FOTOLAJM / De Biazi bëhet shqiptar

Presidenti Bujar Nishani i dorëzoi sot trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazit, shtetësinë shqiptare.

Nishani ka zhvilluar një takim me lojtarët e Kombëtares dhe drejtuesit e FSHF-së vetëm një ditë para ndeshjes me Armeninë.

De Biazi e kishte shprehur edhe më herë dëshirën për t’u pajisur me një pasaportë shqiptare. Ai është i vetmi nga trajnerët e huaj të Kombëtares shqiptare që gëzon këtë status.

Presidenti Nishani ia dorëzoi pasaportën shqiptare trajnerit të kombëtares, gjatë një ceremonie të organizuar në grumbullimin e kombëtares në “Tropikal”.

“Ah…, e di çfarë do më pëlqente? Që miku im Kryeministër të më jepte nënshtetësinë shqiptare. Do isha me të vërtetë shumë krenar. Tek e fundit jam martuar me një shqiptare: Kombëtaren kuqezi, ka 3 vite e pak”,­ka thënë De Biazi tre muaj më parë në faqen zytare në internet të “Tifozëve Kuq e Zi”.

De Biazi ka marrë drejtimin e Shqipërisë në dhjetorin e vitit 2011 dhe gjatë kohës së kaluar në vendin tonë ka arritur të përvetësojë gjuhën shqipe, edhe pse nuk e flet rrjedhshëm.

Megjithatë, gjatë konferencave për shtyp, ai e ka bërë të zakonshme që t’u përgjigjet pa pasur nevojë për përkthim pyetjeve në shqip, shpesh edhe me fraza në gjuhën shqipe. Të hënën, në konferencën e tij të fundit për shtyp, ai bëri të ditur se po përvetësonte edhe “Himnin e Flamurit”, të cilin e kishte dëgjuar shpesh gjatë kohëve të fundit në “YouTube”, ndërsa premtoi se pasi të merrte shtetësinë shqiptare, do të provonte edhe ta këndonte.

Trajneri i përfaqësues falënderoi presidentin për vlerësimin ndërsa vetë Nishani në fjalën e tij deklaroi: “Kam dëshirë të krijoj një lehtësi psikologjike, për ju që jeni të mbingarkuar në prag të një ndeshje kaq të rëndësishme. Më lejoni t’i dorëzoj dekretin shtetasit më të ri, Xhani De Biazi”.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button