Sherr për këngën e re të Kombëtares

Ndeshja Shqipëri-Armeni u shoqërua me këngën “Kuq e Zi je ti”, kënduar nga Elvana Gjata dhe Flori Mumajesi.

Megjithëse e kemi dëgjuar gjithandej këto ditë, disa tifozë mendojnë se kjo këngë është e papërshtatshme, krahasuar me këngën historike “Xhamadani vija-vija”.

Disa analistë në Kosovë kanë dalë kundër këngës së re, raporton “Zëri”. Analisti Halil Matoshi thotë se kënga e re “Kuq e Zi je ti” kushtuar Kombëtares mbjell sherr, në vend që të ofrojë bujari shqiptare.

“Hiti “Xhamadani…” do të ishte më i pranueshëm për motivimin e futbollistëve të kombëtares së Shqipërisë, kur dihet se shumica prej tyre janë kosovarë, mirëpo edhe kjo këngë ka tejngarkesa emotive që barasvlerësohen me një art nacionalist”, është shprehur ai.

Edhe publicisti Artan Fuga ndan një qëndrim të ngjashëm. Sipas tij, kënga i thur lavde flamurit dhe jo sportit dhe në këtë kontekst, “duke e politizuar, nacionalizuar, kthyer futbollin në marketing politik, krijojmë iluzione”.

Ndërsa tifozët besnikë të Kombëtares shqiptare, “Plisat” e Prishtinës, thonë se kënga e re nuk është e përshtatshme për të bërë tifozëri.

“Këngën “Xhamadani vija-vija” e dinë krejt tifozët dhe e këndojnë vazhdimisht. Kurse, këngën e re nuk e dinë, përveç asaj pjesës së theksueshme “Kuq e Zi je ti”. Kjo këngë s’ka të bëjë me tifo, është e papërshtatshme. “Xhamadani vija-vija” nuk do të harrohet asnjëherë, por gjithmonë do ta këndojmë. Ajo është motivi ynë dhe i futbollistëve”, është shprehur lideri i “Plisave”, Albert Kastrati.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button