Objektet që preken nga projekti do të përshtaten me "Lungomaren"

  • Projekti nis menjëherë pas sezonit turistik 2014. Për gazetën “Shekulli” drejtoresha e AKPT-së, Adelina Greca thotë se projekti përfshin ide konkrete, kosto të përmbajtura që lejojnë rikonceptimin dhe pasurimin e vijës bregdetare vlonjate

Etleva Bragjeçi
Projekti nis menjëherë pas sezonit turistik 2014. Për gazetën “Shekulli” drejtoresha e AKPT-së, Adelina Greca thotë se projekti përfshin ide konkrete, kosto të përmbajtura që lejojnë rikonceptimin dhe pasurimin e vijës bregdetare vlonjate

Projekti për Vijën Bregdetare të Vlorës, i njohur ndryshe si projekti “Lungomare”, do të nisë punën menjëherë pas mbarimit të sezonit turistik të këtij viti, dhe pritet të mbarojë punimet në fillim të sezonit të ardhshëm. Kjo bëhet e ditur nga drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, zonja Adelina Greca, si dhe drejtori i programit ‘Atelier Albania’, Ditjon Baboçi. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, zonja Greca dhe zoti Baboçi sqarojnë se ky projekt përmirëson lëvizjen përgjatë vijës bregdetare, si dhe mundëson krijimin e një serie me plazhe e hapësira publike dytësore përgjatë gjithë gjatësisë së shëtitores, duke krijuar pika interesi, të cilat do të rigjallërojnë e aktivizojnë jetën e qytetarëve dhe turistëve të Vlorës. Për sa u përket ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare të Vlorës, drejtoresha Greca dhe Drejtor i Programit ‘Atelier Albania’, thonë se pjesa më e madhe e tyre është prishur. Ndërsa për objektet e tjera që janë me leje, por që preken nga ky projekt, do të shikohet mundësia e përshtatjes së tyre me shëtitoren.

Çfarë është projekti “Vija Bregdetare e Vlorës” dhe cilët janë elementet kryesorë të tij?

Projekti për “Vijën Bregdetare të Vlorës” është një nismë që synon rigjallërimin e qytetit dhe transformimin e Vlorës në një qendër energjike dhe tërheqëse të bregdetit shqiptar. Ky është një prej projekteve të para dhe më të rëndësishme të qeverisë së re në kuadrin e përmirësimit të hapësirave urbane, në rastin konkret me një fokus të përqendruar te mundësitë turistike që ofron Shqipëria. Projekti në thelb është një ndërhyrje kirurgjikale në qytet dhe ka për qëllim afrimin e mjedisit urban me detin. Ky projekt krijon një hapësirë të rëndësishme publike, e cila do të krijojë në kufirin midis qytetit dhe detit një mjedis të ndërmjetëm që do të përmirësojë jo vetëm përjetimin turistik të qytetit, por edhe atë të banorëve të qytetit të Vlorës.

Përse u përzgjodh pikërisht studioja belge “XDGA”, mes 5 projekteve finaliste? Çfarë ofronte më shumë projekti i kësaj studioje?

Studioja belge “XDGA” ka një eksperience të gjerë planifikuese në disa kontinente. Partneri kryesor i kësaj studioje, i mirënjohuri Xaveer de Geyter, u mor personalisht me dizajnin paraprak si edhe me ndjekjen e projektit gjatë fazave që pasuan konkursin. Duhet përmendur se të pesë projektet e përzgjedhura nga më shumë se 50 aplikime mjaft profesionale, sillnin një frymë të re në riperceptimin e Vlorës. Të pesë projektet e shihnin Vlorën si një qytet tashmë të bukur.

