu, zgjedhjet parlamentare u zhvilluan me sukses dhe kalimi i pushtetit pas zgjedhjeve u realizua në mënyrë konstruktive.
Kjo ka bërë që Komisioni Evropian, në Paketën e tij të Zgjerimit të publikuar në muajin tetor, t’u rekomandonte shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, tha Stano gjatë intervistës. Ai vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria e re shqiptare, të cilat i cilësoi si inkurajuese.
I pyetur nëse marrja e statusit nënkupton edhe nisjen e negociatave për anëtarësimin e plotë në BE, Stano tha se këto dy procese janë të ndara dhe se integrimi do të varet nga një seri reformash të tjera.
Intervista

Sa shanse ka Shqipëria që të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat në BE?

Në vitin 2013, Shqipëria ka përmbushur kushtet që kanë të bëjnë me marrjen e statusit të vendit kandidat. Po kështu, zgjedhjet parlamentare u zhvilluan me sukses dhe kalimi i pushtetit pas zgjedhjeve u realizua në mënyrë konstruktive.
Kjo ka bërë që Komisioni Evropian, në Paketën e tij të Zgjerimit të publikuar në muajin tetor, t’u rekomandonte shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Veç kësaj, reformat e ndërmarra që prej ardhjes në pushtet të qeverisë së re janë inkurajuese.
Ne gjykojmë se marrja e statusit të vendit kandidat është i mundshëm, por megjithatë vendimi përfundimtar u takon vendeve anëtare. Në të njëjtën kohë ne vazhdojmë t’u theksojmë homologëve tanë shqiptarë rëndësinë e vazhdimit të përmbushjes së reformave, që kanë të bëjnë me integrimin Evropian.
 Çfarë përfitimesh ka Shqipëria nëse i jepet statusi i vendit kandidat këtë fund viti?

Në Strategjinë e tij të Zgjerimit për vitin 2013, Komisioni Evropian parashtron edhe udhëzime të qarta lidhur me atë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria para se të mund të rekomandohet hapja e negociatave të anëtarësimit. Komisioni e ka bërë këtë përmes përcaktimit të pesë prioriteteve kyçe, që përfshijnë reforma në administratën publike dhe në drejtësi, forcimi i përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe konsolidimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshi edhe të drejtat e komunitetit rom, përmirësimi i politikave kundër diskriminimit dhe konsolidimi i të drejtpës mbi pronën.
Marrja e statusit të vendit kandidat do të jetë një hap më shumë, që e çon Shqipërinë më pranë Bashkimit Evropian.  Përveç kësaj ne jemi të bindur që marrja e statusit do të nxisë më tej Shqipërinë për të vazhduar procesin e reformave të integrimit Evropian.
Progresi në zbatimin e këtyre reformave do të sillte përfitime të menjëhershme për qytetarët shqiptarë. Ndër përfitimet që do të vinin nga marrja e statusit mund të përmendnim përmirësimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, menaxhim të shëndoshë financiar, mbrojtje sociale, siguri ushqimore, mbrojtje të mjedisit, e shumë përfitime të tjera, që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë.
 Si po vijon plotësimi i 5 prioriteteve që i vuri KE Shqipërisë në progres raportin e 16 tetorit, pas raportimit edhe të ministrave shqiptarë në Bruksel?

Vizita e tre ministrave konfirmoi angazhimin e qeverisë, siç u demonstrua edhe gjatë Dialogut të Nivelit të Lartë të nisur nga Komisioneri Fyle më 12 nëntor, për të përmbushur pesë prioritetet kyçe nën frymën e gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit me opozitën, që është një element thelbësor për suksesin e reformave të rëndësishme të nevojshme.
Veç kësaj, ministrat paraqitën zhvillime inkurajuese në fusha të tilla si sundimi i ligjit, kryesisht sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke konfirmuar se reformat po shkojnë në drejtimin e duhur. Siç ka theksuar Komisioneri Fyle, “vizita e ministrave është një sinjal tjetër i qartë i angazhimit të Shqipërisë ndaj reformave dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Pas diskutimit me ta, unë jam i bindur që Shqipëria po ndërmerr hapa vendimtar drejt forcimit të funksionimit të institucioneve demokratike dhe ndërmarrjen e reformave të gjithanshme”.
 A mund te përkojë dhënia e statusit kandidat për Shqipërinë me hapjen e negociatave për anëtarësim? Nëse jo, kur pritet që të hapen negociatat për anëtarësimin në BE, dhe cilat kushte duhet të plotësohen që të hapen këto negociata?

Jo. Këshilli mund të vendosë që t’i akordojë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE këtë vit, sikurse ka propozuar Komisioni Evropian. Megjithatë, Shqipërisë ende i duhet të zbatojë një seri reformash të rëndësishme, siç përcaktohen në pesë prioritetet, përpara se Komisioni të mundet të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Nuk është e mundur që të përcaktojmë një datë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Procesi i zgjerimit të BE-së bazohet në merita dhe vendet aspiruese avancojnë në procesin e integrimit në varësi të përmbushjes prej tyre të kritereve të anëtarësimit që janë përmendur më sipër. 

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
loading...
Back to top button