Shqipëria, kjo parajsë post-komuniste

Europa ka një sekret. Ajo quhet Shqipëri dhe është sa madhësia e Merilendit me maja të thepisura, dete të kaltër dhe lumenj të shkëlqyer. Mirëpo, ajo është vërtet e varfër, ka korrupsion të shfrenuar dhe ka pak rregullore për mjedisin. Megjithatë, ia vlen t’i përdorni disa prej parave të ruajtura për një ekskursion në shtetin më të egër post-komunist në planet, nis shkrimi i revistës “Outside”. 
Guida e fillestarit për në aventurën shqiptare

Është një mëngjes i freskët maji dhe unë po qëndroj në një varkë rafti plot me djem shqiptarë. Të gjithë janë nga Tirana, dhe ndodhen në vizitën e tyre të parë në Osum, në një shëtitje dy-ditore të mundësuar nga “Outdoor Albania”, një nga organizatat e pakta që po përpiqen të rrëzojnë idenë se ish-shteti stalinist mund të bëhet një pikë aventureske. 

Lumi i Osumit buron nga malet e Korçës dhe merr drejtimin për nga veriu për t’u derdhur në një grykë 16 milje të gjatë, të quajtur Kanioni i Osumit, një nga pistat më spektakolare të Europës. Ujërat e pasura me minerale ngrihen në të dyja anët e lumit si krahë. Ujëvarat derdhen nga majat e thepisura dhe duken si ngjyrë argjendi. 
E pozicionuar midis Greqisë dhe ish-shteteve anëtare të Republikës së Jugosllavisë, buzë detit Adriatik, Shqipëria po rimëkëmbet ngadalë nga disa dekada shumë të ashpra. Për pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë, kombi ku shumica janë myslimanë, ka jetuar nën regjimin e diktatorit marksist, Enver Hoxha, i cili e shndërroi Shqiëprinë në një nga shtetet komuniste më ekstreme të historisë. Gjatë udhëheqjes së tij 40-vjeçare, pas Luftës II Botërore, Hoxha, e forcoi ideologjinë e tij, saqë i ndërpreu lidhjet e vendit me botën. Askush nuk mund të hynte ose të dilte nga shteti. Për të përballuar pushtimet dhe revoltat, Hoxha ndërtoi 700 mijë bunkerë.
Hoxha vdiq në vitin 1985, komunizmi ra dhe në vitin 1992, një demokraci e brishtë hodhi rrënjë si një botë e zhurmshme e Pepsit, Fiatit dhe kostumeve poliestër. Shpresa lulëzoi shpejt, pasi njerëzit grumbulluan pasuri të reja, por eksperimenti i Shqipërisë me kapitalizmin mori drejtim të shtrembër. Kompani të reja investimi filluan të premtonin nivele të jashtëzakonshme rritjeje të depozitave: do të trefishohen paratë tuaja në tre muaj! Rreth 2/3 e popullsisë vendosi një shumë prej 1.2 miliardë dollarësh në skemat piramidale. Në janar 1997, dy nga më të mëdhatë u rrëzuan dhe në të gjithë vendin filluan trazirat, pasi shqiptarët e kuptuan sa rëndë ishin mashtruar. Më tepër se 2000 njerëz vdiqën në anarki, para se OKB-ja të dërgonte trupa ndërkombëtare për të rikthyer rendin. 
Ringritja pas komunizmit

Sot, Shqipëria është një vend tjetër. Më tepër se 1 miliard dollarë ndihma të huaja kanë ndihmuar në rindërtimin e institucioneve, trajnimin e forcës së punës dhe përmirësimin e infrastrukturës. Një qeveri e re socialiste, nën sloganin “Rilindje” mori pushtetin verën e shkuar; kryeministri, një artist i quajtur Edi Rama, u zotua të gjejë rrugë për të shpejtuar përparimin e Shqipërisë.
Turizmi do të jetë me siguri një nga rrugët, pasi vendi duket se po imiton sukseset e fqinjëve si Mali i Zi dhe Kroacia. Rreth 2.7 milionë vizitorë të huaj e vizituan Shqipërinë në vitin 2012, afërsisht 3 herë më tepër sesa në 2007-ën. 
“Të gjitha vendet në Europën Juglindore kanë potenciale të jashtëzakonshme”, tha një këshilltar finlandez që ka punuar me grupe turistike për të krijuar një vijë 120 milje të gjatë, “Kulmet e Ballkanit”, e cila lidh Malin e Zi me Kosovën dhe Shqipërinë. “Shqipëria është vendi ku gjërat bëhen vërtet interesante. Nëse ka ndonjë vend ku mund të përjetoni rrjedhën e qindra viteve brenda një momenti – antiken, tradicionalen, të renë dhe modernen – është ajo.”
Ndaj, autori i shkrimit në “Outside” i fton vizitorët e huaj të vizitojnë “këtë gur të çmuar të Europës Juglindore, me këmbë, biçikletë ose varkë”. Pra, secili është i lirë ta vizitojë Shqipërinë në mënyrën e tij. 

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
loading...
Back to top button