Rruga e Serbisë për në BE kaloi mbi trupat e shqiptarëve

Deputeti Rexhep Selimi në deklarimin jashtë rendit të ditës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës tha se lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se këto bisedime janë një proces që e afrojnë Kosovën me afër Serbisë dhe Serbinë më afër Evropës.

Selimi tha se si rezultat i negociatave dhe i marrëveshjeve Thaçi-Dacic Serbia mori datën e fillimit te negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa MUP-i dhe institucionet e Serbisë po legalizohen në Kosovë.

“Ju deputetet, nga cilido grup parlamentar që i keni mbështetur këto negociata me votën tuaj, të vetëdijshëm apo jo, jeni ata që falë mbështetjes suaj kryeministri negocioi me Dacicin dhe falë këtyre negociatave Serbia mori shpërblimin. Bashkimi Evropian ka mbivlerësuar përparimet që Serbia ka bërë në dialogun me Kosovën, duke i ofruar si shpërblim nisjen e negociatave për anëtarësim. Kështu ju, ia dhatë amnistinë Serbisë, asaj që mbi kurriz mban barrën e krimeve më të rënda kundër njerëzimit, e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë”, u shpreh Selimi.

Ai tha se në negociata u propagandua shumë se negociatorët e Kosovës do të bisedonin patjetër edhe për të pagjeturit shqiptarë qe u vranë dhe u zhdukën nga forcat e Serbisë në luftë.

“Por siç jemi dëshmitarë askush s’i përmendi kurrë në asnjë tryezë në Bruksel. Ditëve të fundit, zbulimin e varrezave të pretenduara në varrezat masive diku në Serbi, familjaret e të humburve e priten me ankth dhe me shpresë se do të mund t’i gjejnë së paku eshtrat e më të dashurve të tyre. Por, ata nuk e dinin se edhe kësaj radhe trupat e të vrarëve nuk e gjeten rrugën e kthimit në atdhe. Familjaret shpresuan por nuk e ditën se me trupat e shqiptarëve Serbia po bënte një pazar. Pesë trupa të shqiptarëve të vrarë Serbia i dha si kapar për diçka që edhe në të vërtetë e mori paraprakisht”, tha ai.

Sipas tij, rastësisht apo jo, asfalti dhe objekti mbi trupat e shqiptarëve në Serbi i përkiste një ndërmarrje që quhej “Kosmet-Put” që në shqip do të thotë “Rruga e Kosmet”, apo “Rruga Kosova”.

“E pra, e di apo nuk e di BE-ja se nëpër çfarë rruge po i afrohet Serbia asaj, Kosmet-Put quhet rruga e Serbisë drejt Evropës, rrugë e cila kalon mbi eshtrat e shqiptarëve të vrarë e të fshehur. Kryeministri i Kosovës bisedon me Kryeministrin e Serbisë, jo për kthimin e trupave të të vrarëve e të zhdukur por për kthimin e atyre që vranë. Ai nuk flet me Dacicin për t’i kthyer trupat dhe eshtrat e shqiptareve por për kthimin e policëve serbe të MUP-it ne Policinë e Kosovës. Në vend që ta kërkonte nga Brukseli hapjen e Kosovës e cila është kthyer në një vend të izoluar në mes të Evropës, ai me marrëveshjet me Dacicin ia hapi dyert Serbisë drejt integrimit. Në vend që të kërkonte drejtësi për të gjitha krimet, vrasjet dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve edhe pas luftës në pjesën veriore të Kosovës, pikërisht këtë drejtësi ia la në dorë atyre që i shkaktuan këto krime”, tha ndër të tjera, deputeti Selimi.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button