Zbulohet raporti sekret i Qeverisë shqiptare për çështjen çame dhe shqiptarët e Maqedonisë

Ministria e Jashtme e Shqipërisë është e mendimit se çështja e pronave çame nuk mund të zgjidhet në Gjykatën e Strasburgut. Gazeta Panorama zbardhi sot diskutimin e zhvilluar në mbledhjen me dyer të mbyllura të Komisionit të Jashtëm, më 10 dhjetor, në të cilin kanë raportuar zyrtarët e lartë të MPJ-së lidhur me situatën me fqinjët e rajonit. Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për çështjen çame, ku sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko ka sqaruar deputetët se çështja çame nuk duhet ngatërruar me ligjin e luftës me Greqinë. “Janë dy çështje absolutisht të ndara dhe ndoshta ka vend për sqarim dhe për mendim ekspertësh. Kur flasim për çështjen çame, është një çështje e krijuar po themi formalisht, juridikisht mbas vitit ‘44. Ligji i luftës është i vitit ‘40, që kishte të bënte me pronat e shqiptarëve, pra çamët në 1941-shin ishin shtetas grekë, dhe më tej, mbas gjenocidit, zhvendosjes masive me anë të disa ligjeve, ata janë zhveshur nga pronat tyre”, ka sqaruar Qirjako. Ai ka shtuar më tej: “Ajo çka thuhet sot dhe ajo çfarë është përsëritur disa herë, është që të zgjidhen në mënyrë gjyqësore, duke shkuar deri në Strasburg. Nuk ka mundësi të zgjidhet në Strasburg, sepse Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Gjykata e Strasburgut e krijuar për zbatimin e saj i kanë fillimet e veta, pra konventa është e vitit 1953, Greqia është bërë palë në vitin 1954, ndërkohë që ngjarja është në vitin 1944. Pra, konventa nuk ka efekt prapaveprues. Gjykata e Strasburgut nuk mund të zgjidhë çështje të krijuara përpara se shtetet të merrnin angazhimin nëse do të zbatonin standardet e saj. Kështu që zgjidhja e kësaj çështjeje, në mënyrë të padiskutueshme, do të jetë në terrenin politik, pra për herë të parë këto çështje u bënë prezente, do të jenë pjesë në mënyrë të padiskutueshme e agjendës së përbashkët politike dhe kjo do të jetë rruga”.

Marrëdhëniet me Serbinë

Ministria e Jashtme i konsideron si në stagnim marrëdhëniet me Serbinë, shtet të cilin e quan si jo të aftë për të mbajtur premtimet. Në raportimin e zhvilluar pa praninë e mediave, drejtoresha rajonale në Ministrinë e Jashtme, Shpresa Kureta ka deklaruar se një problematikë duhet zgjidhur në një takim mes kryeministrit shqiptar dhe atij serb.

Varfëri ekstreme në Luginën e Preshevës

Kureta ka theksuar se Qeveria duhet të ndërhyjë për situatën në Luginën e Preshevës, duke shtuar bashkëpunimin mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Dhomës së Tregtisë. Sipas saj, situata ekonomike në Luginën e Preshevës është shumë e rëndë. “Ka një varfëri ekstreme, rreth 60% e popullsisë janë të papunë, kështu që çështja e ndërhyrjes është e domosdoshme. E para, për të adresuar situatën ekonomike në Luginë, sepse është katastrofike, dhe pastaj për të trajtuar të gjitha çështjet e tjera”, theksoi ajo.

Krimi i organizuar në zgjedhjet e Kosovës

Zgjedhjet në veri të Kosovës, sipas zyrtarëve të MPJ-së, u prishën nga elementë të krimit të organizuar. “Ne kemi përshtypjen se edhe situata e dhunës gjatë zgjedhjeve, që prishi raundin e parë të zgjedhjeve në Mitrovicë, në veri të Kosovës, ka të bëjë ndoshta jo shumë me qeverinë e Serbisë, por ka të bëjë me elementë të krimit të organizuar, me elementë që në njëfarë mënyre kanë bizneset e tyre të parregullta, të paligjshme, të cilat janë prezente atje dhe nuk ishin të interesuar për vendosjen e ligjit”, thuhet në raportimin e MPJ.

Shqiptarët në Maqedoni nuk bashkëpunojnë

Raportet mes shqiptarëve të Maqedonisë, sipas Ministrisë së Jashtme, nuk janë më si më parë. Shqiptarët nuk bashkëpunojnë më me njëri-tjetrin, thekson drejtoresha e MPJ-së, Kureta. “Për fat të keq, shqiptarët në Maqedoni, pavarësisht ndryshimeve dhe avancimeve për sa i takon Marrëveshjes së Ohrit, jetojnë pa njëri-tjetrin dhe nuk bashkëpunojnë shumë me njëri-tjetrin. Shqiptarët dhe maqedonasit dhe, si të thuash, momentin më problematik është sistemi arsimor, i cili funksionon i ndarë, pra i ndarë mbi baza etnike”, ka thënë Kureta.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button