Kurti: Të gjitha maskat i kanë rënë kësaj Qeverie

Prishtinë, 15 korrik – Në mbledhjen V të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje!, lideri Albin Kurti tha se “ne kemi dëshmuar që edhe atëherë kur mundësitë objektivisht janë të vogla, Lëvizja Vetëvendosje! i ka aftësitë politike dhe intelektuale të mëdha dhe vullnetin subjektiv të paepur. Si gjithnjë: nuk kemi devijuar dhe nuk jemi ndalur. Koncepti ynë politik na mban në rrugë të drejtë kurse nismat tona të vazhdueshme na mbajnë aktiv. Kurti tha se bashkimi kombëtar i shqiptarëve është i nevojshëm, i domosdoshëm porse edhe i pashmangshëm. I nevojshëm sepse është çështje interesi, i domosdoshëm sepse është çështje vullneti dhe i pashmangshëm sepse edhe nëse ne heqim dorë nga bashkimi kombëtar, ne kemi fqinjë që nuk do të ndalen me aspiratat e tyre hegjemoniste deri në bashkimin e shqiptarëve. Prandaj, le ta duam shqiptarinë nga vullneti e nga interesi që të mos vie puna ta duam veçse prej zorit. 

Sipas Kurtit, regjimi në Kosovë po egërsohet. Të palarat e tyre po duken, sepse po dalin, sheshit. Kurrë më parë nuk kemi pasur gënjeshtra të pabesueshme sikurse kohëve të fundit. Prej të ashtuquajturës vetëvrasje të Dino Asanajt e deri te mbrojtja e prodhimit vendor grek (sic.). Është bërë shumë e vështirë ta demaskosh regjimin në Kosovë. Jo pse ka maskë të trashë, por pse i ka rënë ajo. Fytyra e këtij regjimi është ajo që e ka thënë gjithmonë Lëvizja jonë: një pushtet i uzurpuar që uzurpon, një politikë e pazareve ditore që e shet vendin edhe natën. Pushteti në demokraci duhet t’ia vë shtetin në shërbim qytetarëve, e jo sikurse tash, jo sikurse këtu, t’ua kundërvë shtetin atyre. 

Këta qeveritarë nuk janë në pushtet pse mendojnë apo pse bëjnë. Përkundrazi, këta njerëz janë në pushtet pse s’mendojnë dhe pse dëgjojnë çfarë duhet të bëjnë. Kështu nuk sillen as fëmijët. Nuk është populli i Kosovës fëmijë, por këta politikanë që më shumë me gojë hapur sesa me veshë hapur e dëgjojnë ambasadorin amerikan, Dell, dhe ndërmjetësin e bisedimeve me Serbinë, Cooper. 

Qeveritarët kosovarë na akuzojnë e shpifin se ne jemi kështu e jemi ashtu. Ata le të flasin sa të duan, por ama veprimet e tyre i bëjnë ata kriminelë. Të shitet Distribucioni i KEK-ut për 26,3 milionë euro dhe të bllokohet Shqipëria, të takohesh me Tadiqin me aq lehtësi dhe të thuash që takohem edhe me Nikoliqin, është krim ndaj këtij vendi e ndaj këtij populli. Këto janë struktura kriminale që i ka formuar krimi strukturor i pazareve me Serbinë dhe i privatizimeve të egra. Janë me dhjetëra qeveritarë dhe miq të tyre biznesmenë që vetë i kanë paratë për ta blerë Distribucionin e KEK-ut nëse ai na u dashka shitur për 26 milionë euro! Kryeministri i Kosovës me vëllezërit e tij (vëllezërit biologjikë e kam fjalën) ka mundur ta blejë Distribucionin e Kosovës për 26 milionë euro! Pse këta nuk e blenë vetë se edhe ashtu më shumë janë biznesmenë sesa politikanë?! Apo, ndoshta këta më shumë besojnë te konzorciumi Çalik-Limak sesa te vetja e tyre?! Por, nëse është kështu, atëherë le të japin dorëheqje se nuk e kanë vendin aty. Tashmë është e qartë që këta politikanë kanë borxhe personale që po i lajnë me pasurinë publike.  

Qeveria aktuale po ia kushtëzon vetes rënien shpejtë dhe rapide. Kjo Qeveri nuk dëshiron dhe as që mund të bie ngadalë. Të gjitha maskat i ka rënë kësaj Qeverie. Ne duhet të bëjmë që të bie edhe perdja e kësaj shfaqje makabër. 

Pra, maskat kanë rënë. Tash, perdja duhet të bie. 

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

loading...
Back to top button