Sali Devolli, heroi pejan që largoi barrikadën

E plotësuar) Personi që negocioi heqjen e barrikadës, Sali Devolli, tregon se janë të pavërteta deklaratat e Kryeministrit Thaçi dhe të zv/kryeministres Edita Tahiri se për heqjen e barrikadës është vendosur në Bruksel. Devolli thotë se ai bashkë me ndërkombëtarët mund ta heq për 24 orë barrikadën por me kusht që në këtë proces të mos përzihet Qeveria e Kosovës.

Devolli thotë se janë të pasinqerta deklaratat e qeveritarëve se heqja e barrikadës është negociuar ne Bruksel.

“Unë sërish mund ta heq barrikadën. Ndërsa as qeveria e Kosovës as ajo e Serbisë asnjëherë nuk do ta bëjnë këtë”, tha Devolli.

“Unë mendoj se dialogu me Serbinë në Bruksel duhet të ndërprehet sepse asgjë të mirë nuk ka nga ai dialog. Duhet të bisedohet me qytetarët e Mitrovicës”, thotë ai.

“Prapë them se barrikada mund të hiqet për 24 orë në qoftë se Qeveria jonë nuk përzihet”, tha Devolli /Telegrafi/

————————————————————————

(E plotësuar) Sali Devolli, personi që negocioi heqjen e barrikadës, tregon se pas idesë për heqjen e barrikadës dhe marrjes së pëlqimit nga serbët e veriut ka organizuar edhe dy takime me serbët dhe me ndërkombëtarët, për të konkretizuar hapat e mëtejmë. Ai tregon se i tërë procesi u prish pas deklaratave të Kryeministrit Thaçi për heqjen e shpejt të barrikadës dhe ndërhyrjes nga Qeveria e Beogradit.

Devolli, pa dashur të përmend se cilët diplomatë ndërkombëtarë të cilët kanë marrë pjesë në negociatat për heqjen e barrikadës, tregon se një zyrtar i lartë qeveritar kishte shprehur rezerva ndaj iniciativës së tij.

Thotë se krejt këtë e ka bërë me iniciativë që të mundësojë lëvizjen e lirë dhe se kurrë më parë nuk ishte takuar me Zvonko Veselinovicin dhe se nuk ka asnjë biznes me të.

“Edhe ndërkombëtarët me kanë pyetur se ku është interesi im në këtë iniciativë. Ju kam thënë se të tërën po e bëj vetëm për të mirën e Kosovës”, thotë ai.

Ai thotë se e tërë iniciativa dhe plani për heqjen e barrikadës është bërë pa involvimin e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe të Serbisë.

“Në takimin e dytë u dakorduam për detajet. Donim që kjo të bëhej si befasi dhe si diçka madhështore. Grupi ynë, që kemi qenë të involvuar, kemi dashur që e tëra të bëhej në fshehtësi. Pra donim që e tëra që do të bëhej të ishte meritë e qytetarëve, e jo e ndokujt nga politikanët”, tha ai në Rubikon.

Devolli tha se ishim dakorduar që barrikada të hiqej para zgjedhjeve, por për shkak se dikush nga partitë politike do të mund t’ia atribuonte meritat, e lamë që heqja e barrikadës të ndodhte pas zgjedhjeve.

“Ishte ideja ime që barrikada të hiqej të mërkurën në ora 11:00, kurse ndërkombëtarët kërkuan që të hiqej në orën 8:00. Një ditë më herët filloi heqja e kontejnerëve dhe për këtë më lajmëruan ndërkombëtarët… Ky ishte një sinjal se diçka po ndodhte dhe për këtë u informua edhe Qeveria e Serbisë”.
Thotë se për idenë e heqjes së barrikadës nuk ka ditur as kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakic.
“Të martën kur filloi heqja e kontejnerëve unë isha në Shkup. Serbët të martën pas dite më informuan se kanë marrë urdhër nga Qeveria e Serbisë që të mos lëvizet barrikada”, thotë Devolli, pa dashur të përmend emrat e serbëve që ishin të involvuar në këtë proces.