Të pesta studiot e kualifikuara për në fazën e dytë binin dakord se Vlora duhej të transformohet në një qytet ku bukuria ekzistuese bëhet me e aksesueshme nga vizitorët e ndryshëm. E veçanta e studios fituese në vlerësimin e jurisë ndërkombëtare ishte qasja pragmatike e “XDGA”- së. Projekti merrte parasysh kontekstin aktual të qytetit dhe gjithashtu kostot e mundësitë financiare të Shqipërisë. Në këtë mënyrë produkti final nuk ishte një fantazi e parealizueshme, por një seri me ide konkrete e me kosto të përmbajtura që lejojnë rikonceptimin dhe pasurimin e vijës bregdetare vlonjate në mënyrë të shpejtë dhe ekonomikisht efikase. Projekti popullon kufirin midis qytetit dhe detit me gjelbërim, duke ndërtuar jo vetëm një shëtitore, por edhe një park që zgjatet nga pylli i sodës e deri te tuneli i Vlorës. Kjo ndërhyrje pra edhe pse e limituar do të ketë një impakt të fortë në qytetin bregdetar.

Kur do të fillojë zbatimi i projektit “Vija Bregdetare e Vlorës” dhe sa do të zgjasë i gjithë procesi deri në përfundim të tij?

Procesi që pasoi përfundimin e konkursit është ende në zhvillim. Studioja belge ka vizituar 3-4 herë Vlorën gjatë muajve të fundit, duke zhvilluar takime me ekspertë të mirënjohur të qytetit si edhe dëgjesa publike me arkitektë e qytetarë vlonjatë. Qëllimi i konkursit ishte jo vetëm gjenerimi i një projekti bashkëkohor, por bashkimi i këtij të fundit me dëshirat dhe aspiratat e qytetarëve të Vlorës. Aktualisht studioja belge është duke përfunduar projektin e detajuar të hapësirës publike, i cili është i nevojshëm për përgatitjen e dokumenteve të zbatimit. Mendohet që ky proces do të përfundojë në fund të qershorit, dhe pritet që punimet për fazën e parë të fillojnë menjëherë në mbyllje të sezonit turistik me synimin që të përfundojnë përpara fillimit të sezonit të ardhshëm.

Çfarë pritet t’i sjellë qytetit të Vlorës ky projekt?

Projekti do të ketë ndikim të ndjeshëm disa-rrafshesh në qytet. Në leximin e jurisë ndërkombëtare projekti i hap rrugë potencialit të fshehur të peizazhit dhe turizmit të Vlorës. Në radhë të parë projekti kornizon pamjen fantastike që i është rikthyer qytetarëve vlonjatë, por edhe udhëtarëve që kalojnë andej tranzit, me shembjen e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Së dyti, projekti përmirëson lëvizjen përgjatë vijës bregdetare duke e unifikuar atë dhe duke krijuar një shëtitore të mirëfilltë, e cila në fazën e parë do të zgjatet nga skela deri tek tuneli.

Projekti njëkohësisht synon përmirësimin e lëvizjes automobilistike në qytet, duke krijuar një rrugë dytësore, e cila do të shfryjë trafikun e vazhdueshëm përgjatë hapësirës jugore të vijës bregdetare. Së treti, projekti mundëson krijimin e një serie me plazhe e hapësira publike dytësore përgjatë gjithë gjatësisë së shëtitores, duke krijuar pika interesi, të cilat do të rigjallërojnë e aktivizojnë jetën e qytetarëve e turistëve të Vlorës.

A janë planifikuar projekte të tilla për qytetet e tjera bregdetare? Nëse po, kur pritet të miratohen?

Projekti për “Vijën Bregdetare të Vlorës”, që prej fillimit të procesit të tij, është konceptuar si një rast pilot, i cili do të gjenerojë një model zhvillimi urban të hapësirave publike bregdetare. Në përfundim të realizimit të këtij projekti do të promovohet modeli dhe do të kërkohen mundësitë financiare për aplikimin e tij edhe në vija të tjera ujore me karakter urban, duke siguruar patjetër që modeli të përshtatet dhe të formësohet sipas kontekstit urban ku do të aplikohet përsëri. Vija bregdetare e Velipojës, vija ujore e liqenit të Shkodrës, liqenit të Ohrit, vija bregdetare e Shëngjinit, e Himarës apo e Sarandës, mund të jenë secila përfituese e këtij modeli, dhe po bëjmë më të mirën tonë për ta kurorëzuar si një model suksesi.

