Stadiumi ri kushton 130 milionë euro

Pas një procedure disavjeçare, orvatjesh e burokracish, në zyrën e Drejtorisë së Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” kanë mbërritur ofertat konkrete të tre kompanive, të cilat kanë shfaqur interesin nga 13 të kontaktuara, për të ndërtuar me koncesion stadiumin e ri.

Mes tyre ajo që është më kryesorja dhe me sa duket më e përshtatshmja është kompania franceze ‘Bouygues’, e dyta në Europë për sa i përket ndërtimeve në përgjithësi, por edhe me shumë eksperiencë edhe në fushën e ndërtimit të stadiumeve. Kjo është e vetmja kompani e cila ka në dispozicion të gjitha resurset për ta prishur, ndërtuar dhe menaxhuar stadiumin e vetme. Oferta e tyre ka mbërritur në formë dixhitale për të përmbushur edhe afatin e vënë, mesditën e të premtes.

Ndërkohë italianët jane “Serenissima Costruzioni”. Një kompani e cila nuk vjen e vetme në këtë ofertë, por me një konsorcium, duke qenë se nuk i ka të gjitha resurset dhe mbi të gjitha nuk ka ndonjë eksperiencë vetë si firmë në ndërtimin e stadiumeve. Ndërkohë kompania koreane është ‘For You Global Tech’, një kompani e cila ka shprehur interesin dhe disa muaj më parë ka sjellë një projekt/ide, që sigurisht është jashtë kërkesave tona, ndërsa mbetet në dyshim edhe për projektin final.

Bordi i stadiumit i ndihmuar nga një kompania konsulence franceze ‘TeamStadia’, e specializuar për vlerësime të tilla, ka vendosur disa kritere teknike dhe vizuale për të gjitha kompanitë që kishin shprehur interesin dhe padyshim një nga ato kritere është ruajtja e fasadës ballore të “Qemal Stafës”. Ofertat e mbërritura i kanë kaluar Komisionit të Vlerësimit të Ofertave e më pas do t’i shkojnë konsulentit francez për të bërë ai vlerësimin dhe në fund për të dhënë sugjerimet për komisionin përzgjedhës. E gjithë kjo procedurë do të zgjatet deri në datën 20 janar, nga ku me shumë mundësi do të mësohet se cila kompani do të jetë ajo që do të përzgjidhet si fituesja.

Deri në mbërritjen në këtë pikë janë bërë studime të shumta dhe më i rëndësishmi është ai i fizibilitetit.Kompania audituese KPMG e cila ka bërë edhe këtë studim ka nxjerrë në pah kostot e përafërta. Sipas saj vetëm sipërfaqja prej 3.36 hektaresh tokë ku është ndërtuar stadiumi “Qemal Stafa” kushton 43 milionë euro, kësaj shifre i shtohet edhe investimi prej rreth 28 milionë euro ndërtim, nëse stadiumi do të ishte 16.000 vendësh, sepse sipas KPMG në bazë të shifrave brenda një viti në “Qemal Stafa” luhen 45 ndeshje maksimalisht në kampionat dhe kupë dhe 3 deri në 5 ndeshje të përfaqësueses. Këto ndeshje ndiqen mesatarisht nga rreth 9 mijë tifozë, shifër që sipas studimit deri në vitin 2024 shkon në rreth 16 mijë. E megjithatë FSHF ka kërkuar një stadium rreth 23 mijë vendësh që do të thotë një shtim vlere prej 40 %.

Po në bazë të studimit të KMPG investimi që do të kryhet për stadiumin e duke përfshirë edhe vleftën e truallit shkon në 93 milionë euro, ndërsa me kërkesën e FSHF-së për një stadium 23 mijë vendësh, kjo shifër shkon rreth 130 milion euro. Ndërkohë kontributi i shtetit duket të jetë pikërisht trualli edhe pse në marrëveshjen e shoqërisë “Kuq e Zi” raportet e aksioneve janë të ndara në 75% të FSHF-së dhe 25% të shtetit. Por pavarësisht shifrave apo se kush e udhëheq këtë projekt kaq të madh për Tiranën dhe Shqipërinë tonë, qëllimi mbetet një dhe i vetëm, shembja e gërmadhës mëse 60-vjeçare “Qemal Stafa” dhe ndërtimi e një impianti të ri modern që ndoshta mund të quhet “Kuq e Zi” dhe që në bazë të kushteve nëse do të fillojë punë me prishjen në korrikun e 2014-s, do të përfundojë pikërisht në korrikun e vitit 2016-të.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button