Venizelos: Greqia kërkoi dhënien e statusit për Shqipërinë
Athina zyrtare ka përkrahur në takimin e ministrave të jashtëm në Bruksel, dhënien e menjëhershme të statusit kandidat për anëtarësim Shqipërisë.
Kështu bëhet me dije në një njoftim të ministrisë së jashtme grek, sipas të cilës ministri i jashtëm Venizelos ka udhëzuar ambasadorin e Greqisë në Tiranë që t’ia komunikojë këtë qëndrim qeverisë shqiptare.
Gjithashtu, pala greke ka vendosur që vendimi për dhënien e statusit Shqipërisë të diskutohet në qershor 2014, para përfundimit të presidencës greke.
Në njoftimin e ministrisë së jashtme greke shprehet gjithashtu gatishmëria e Greqisë për t’i ofruar Shqipërisë çdo mbështetje, me qëllim që të përmbushen kushtet që i janë vënë Shqipërisë nga BE.
Venizelos ka udhëzuar edhe ambasadorin grek në Beograd, që t’i shprehë qeverisë serbe përgëzimet për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim, duke vlerësuar se ky zhvillim do të ketë ndikim pozitiv në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.
Venizelos, që e cilëson si “ngjarje historike” dialogun Prishtinë-Beograd, shpreh dëshirën të vizitojë kryeqytetin e Serbisë sapo Greqia të marrë presidencën e BE-së.