Sa do t’i kushtojë buxhetit të shtetit ky projekt?

Pjesë integrale e këtij modeli është edhe aftësia e gjenerimit të burimeve financiare, duke mos rënduar buxhetin e shtetit. Këtij projekti i bashkohen dita-ditës kontribues, dhe kemi të drejtë të besojmë që kjo rrjedh prej përqasjes projektuese të arkitektëve, si edhe menaxhimit me kreativitet të procesit.

Bashkia ka pasur një tjetër projekt në vitin 2012, për rregullimin e vijës bregdetare të qytetit të Vlorës. Çfarë përparësish ka projekti aktual me atë të vitit 2012?

Juria ndërkombëtare pati mundësinë të konsultohej edhe me projektin ekzistues të Bashkisë së Vlorës. Ky projekt edhe pse mjaft ambicioz fokusohej më shumë në një qasje infrastrukturore të zhvillimit, duke zgjeruar rrugën ekzistuese dhe duke tentuar krijimin e një shëtitoreje dytësore në krah të saj. Ndërkohë, në gjykimin e studios belge, një përjetim më i mirë i qytetit do të ndodhte nëpërmjet një qasjeje të kundërt, pra duke e ngushtuar rrugën ekzistuese, duke krijuar një rrugë dytësore pas vijës së parë të pallateve për të lehtësuar trafikun dhe duke zgjeruar hapësirën e shëtitores, e njëkohësisht duke e “ruajtur” hapësirën këmbësore nga makinat duke e rrethuar atë me pemë. Prania e gjelbërimit krijon një hije të këndshme përgjatë shëtitores, ç’ka bën të mundur edhe përdorimin e saj gjatë ditëve të nxehta të verës. Kjo qasje në gjykimin e jurisë do të transformonte Vlorën në një qytet të fokusuar më shumë drejt qytetarëve, të cilët përjetojnë çdo ditë qytetin dhe drejt turistëve që shpenzojnë kohë në Vlorë, e më pak drejt kalimtarëve tranzitorë automobilistikë.

Çfarë do të ndodhë me ndërtimet aktuale ku do zhvillohet projekti?

Të gjitha ndërtimet pa leje në bregdetin e Vlorës janë shembur në muajt paraardhës nga qeveria në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse. Aty ku ka ende ndonjë strukturë të mbetur, e cila në pamje të parë duket se bie ndesh me projektin e vijës bregdetare, projekti dhe arkitektët janë kreativë për të mundësuar negocimin hapësinor për të arritur përshtatjen e këtyre strukturave me shëtitoren. Synimi final është të krijohet një marrëdhënie e shëndoshë mes memories së qytetit dhe kësaj “shtrese” të re urbane.

Si Agjenci Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe “Atelier Albania”, çfarë pritshmërie keni për këtë projekt?

Projekti i vijës bregdetare të Vlorës do të jetë një projekt pilot i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe “Atelier Albania”. Pritshmëritë janë të larta, por edhe rezultati i tillë do të jetë. Besojmë se projekti do të jetë shembull për të ilustruar sesi me ndërhyrje të kufizuara urbane mund të rigjallërohet jeta dhe ekonomia e një qyteti, në këtë rast Vlora. Ai gjithashtu do të jetë shembull sesi ndërhyrjet në hapësirat urbane mund të kenë ndikim mjaft të madh dhe të jenë një alternativë e konsiderueshme ndaj projekteve të mëdha e të kushtueshme infrastrukturore.

Vlora e meriton këtë projekt për vetë historinë dhe rolin e saj

Zv. kryetari i Planifikimit të Territorit dhe Infrastrukturës, Ardian Musta: Projekti është konsultuar dhe mirëpritur nga qytetarët e Vlorës

Projekti “Vija Bregdetare e Vlorës”, i njohur ndryshe si projekti “Lungomare”, i fituar nga studioja belge “XDGA”, si është pritur nga qytetarët e Vlorës? Çfarë impakti ka pasur tek ata?

