Ajeti i lumtur me pasaportën shqiptare: Krenarë që do luaj për Shqipërinë

Është një nga mbrojtësit më të talentuar shqiptar dhe Gianni De Biasi ka bërë mirë që e ka ofruar në Kombëtare. Fjala është për mbrojtësin shqiptar Arlind Ajetin i cili la Zvicrën dhe është pajisur me pasaportën e Shqipërisë për të qenë i gatshëm për Kombëtaren shqiptare.

Betim Zeqiri
Ishte pjesë e gjitha grupmoshave të Zvicës për tu pjekur si lojtar dhe momentin që Shqipëria e ftoi nuk hezitoi në asnjë moment që ta pranoj ofertën për t’i shërbyer kombit të tij.
Arlind Ajeti është pajisur me pasaportën shqiptare dhe do të jetë në sfidën Shqipëri-Armeni, ndeshje që do të zhvillohet më 29 mars.
Në një prononcim për Telegrafin, 21-vjeçari tregon lumturinë e tij pasi është pajisur me pasaportë si dhe emocionet që ia jep fanella kuq e zi.
“Pasaporta e Shqipërisë ishte dëshirë e madhe jo vetëm për mua por për gjithë familjen time. Jam i lumtur që mu ka dhënë kjo mundësi të pajisem me pasaportën shqiptare”, tha fillimisht Ajeti për Telegrafin, duke treguar edhe emocionet mes fanellës së Zvicrës dhe asaj të Shqipërisë.
“Nuk dua ta harroj Zvicrën që jam rritur këtu dhe mi ka plotësuar të gjitha kushtet për të ardhur deri këtu ku jam. Faleminderit Zvicër por Shqipëria më jep emocione të papërshkrueshme. Nuk mund t’i them me fjalë pasi vetëm ata që i kanë përjetuar e dinë se çfarë do të thotë ta veshës fanellën e Kombëtares. Emocionet që mi ka dhënë Shqipëria nuk i kam pasur asnjëherë në jetë”, tha Ajeti.
Tutje mbrojtësi fantastik flet edhe për ndeshjen e rëndësishme të Kombëtares ndaj Armenisë ku fitorja eventuale e kuqezinjve do të thotë një hap para drejt realizimit të ëndrrës së madhe, për tu kualifikuar në Kampionatin Evropian.
“Do të jetë një lojë shumë interesante. Armenia është një skuadër e fort por besoj se në fund do të triumfojmë ne. Përkrahja e tifozëve na bënë më të fortë dhe na motivon për të fituar”.
“Gashi është në formë të madhe dhe shpresoj që të jep gol edhe në këtë ndeshje. Por në fund po them që s’ka rëndësi kush shënon vetëm të shënoj dikush dhe të fitojmë”.
“I premtoj gjithë tifozëve shqiptarë se jo vetëm unë por të gjithë shokët e Kombëtares do të japim gjithçka nga vetja për t’i fituar tri pikë nga kjo ndeshje”, përfundoi prononcimin e tij për Telegrafin Ajeti.
Kujtojmë që Arlind Ajeti ka luajtur në dy ndeshjet miqësore me Shqipërinë ndaj Francës dhe Italisë, ndërsa për grupmoshat e Zvicrës nga U17 deri në U21 ka zhvilluar gjithsej 36 ndeshje dhe ka shënuar tre gola. 

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button