Greqi, veprimtari me temë “Arvanitasit dje dhe sot”

Një udhëtim në historinë, traditën e kulturën arvanitase, me kumtesa, këngë e valle, me temë “Kultura arvanitase dje dhe sot”, është ndjekur nga qindra arvanitas dhe jo vetëm, banorë të zonës së Mandras e zonave përreth Atikës, në Greqi.

Të pranishëm në veprimtari ishin kryetari i Bashkisë së Mandras, Jorgos Drikos, anëtarët e Këshillit Bashkiak të zonës, ambasadori i Shqipërisë në Greqi, z. Dashnor Dervishi, kryetari i Bashkisë së Saronidas, Petros Filipu, deputetë e personalitete politike e kulturore të vendit.

Mbrëmja dedikuar arvanitasve nxori në pah kontributin e fuqishëm të popullit arvanitas në historinë e shtetit grek, një kontribut që prej kohësh kishte mbetur thuajse në harresë, ose anashkalohej për shkak të kushteve politike e shoqërore mbizotëruese në vend. Duket se arvanitasit e sotëm, personalitete të rëndësishëm të politikës, shkencës dhe artit në vend, kanë vendosur ta ndryshojnë këtë fakt, jo vetëm duke vazhduar investimin në studimet historike e shkencore rreth paraardhësve, por edhe me aktivitete të tilla mjaft të rëndësishme, përmes të cilave të evidentohet roli thelbësor historik i arvanitasve në Greqi, por edhe transmetohet saktë në brezat e ardhshëm.

Të pranishmit kanë zbuluar shumë për arvanitasit, në një bisedë të gjatë, me informacione për zonat ku janë vendosur arvanitasit, kushtet e jetesës, traditat që kanë mbijetuar edhe sot, deri edhe në toponimet e Atikës dhe Peloponezit, mjaft prej të cilave kanë emrin e familjeve të mëdha arvanitase (Ano Liosia, Liopesi, Vari etj).

Kryetari i Bashkisë së Mandras theksoi domosdoshmërinë e këtij aktiviteti, si hap i parë drejt iniciativave të mëtejshme, ndërsa për “historinë ndër vite të Arvanitasve në Atikë” ka folur kryetari i Bashkisë së Saronidas, Petros Filipu.

Pedagoge e Sociologjisë dhe sekretare në Bashkinë e Mandras, Elena Boci, është referuar në studimet e kryera rreth “Kulturës dhe Civilizimit Arvanitas”. Duke qenë vetë arvanitase ajo tha se e ndjen detyrim moral sigurimin e vazhdimësisë së dialektit arvanitas, teksa brezi i fundit i folësve të këtij dialekti po humbet gradualisht. “Gjuha arvanitase do të kujtohet vetëm nëse do të tregojnë gadishmërinë e duhur, në kohë, përndryshe do rrënjët tona do të humbasin”, ka theksuar Boci.

Andromaki Ikonomu, studiuese e Institutit Laografit të Akademisë së Athinës, ka shpalosur jetën sociale dhe ekonomike të komunitetit të mbyllur arvanitas, duke ndërhyrë në detaje thuajse të panjohura, nga bisedat e vendimet familjare me shprehje të caktuara arvanitase, e deri në rolin e arvanitasve në historinë e Greqisë në periudhat para pushtimit osman të Ballkanit, deri në ditët e sotme.

Vangjelis Shabanis dhe Spiridula Panajotopulu, mësues të valleve Arvanitase të Atikës Lindore, kanë ofruar tek të pranishmit përshkrim të detajuar të veshjes arvanitase të Atikës Lindore, të kostumit të nuses dhe dhëndrit, veshje të një koleksioni mjaft të rrallë që disponon ekskluzivisht grupi i valleve dhe këngëve arvanitase të Bashkisë së Mandras.

Në mbyllje të aktivitetit, këngët e vallet e interpretuara nën veshjet mahnitëse arvanitase krijuan atmosferë mjaft emocionuese për të pranishmit.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button