Projekti “Lungomare” i fituar nga studioja belge “XDGA” është një nga projektet më madhore dhe ambicioze që do të realizohet përgjatë vijës bregdetare të vendit tonë. Studioja belge ka bërë një punë shumë të mirë në harmonizimin e vijës bregdetare me zonat e ndërtimit dhe zhvillimit të qytetit tonë. Ka sjellë një rikonceptim më modern të ruajtjes së raporteve të drejta ndërmjet vijës së bregdetit, zonës së plazhit, shëtitores për këmbësorët dhe zonave të banimit. Ky projekt është pritur shumë mirë nga gjithë qytetarët e pritshmëritë do të jenë shumë më të mëdha gjatë realizimit të tij.

A janë bërë konsultime paraprake, apo qoftë edhe tani, me qytetarët lidhur me këtë projekt?

Menjëherë pas shpalljes fituese, kompania belge ka filluar një bashkëpunim të ngushtë me Bashkinë Vlorë. Ekspertët tanë dhe të tyre kanë zbritur menjëherë në terren dhe kanë filluar nga puna për përgatitjen e të dhënave për të realizuar projektin e zbatimit. Gjatë kësaj kohe që grupi teknik punonte në terren, grupi i udhëheqjes së studios në bashkëpunim me bashkinë dhe ministrinë kanë organizuar shumë takime me qytetarët, takime me grupet e interesit si dhe konsultime me grupet e ekspertëve të fushave të ndryshme të qytetit tonë. Janë shkëmbyer mendime dhe janë marrë sugjerime të shumta, të cilat do të shqyrtohen me vëmendjen më të madhe nga autorët e projektit.

Pse u zgjodh pikërisht Vlora për këtë projekt?

Mendoj se Vlora e meriton një projekt të përmasave të tilla për vetë historinë dhe rolin e saj në pavarësinë e vendit. Është fillimi i 100-vjeçarit të dytë të pavarësisë. Bukuritë natyrore, ku ndërthuren mrekullisht deti, kodrat e malet, si në asnjë qytet tjetër, është një nga qendrat më të bukura të turizmit shqiptar, dhe më kryesorja është i vetmi qytet në Shqipëri që të ofron hapësira kaq të mëdha për të realizuar projekte të tilla. Vija bregdetare është e ruajtur shumë mirë dhe e prekur shumë pak nga zhvillimet betonizuese të këtyre 20-viteve të fundit. Një meritë të veçantë ka Bashkia Vlorë që ka miratuar vijën e ndërtimit dhe e ka ruajtur atë që 10 vjet më parë.

Në vitin 2012 ka pasur një tjetër projekt për zhvillimin e vijës bregdetare të Vlorës, por nuk u zbatua asnjëherë në realitet. Si janë pritshmëritë për këtë projekt? Do zbatohet apo do mbetet edhe ky në letër?

Jam i detyruar të theksoj se ai ka qenë një projekt i konceptuar për t’u realizuar me fondet e Bashkisë Vlorë, në kushtet kur qeveria shqiptare na bllokonte fondet për realizimin e sheshit të Flamurit për 100-vjetorin, dhe mundësia e fondeve nga qeveria shqiptare ishte zero. Në ato kushte, ne ishim të detyruar të gjenim një raport të drejtë ndërmjet një projekti sa më të bukur dhe me kosto sa më të ulët. Sheshi i “Skelës” sot, ose e ashtuquajtura “Pedonale” është pjesë e projektuar dhe realizuar nga projekti i Bashkisë Vlorë me fondet e Bashkisë Vlorë.

Besoj se kemi bërë më të mirën në ato kushte të rënda të qeverisjes së PD-së. Projekti dhe idetë e Bashkisë Vlorë do të integrohen në mënyrë sa më të natyrshme me projektin e “Lungomare-s”, pasi në fund do të jenë qytetarët e Vlorës që do e përfitojnë këtë investim. Tashmë çdo gjë është ndryshe. Ka një interesim të jashtëzakonshëm të qeverisë shqiptare, veçanërisht e kryeministrit Edi Rama për qytetin tonë. Dikur e harruar nga qeverisja e kaluar, sot në vëmendjen e përditshme të saj.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button