A ndikoi konsulenca e znj.Blair në tërheqjen e Qeverisë Rama nga anulimi i kontratës me Bankers?

Në prill 2014 qeveria shqiptare ndërmori hapin e parë për të anuluar një nga kontratat më të rëndësishme në fushën e hidrokarbureve në vend.

Në këtë periudhë (17 prill 2014) Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë si dhe Avokaturës së Shtetit, një shkresë ku i kërkon gjetjen e një kompanie konsulente e cila të ketë eksperiencë në fushën e arbitrazhit, pasi çështja e anulimit të kontratës pritej të përfundonte në drejtësinë ndërkombëtare.
DITA raportoi me detaje në atë periudhë mbi këtë ndërhyrje strategjike në sektorin e hidrokarbureve në Shqipëri që kishte në epiqendër të vëmendjes kompaninë “Bankers Petroleum”.
Për të pajtuar konsulentin e specializuar që do orientonte qeverinë nëse duhej të kalonte ose jo në arbitrazh, u zhvillua një tender në Tiranë.
Këtë tender e fitoi një kompani angleze e quajtur:“Omnia Strategy LLP”.
Omnia do të orientonte qeverinë shqiptare në lidhje me qëndrimin që duhet të mbante me kontratën koncesionare me “Bankers Petroleum”.
Nga një kërkim i thjeshtë në internet, rezulton se Presidente dhe drejtuese e kompanisë angleze “Omnia Strategy LLP” është zonja Cherie Blair.
Ajo është bashkëshortja e ish-kryeministrit anglez Tony Blair, ndërsa ky i fundit është prezantuar në Tiranë si një këshilltar (pa pagesë) i qeverisë.
Kopertinë e DITA-s 14 qershor 2014

Kopertinë e DITA-s 14 qershor 2014
Rezulton se kompania e zonjës Blair është themeluar në vitin 2011, por kjo kompani ka pasur dhe bashkëpunime të mëparshme me qeverinë shqiptare në të kaluarën madje para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.
Bëhet fjalë për pajtimin në vitin 2012 të kësaj kompanie me qëllim mbrojtjen e shtetit shqiptar në Arbitrazh për zgjidhje kontrate me kompaninë e naftës “SKY Petroleum” që kërkonte 600 milionë euro dëmshpërblim.
Një vit më vonë shteti shqiptar doli fitues nga kjo çështje, kërkesa e “SKY Petroleum” u rrëzua.
Dy vjet pas kesaj kompania e zonjës Blair u pajtua nga qeveria “Rama” jo për të ndjekur një proces gjyqësor, por thjesht për të orientuar nëse ia vlen ose jo të hapet një proces gjyqësor me “Bankers”.
Duket si një konsulencë e thjeshtë, por nuk është aspak e tillë, ndonëse pagesa për konsulentin ishte vetëm 20 mijë euro. Sektori i energjisë, përfshirë atë të hidrokarbureve, nuk funksionon thjesht si një treg, por si një treg strategjik. Çka do të thotë se asete të rëndësishme të këtij tregu, asnjëherë nuk gjenden në duar të rastësishme. Kontrolli mbi to ka gjithnjë prapavijë të fortë politike, herë kombëtare, herë ndërkombëtare, ose dhe të kombinuar.
Kur “Bankers” nisi të operonte në vendin tonë, shpalli si pjesë të Bordit Drejtues të kësaj kompanie një VIP jo pak të njohur për shqiptarët: Gjeneralin Wesley Clark. Ai ishte drejtuesi ushtarak më i lartë i NATO-s, që nën iniciativën dhe direktivën e dyshes Clinton-Blair, drejtoi operacionet ushtarake në Kosovë pas gjenocidit të shtetit serb.
Zoti Clark është shumë popullor ndër trevat shqiptare, por pas tërheqjes nga karriera ushtarake ai i është futur biznesit, ka hapur dhe ai një firmë konsulence, por ndërkohë rezulton dhe në Bordin Drejtues të kompanisë “Bankers Petroleum”.
Zoti Clark dhe zoti Blair  janë ndër më të spikaturit në atë që quhet “Iniciativa Clinton”, një konglomerat personalitetesh ndërkombëtare të botës së politikës dhe biznesit që shpesh i dedikohet bamirësive, por nuk lë pas dore as lobingun, sidomos kur vjen puna për vendet e botës së tretë.
Duket si një ‘garë’ mes miqsh të vjetër, nga njëra anë “Bankers” që është në shënjestër për abuzime flagrante me koncesionin e Patos-Marinzës dhe që në Bordin Drejtues ka gjeneralin Clark.
Nga ana tjetër kemi qeverinë shqiptare, që pajtoi euro firmën konsulente “Omnia Strategy LLP “të zonjës Blair.
Sipas kontrates se 2014-s zonja Blair dhe kompania e saj duhej të dorëzonte pranë autoriteteve shqiptare raportin përfundimtar të vlerësimit mbi nismën e arbitrazhit (brenda muajit korrik te atij viti).
Ne baze te ketij raporti  qeveria shqiptare do të merrte vendimin e saj përfundimtar mbi këtë çështje.
Se çfare raporti ka bërë Omnia (në latinisht do të thotë “gjithçka”) qeveria nuk dha detaje. Por sot jemi në prill 2015 dhe hapat e qeverisë shqiptare për prishjen e kontratës me Bankers u stopuan prej atëherë /DITA

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button