Car Dushani dhe paralajmërimi i serbëve

Kryetari i Partisë Demokratike Serbe në Maqedoni, Ivan Stoilkoviç, në kongresin e pestë partiak të mbajtur një muaj më parë, e paralajmëroi ngritjen e bustit të Car Dushanit në Shkup.

Edhe pse ende asnjë institucion nuk ka marrë përgjegjësinë për vendosjen e këtij monumenti, nga një video e datës 9 nëntor, që është postuar në Youtube, shihet se kryetari i PDS, si një nga partnerët e partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski në qeveri, ka qenë prej kohësh i informuar për vendosjen e përmendores së sundimatarit serb në Shkup.

“Këto ditë, pas gjashtë shekujve Car Dushani i shenjtë kthehet në Shkup dhe ju, njësoj si të gjitha gjeneratat e ardhshme serbe në këto vise, do të mund t’i shëtisni fëmijët në Urën e civilizimeve, ku do të vendoset përmendorja, e t’u tregoni se çfarë heroi serb ka qenë Car Dushani, se në kohën e tij Shkupi ka qenë kryeqendër e një perandorie të madhe”, ka deklaruar atëherë Stoilkoviç.

Në kongesin e pestë të Partisë Serbe në Maqedoni, që është mbajtur më 9 nëntor, prezente ka qenë edhe ministrja e Punëve të Brendëshme Gordana Jankullovska. Megjithatë, kryeshefja e policisë nuk e ka komentuar për gazetarët premtimin e kryetarit të Partisë Serbe për ngritjen e përmendores së Car Dushanit.

“Unë isha e pranishme në pjesën e hapur për mysafirët, kështu që nuk mund të flas për të gjithë rendin e ditës dhe vendimet e marra atje, që janë vendime partiake dhe janë miratuar në organe të ndonjë partie politike, qoftë ajo Partia Demokratike Serbe. Por me gjithë qejf mora pjesë në atë kongres, në emër të bashkëpunimit të mirë, në kuadër të koalicionit ‘Për një Maqedoni më të mirë’”, ka deklaruar Jankullovska.

Edhe pse pati reagime të shumta dhe dy tentativa për ta rrënuar monumentin, mbetet e paqartë heshtja e institucioneve në Maqedoni dhe refuzimi për të treguar kush e ka dhënë vendimin për ngritjen e saj.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button