Biznesmeni me prindër shqiptar hyn në politikën amerikane

Uk Lushi
Nga Nju Jorku për Shekull-in
Kur Roza dhe Zef Gjonaj, të sapomartuar me 1966 emigruan në Nju Jork, ata nisën të bënin nga dy punë. Çifti i ri kishte filluar të kursente çdo “penny” dhe pas dy vitesh ndërsa nusja e re ishte në dhimbjet e lindjes së foshnjës së parë ajo ende nuk e kishte mësuar anglishten mjaftueshëm që të dinte të pyeste se ku ishte infermeria e lindjes. 
Një fqinj amerikan pasi kishte dëgjuar rënkimet e gruas pa hezituar kishte trokitur në derë dhe me dashamirësi e kishte dërguar fqinjën me barrë në spital. Gruaja e re ishte bërë nënë. Foshnja e porsalindur ishte djali Mark Gjonaj. St, 43 vjet më vonë, ai është një biznesmen që ka vendosur të futet në politikën amerikane. 
Kush është sipërmarësi Mark Gjonaj
Gjonaj, i biri i dy prindërve shqiptarë, lindur në vitin 1968 në qarkun e Bronksit në Nju Jork, shitblerës patundshmërish, pronar i qindra apartamenteve dhe ndër aktivistët më të suksesshëm shqiptaro- amerikanë, i ka vënë vetvetes synim të bëhet përfaqësuesi i Zonës Zgjedhore 80 në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut në Albany. Strategjikisht ai është përcaktuar të testojë ujërat e politikës së shtetit të Nju Jorkut së pari.
Suksesi në biznes mund të jetë arsye për komoditet dhe ngurrim për angazhim politik për shumë njerëz; por jo për Gjonajn. 
Ai në deklarimet publike si motive kryesore të kandidimit të tij ka përmendur dy: dëshirën të përfaqësojë politikisht banorët e zonës ku ai i ka arritur sukseset e tij afariste dhe nevojën që komuniteti shqiptaro-amerikan të ketë pjesëtarët e tij në zyrat e shtetit amerikan të cilit i paguan taksa dhe obligime të tjera.
Moskokëçarja politike e komunitetit
I vetëdijshëm për indiferencën dhe moskokëçarjen politike të një pjese të shqiptaro-amerikanëve mbi sistemin politik amerikan, si asnjëherë më parë në historikun e komunitetit, Gjonaj ka organizuar disa tubime informative dhe edukative për nevojën dhe rëndësinë e regjistrimit të të gjithë shtetasve amerikanë me prejardhje shqiptare në listat e votuesve. Gjatë fushatës ua ka shpjeguar votuesve, dhe veçanërisht atyre me prejardhje shqiptare, natyrën duale të të qenit qytetar. 
Gati në çdo paraqitje elektorale Gjonaj u ka përsëritur shqiptaro-amerikanëve që nëse duan fuqizim dhe pjesën e tyre të financimit shoqëror ata duhet të regjistrohen dhe të dalin në votime për të  vendosur se kush dëshirojnë të jetë përfaqësuesi i tyre në kryeqytetin e shtetit të Nju Jorkut– Albany. 
Me zgjuarsi, Gjonaj ka këmbëngulur që shqiptarët e Amerikës më në fund, në vend se të mbledhin para për shoqata dhe asociacione komunitare nga paratë personale, duhet të bëhen drejtues dhe punëtorë të zyrave ku vendoset për financimin e çerdheve, shkollave, agjencive të punësimit dhe shtëpive të pleqve për fëmijët, të rriturit dhe të moshuarit që jetojnë dhe punojnë në Zonën Zgjedhore 80. 

Po joshqiptarët kë duan të votojnë?