“Erdha në Prishtinë të martën pas dite dhe u takova me ndërkombëtarët, të cilët më thanë se puna është shumë keq. Kryeministri Thaçi kishte deklaruar se barrikada do të hiqej shumë shpejt dhe me këtë kishte prishur shumë punë. Ai ishte informuar nga dikush prej ndërkombëtarëve për atë që do të ndodhte…. Deri në orën 22:00 të martën kam qenë në Prishtinë dhe atyre ju kam thënë se unë po shkoj në Mitrovicë dhe vetë do ta rregulloj këtë punë… Shkova në Mitrovicë dhe i takova serbët në një lokal dhe ju thashë se ne kemi premtuar se nesër kjo barrikadë do të hiqet… Do ta mbajmë premtimin ose jo? Ata kanë kontaktuar me Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vucicin i cili ka thënë se nuk bën të heqet barrikada. Atëherë unë ju thashë serbëve se unë po shkoj sepse ju nuk po e mbani fjalën, kurse ndërkombëtarët i kanë informuar edhe shtetet e tyre se do të hiqej barrikada. Atëherë njëri nga serbët më tha: A don sonte me heq? I thashë po” tha ai.

“Atëherë i informova ndërkombëtarët dhe nuk besoja se do të hiqej barrikada derisa erdhën buldozerat… Atëherë erdhën pjesëtarët e ‘Cicilna Zastita-s”, të cilët pyetën se çfarë po ndodhë. Aty e kuptova se në veri janë rreth 250 anëtarë të kësaj organizate. I njoftova ndërkombëtarët dhe filluam ta heqim barrikadën”, thotë Devolli.

Ai thotë se vetë qytetarët e veriut kanë paguar buldozerët që kanë hequr barrikadën.

“Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk e ka ditur se do të hiqej barrikada. Më ka ardhur keq për sjelljet e tij. A i është sjellur si një palaço…”, thotë ai.

“Në orën 5 njerëzve që ishin aty ju erdhi mesazhi nga Beogradi dhe ju thanë se nesër do të vijnë aty dhe të bëjnë “Parkun e Paqes”… Ndërkombëtarët nuk besuan, kurse unë ju thashë se ata do ta bëjnë këtë. Dhe, derisa ishim ne aty erdhën njerëzit e ‘Civilna Zastitas’ dhe na thanë: ‘derisa jeni ju këtu, ne nuk do të ndërmarrim asgjë, por sapo të shkoni këtu do të ndërtohet ‘Parku i paqes, dhe ashtu ndodhi”, rrëfen Devolli. /Telegrafi/

——————————————————————–

(E plotësuar) Sali Devolli tregon se pas takimit me Veselinovicin ka vazhduar takimet me misionet diplomatike në Kosovë të cilëve ua kishte shpjeguar idenë, por thotë se ata kishin shprehur rezerva. “Në takimin me ndërkombëtarët dhe me serbët në veri, pas zgjedhjeve nacionale, ju thashë se unë do ta heq barrikadën për 24 orë, kurse serbët thanë se do ta heqin për 12 orë”, tha Devolli.

Devolli duke shpjeguar takimet me Veselinovicin, thotë se ndërkombëtarëve ua ka shpjeguar të gjitha.

“U thashë se të Veselinovici pashë gatishmërinë për të mundësuar lëvizjen e lirë. Ndërkombëtarët nuk besonin shumë në këtë”, thotë Devolli.

Ai thotë se ka intervenuar edhe vitin e kaluar në zhbllokimin e mallrave të bllokuara në kufiri në veri të Kosovës.

Thotë se nga “Rojat e urës”ka parë gatishmërinë për të mundësuar lëvizjen e lirë.

“Mendoj se ‘Rojat e urës’ dhe qytetarët e veriut janë viktimë e politikës së Beogradit… “, thotë ai.

Devolli thotë se ndaj Zvonko Veselinovicit ende nuk ka ndonjë aktakuzë për veprimtari kriminale.

Ai thotë se procesi i bisedimeve për heqjen e barrikadës u ndërpre pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013, kur ndodhen problemet me kutitë e votimeve.
Devolli thotë se njerëzit e angazhuar nga Qeveria e Serbisë e prishën procesin zgjedhor të 3 nëntorit të vitit 2013.

“Pas kësaj, bashkë me ndërkombëtarët kemi takuar Veselinovicin dhe qytetarët të tjerë serbë të veriut, të cilët na premtuan se përsëritja e zgjedhjeve do të kalojë në rregull, pa incidente dhe se ata ishin të interesuar që të krijojnë institucionet dhe të integrohen”, tha Devolli.

