INSTAT:Berisha i llogariti shqiptarët 100 mijë rezidentë më pak

TIRANE– Ri-llogaritja tani e të dhënave të Censusit, të kryer në vitin 2011 nga Intituti i Statistikave, sjell rritjen e numrit të shqiptarëve rezidentë, të njohur zyrtarisht nga shteti. INSTAT njoftoi dje se, pas përfundimit të konferencës dyditore mbi analizat e të dhënave të Censusit 2011 dhe përdorimit të tyre, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2014 rezulton 2.895.947 vetë, nga të cilët 1.435.984 femra dhe 1.459.963 meshkuj.
Më 1 tetor 2011 INSTAT përfundoi Censusin e Popullsisë dhe Banesave, ku popullsia rezidente në vend rezultoi 2.800.138 banorë.

Ky rezultat shfaqi një diferencë me atë çfarë ishte projektuar për vitin 2011 nga Projeksionet e Popullsisë bazuar në Censusin e vitit 2001. Për herë të parë, tani INSTAT ndërmori Anketën e Pas-Censusit (APC), me objektiv kryesor kontrolli i mbulimit të Censusit. Rezultatet e kësaj ankete treguan se Censusi i Popullsisë dhe Banesave 2011 kishte një nën-mbulim prej 3 përqindësh. Rezultatet e APC mund të përdoren gjithashtu në vlerësimin e popullsisë për vitet pasardhëse, si dhe për rivlerësimin e numrit të popullsisë gjatë periudhës midis dy censuseve. Nisur nga kjo, INSTAT dhe ekspertët e Asistencës Teknike të BE-së vlerësuan numrin e popullsisë më 1 janar duke marrë parasysh numrin e popullsisë banuese nga Censusi 2011, numrin e refuzimeve dhe rezultatet e APC, e cila më 1 janar 2012 rezultoi 2.902.190 banorë.

Të dhënat përfundimtare, ku përfshihet interpretimi shkencor i të dhënave statistikore, tregojnë se qarku më i populluar në vend është ai i Tiranës, me 788.330 banorë, pasuar nga Fieri me 317.799 dhe Elbasani me 302.827 banorë. Qarku me popullsi më të vogël rezulton Gjirokastra me 73.556 banorë.

Sa u përket grupmoshave, më shumë shqiptarë i përkasin grupit nga 15 në 19 vjeç, ndërkohë që grupi nga 20 deri në 24 vjeç pason me diferencë shumë të ulët. Afro 350 mijë vetë kanë kaluar moshën e pensionit (marrë 65 vjeç për burrat e gratë), por shifra është më e lartë pasi gratë dalin në pension 60 vjeç.

Në Censusin, e organizuar gjatë kohës kur qeveriste Berisha, shifra e popullsisë rezidente befasoi opinionin me nivelin e ulur të saj, krahasuar me Censusin 2001. Në fakt, kjo pasqyronte largime masive jashtë vendit,si dhe një tendencë për rënien e ritmit të rritjes së popullsisë. Korrigjimi aktual i shifrës totale hedh dritë mbi një realitet më të saktë, duke bërë që të ardhurat për frymë të popullsisë të korrigjohen në ulje. Por saktësia e statistikave, pavarësisht nga interesi politik i qeverive, është i domosdoshëm për të përcaktuar qartë politikat sociale dhe buxhetet e shtetit, tani dhe në perspektivë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button