Gjonaj ka fituar përkrahjen e shumë votuesve me prejardhje italiane, irlandeze, hebreje, afrikane, kineze dhe hispano-latine, të cilët angazhohen dhe bëjnë punë vullnetare për fushatën. Ka disa vite qëkur politikani i ri nga Bronksi ka krijuar një rrjet fantastik të lidhjeve politike në nivel lokal dhe federal, mirëpo asambleistja në detyrë – Naomi Rivera – është një kundër-kandidate që i takon kastës së politikanëve karrieristë dhe mbështetet nga krahët e pushtetshëm të babait dhe vëllait të saj – Joel dhe Jose Rivera, të dy anëtarë të rrethit të brendshëm të aparatçikëve të Partisë Demokratike. 
Në fakt, kjo ndërlidhje familjare dhe mungesa e rezultateve për banorët e Zonës 80 nga ana e zonjës Riviera kanë qenë shtysa shtesë pse Gjonaj kishte marrë vendimin të kandidonte.  Mark Gjonaj thotë se nuk mund ta pranojë që dikush pa rezultate të vendosë për fatin e qin
dra mijëra qytetarëve dhe investimeve të tyre. Gara nuk do të jetë e lehtë.

A është ky fillimi i një rruge të gjatë?

Sipas të dhënave të censusit federal nga viti 2000, në Zonën Zgjedhore 80, e cila përfshinë lagjet Mosholou Parkëay, Pelham Gardens, Pelham Parkëay, Allerton dhe Morris Park, jetojnë rreth 9.500 shqiptaro-amerikanë. Nuk mund të mohohet kontributi  financiar i shumë shqiptaro-amerikanëve dhe pjesëtarëve të etnive të tjera në organizimet fondmbledhëse për fushatën e Gjonajt, por ndihmën më të madhe atij ia ofrojnë ata që regjistrohen për votim deri 30 ditë përpara datës 13 shtator 2012, që është dita e zgjedhjeve.
Me 13 shtator 2012, shqiptaro-amerikanët nga Bronksi e kanë rastin të ndihmojnë Mark Gjonajn të shkojë në Albany. Gjonaj ka treguar një profil serioz që ofron zgjidhje për problemet ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe të sigurisë;  si dhe një përvijim intelektual të cilin e sheh vetëm te politikanët premtues. Ndërsa amerikanët e Bronksit me origjinë nga mbarë rruzulli do të votojnë për Gjonajn, shqiptarët do të bënin mirë të telefononin të afërmit e tyre, nëse i kanë në Bronks, dhe t’i lusin të dalin në vendvotimet e Zonës 80. Duke i ndihmuar Gjonajt të vendoset në Albany (mbase) hapet rruga, që, pas disa vitesh të kemi edhe Kongresmenin apo Senatorin e parë me prindër shqiptarë në Ëashington. Pse jo? 

Politika dhe komuniteti i shqiptarëve të Amerikës

Uk Lushi*
Për gati një shekull e gjysmë ekzistencë komuniteti i shqiptarëve të Amerikës ka dhënë me qindra personalitete të dalluara në biznes, avokati, kulturë, shkencë, sport, zbavitje dhe ushtri. Ky komunitet, i vogël po i gjallë, arritjen më titanike e ka realizuar në politikën amerikane ku ka ndikuar në mënyrë vendimtare që Ëashingtoni të mbështesë energjikisht krijimin dhe ndërtimin e shteteve shqiptare në Ballkan. Mund të tingëllojë si paradoks, porse i tërë ky lobim është bërë pa praninë e shqiptarëve të Amerikës në institucionet politike të shtetit më të fuqishëm në botë. Kjo ka ndodhur pak për shkak të preokupimit me çështjen shqiptare në tokat e origjinës dhe pak për shkak të plogështisë politiko-organizative.  
Sido që të jetë, viteve të fundit nga komuniteti megjithatë ka lajme të mira. Shqiptarët e Amerikës janë aktivizuar politikisht dhe me dhjetëra prej tyre janë duke kandiduar për t’u bërë titullarë të zyrave përfaqësuese dhe vendimmarrëse në institucionet e shtetit amerikan. Bazuar  sidomos në profesionalizmin e fushatës, nga të gjithë pretenduesit, njëri është më shpresëdhënësi dhe në ngritje e sipër të shndërrohet në yll të politikës amerikane. Ai quhet Mark Gjonaj.
*Uk Lushi është aktivist shqiptaro-amerikan në New York të SHBA-së.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

loading...
Back to top button