Thotë se bashkë me ndërkombëtarët filluan të organizojnë takime me serbët e veriut çdo javë.
“Këtë e kemi bërë edhe para zgjedhjeve nacionale që në veri të kemi zgjedhje të qeta, pra të mos ketë dhunë. Këtë edhe e arritëm”, tha ai.

“Pas përfundimit të procesit zgjedhor në mënyrë të rregullt, ndërkombëtarët thanë se tash e kanë kryer punën në veri, por unë ju thashë se kemi çka të bëjmë. E kemi barrikadën. Ata thanë se aty nuk guxojmë asgjë ë bëjmë. Por, unë ju thasë se atë e heq për 24 orë nëse ju më lejoni. Serbët e pranishëm në takim më shikuan dhe më thanë se çka ju thashë ndërkombëtarëve në takimin ku ishin ata. Ju tregova se u thashë se për 24 orë mund ta heq, kurse ata më thanë: thuaju se ne do ta heqim për 12 orë”, tha Devolli.
Ai thotë se është i vetmi që ka negociuar me ndërkombëtarë dhe me serbët e veriut. /Telegrafi/

——————————————————————

(E plotësuar) Pejani 40-vjeçar Sali Devolli, personi që negocioi heqjen e barrikadës në emisionin Rubikon të KTV-së, ka konfirmuar atë që ka thënë për Telegrafin se ai ishte iniciator dhe negotiator për heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Thotë se iniciativa për heqjen e barrikadës ka nisur pas takimit të tij me Zvonko Veselinovicin, vitin e kaluar.

Njeriu që ka kryer tri fakultete thotë se katër herë ka negociuar me njerëzit në veri për heqjen e barrikadës.

Thotë se gjithçka ka filluar vitin e kaluar gjatë pushimeve të tij në Mal të Zi, ku gjatë bisedës me një person në atje e vendos në kontakt me një person me ndikim në veri të Mitrovicës.

“Personit serb që kontaktova nga veriu, i thashë jeni bërë si Al Qaeda nuk po lejoni të komunikohet normalist… Ai ishte Zvonko Veselinovic”, thotë Devolli.

Ai thotë se nuk e dinte se Veselinovic ishte i kërkuar nga policia.

“Në marrëveshje me të vendosëm që të nisim kontaktet për heqjen e barrikadës. Edhe ai u pajtua që të normalizohet jeta në Mitrovicë”, tha Devolli. /Telegrafi/

——————————————————–

Atë që politika, edhe pse kishte tentuar disa herë, nuk kishte arritur ta bënte, e bëri një qytetar i cili madje e mori edhe epitetin hero. Largimi i barrikadës mbi urën e Ibrit, ka një “fajtor”, e ai është pejani 40-vjeçar Sali Devolli. Ai i ka thënë Telegrafit se është irrituar nga deklaratat e politikanëve, të cilët tentonin t’i përvetësojnë meritat për këtë ngjarje. “Unë ju them se ata s’kanë kurrfarë merite në largimin e barrikadës. Bash asgjë s’kanë ditë, kur po i dëgjoj secili duke rrahur gjoks, po me vjen të qeshem”, tha Devolli.

Ndonëse barrikada ishte temë e diskutimit edhe në dialogun e stërmundimshëm për normalizimin e marrëdhënieve, në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, nuk ishte arritur gjë veç “fjalëve të mira”.

Heroi i vërtetë i largimit të barrikadës mbi urën e Ibrit më 18 qershor, është 40 vjeçari nga Peja, Sali Devolli, i cili në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se këtë e ka bërë për t’i bashkuar njerëzit e të dyja anëve dhe assesi për ndonjë interes personal.

“Kjo është dëshirë e njerëzve të asaj pjese, e banorëve të Mitrovicës së Veriut. Edhe ata janë lodh nga ndarja, nga konflikti dhe thjesht duan të jetojnë jetën pa probleme. Jam irrituar nga deklaratat e politikanëve të cilët tentojshin me i përvetësu meritat për këtë ngjarje. Unë ju them se ata s’kanë kurrfarë merite në largimin e barrikadës. Bash asgjë s’kanë ditë, kur po i dëgjoj secili duke rrahur gjoks, po me vjen të qeshem. As kryeministri, as Edita Tahiri, po as kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk kanë lidhje me ngjarjen”, ka thënë ai për Telegrafin. /Telegrafi/

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button