Miratohet projekti, 10 mln euro për të modernizuar “Loro Boriçin”

Nuk është konfirmuar nëse stadiumi do të jetë i gatshëm për datën 8 tetor, kur luhet ndeshja Shqipëri-Serbi

    Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar dje projektin për rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër, i cili së shpejti do të kthehet në impiantin e dytë që plotëson standardet e UEFA-s në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama, i cili kishte premtuar në tetorin e vitit të kaluar se ndeshja e eliminatoreve të Euro 2016 me Serbinë do të luhej në Shkodër, ka kryesuar dje mbledhjen e Këshillit që ka miratuar projektin me vlerë 10 milionë euro të arkitektit Peter Uillson, i cili në muajt në vijim do të ndryshojë tërësisht imazhin e këtij stadiumi falë investimit të qeverisë shqiptare.projekti per Loro Borici

    Në projekt parashikohet rikonstruksioni i dy tribunave ekzistuese të stadiumit, do të ndërtohet nga e para tribuna kryesore, si dhe do të ndërtohet një tribunë e vogël pas portës, që nuk u realizua në rikonstruksionin e fundit të impiantit në fundin e viteve ’80. Me tribunat e reja që ndërtohen, kapaciteti i stadiumit rritet me 5100 vende, por nuk është vendosur ende për kapacitetin përfundimtar të tij, që varion mes 17 mijë dhe 20 mijë vendeve, pasi projekti mund të pësojë ndryshime siç ka ndodhur edhe me “Elbasan Arena”. Ndërkohë, të gjitha ambientet funksionale do të zhvendosen në tribunën e re qendrore të stadiumit, e cila, sipas projektit, do të jetë katërkatëshe.

    “Morëm një vendim të rëndësishëm për t’i hapur rrugë fillimit të punimeve, për të rindërtuar dhe për të transformuar rrënjësisht stadiumin ‘Loro Boriçi’ dhe për të kthyer nga një rrënojë që nuk e meritojnë shkodranët në radhë të parë, si dashamirës të flaktë të futbollit, por nuk e meritojnë në të gjitha rastet edhe ata që e vizitojnë Shkodrën, – në një stadium që plotëson të gjitha kriteret e UEFA-s dhe që mund të çeli portat për të mikpritur skuadrën tonë kombëtare apo skuadrat që do të ndeshen me Vllazninë në kompeticione europiane”, tha Kryeministri Rama pas mbledhjes. “Ka qenë një proces i vështirë, sepse është dashur të bashkëpunohet ngushtësisht me UEFA-n. Ju e dini më mirë se unë se çfarë katrahure është bërë përreth stadiumit, i cili praktikisht është tkurrur për shkak të ndërtimeve të ububushme që ka lejuar Bashkia e Shkodrës rreth e përqark tij, gjë që vështirësonte zgjidhjet për parametrat e domosdoshëm. Unë mund t’u them vetëm se brenda disa ditësh do të bëjmë këtu në Shkodër, në stadium, një prezantim për të gjithë publikun shkodran, të projektit i cili do të jetë plotësisht i prekshëm me sy edhe nga joprofesionistët”, premtoi ai për këtë impiant të ri.

    Kreu i qeverisë nuk konfirmoi nëse stadiumi do të përfundonte në kohë, që në këtë impiant të luhej ndeshja me Serbinë, por e cilësoi si një premtim të mbajtur ndaj popullit të Shkodrës. “Kjo është një tjetër e vërtetë e rëndësishme, në kuadrin e mbajtjes së të gjithë atyre zotimeve dhe të këtij zotimi të rëndësishëm që ne kemi bërë përpara publikut shkodran, por edhe në funksion të një interesi të madh publik që e përfaqëson kombëtarja e Shqipërisë. Të jeni të bindur se nëse ‘Elbasan Arena’ ishte një shembull i shkëlqyer i një pune të lëvduar nga të gjithë sportdashësit, nga të gjithë qytetarët dhe nga UEFA, ky do të jetë një shembull edhe më i shkëlqyer. Të jeni të sigurt se Shkodrës do t’i shtohet me këtë stadium një vlerë e madhe publike dhe një vlerë e rëndësishme arkitektonike”, tha ai, duke konfirmuar njëkohësisht se për çdo shpronësim në ambientet rrotull stadiumit do të caktohej dëmshpërblimi sipas ligjeve në fuqi.

    loading...

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    Back to top button