De Biasi, ky “vrasës” trajnerësh

Trajneri i kombëtares sonë, Gianni De Biasi, pas suksesit të merituar 2-1 ndaj Armenisë, është në “qiellin e shtatë”. Dhe ka të drejtë. Ishte një fitore me përmbysje, disi e vonuar, por plotësisht e merituar, ku kuqezinjtë tanë demonstruar jo vetëm vlera sportive, por edhe shpirt të lartë gare. E synuan fitoren gjatë 90 minutave, punuan me ngulm, djersitën dhe e arritën atë. Tani kuqezinjtë tanë ngjiten në kuotën e 7 pikëve në Grupin I dhe i afrohem akoma më tepër finaleve të Parisit.

Këto dy ditët e fundit kanë qenë mjaft fatsjellëse dhe të shënuara për trajnerin Gianni De Biasi. Të shtunën, mori dekretin e marrjes së nënshtetësisë shqiptare. Të dielën, mundi 2-1 Armeninë, duke kaluar me sukses një ndeshje, të cilën e konsideronte si “ndeshjen e jetës së tij”.

Por shqiptaro-italiani, Gianni De Biazi, tani me të drejtë ka marrë edhe cilësimin, si njeriu që “ha koka” trajnerësh në Grupin I.

Pas fitores së arritur në Portugali, trajneri i luzitanëve, Paulo Bento, shkarkohet nga detyra. Pas ndeshjes së ndërprerë Serbi – Shqipëri në Beograd, trajneri i serbëve, holandezi Dick Advocaat, jep dorëheqjen pasi e shikon të pamundur vazhdimin e punës së tij. I treti për nga radha, i cili ka provuar “grushtin” e shqiptaro-italianit Gianni De Biasi të dielën në “Elbasan Arena”, është trajneri zviceran i armenëve Bernard Challandes. Sipas medias vendase para kësaj ndeshjeje, presidenti i federatës armene, Ruben Hayrapetyan ishte shprehur, se në rast mos suksesi në Shqipëri, marrëdhëniet me trajnerin Bernard Challandes, mund të ndërpriten.

Mbetet të presim. Cilido qoftë ai, shqiptaro-italiani Gianni De Biasi, me bëmat e tij në eliminatoret e Euro 2016, e ka merituar epitetin, si njeriu që “ha koka” trajnerësh.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button