"21 Janari",Basha: Të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë homogjene mbi demostruesit (VIDEO)

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka lajmëruar depozitimin e një padie penale për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për ngjarjet e “21 Janarit” ku humbën jetën katër persona. 


Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi në seancë plenare këtë të enjte se ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, është paditur për “shpërdorim detyre”.

Sipas Tahirit, kreu aktual i PD-së, në detyrën e ministrit të Brendshëm ka urdhëruar përdorimin e lëndëve kimike gjatë protestës së opozitës. Gjithashtu, sipas Tahirit, ka pasur edhe falsifikime dokumentesh.

“Dua të bëj me dije Kuvendin për një padi të depozituar sot nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat e qytetarëve, ku pas një inspektimi në Gardën e Shqipërisë mbi procedurat dhe dokumentacionin e mbajtur para, gjatë dhe pas protestës së21 Janarit 2011, dhe ku u administruan të gjithë dokumentacionet lidhur me veprimet që ka kryer Garda e Republikës, u gjet që ka falsifikim dhe urdhëra të kundraligjshëm nga ministri i Brendshëm i asaj kohe dhe nga punonjësit e Gardës të cilët, shpresoj, do shkojnë të përgjigjen para drejtësisë së bashku me ish-ministrin e Brendshëm. Nga këqyrja e librit të marrjes së shërbimit të datës 21 Janar 2011, rezulton i pasqyruar me shënim nga operatori i shërbimit një urdhër i dhënë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ora 16:28 me përmbajtje, citoj: ‘Komunikoni me gjeneralin dhe të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë lakrimogjene mbi demostruesit në Piramidë’. Kjo frazë është e korigjuar, pra e falsifikuar. Para korigjimit ka qenë: ‘Komunikoni me gjeneralin dhe të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë homogjene mbi demostruesit tek Piramida’. Gjithashtu në faqen e dytë të librit të shërbimit rezulton i pasqyruar shënimi i mëposhtëm: ‘Urdhërdhënësi, gjenerali, ( ai që pastaj doli me syrin e nxirë) Gjenerali, ora 14:54 urdhëri: ‘Asnjë lloj zjarri pa zbatuar ligjin kundër demostruesve’. Rezulton me sy të lirë, por që pritet të konfirmohet nga analizat dhe hetimet e prokurorisë, që edhe kjo frazë është e korrigjuar. Para korrigjimit kjo frazë ka qenë, asnjë lloj zjarri pa dhënë urdhër’ dhe më pas i është shtuar, ‘kundër demostruesve pa zbatuar ligjin’. Te dy shënimet e cituara, të dokumentuara dhe të pasqyruara në librin e marrjes në dorëzim, duket me sy të lirë që ka ndërhyrje dhe korrigjime të dukshme në korrigjimet e fjalëve “pa zbatuar ligjin dhe kundër demostruesve”, në rastin e urdhërit të dhënë nga gjenerali dhe zëvendësimin e fjalës “homogjene” me fjalën “lakrimogjene” në urdhërin e dhënë nga ministri i Brendshëm. Po kështu rezulton nga këqyerja se vetëm më datë 21 Janar në këtë libër ka ndërhyrje dhe falsifikim të urdhërave të shënuar dhe në asnjë datë tjetër nuk ka korrigjim apo falsifikim të urdhërave. Në këto kushte, Shërbimi për Çështjet e Brendshme ka depozituar sot, kallëzimin penal për shtetasin Lulzim Basha, në atë kohë Ministër i Brendshëm me akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’, për dhënien e një urdhëri haptazi të kundrëaligjshëm, pasi nuk është kërkund në kompetencën e ministrit drejtimi operacional, aq më tepër përdorimi i lëndëve kimike homogjene ndaj protestuesve dhe gjithashtu akuza ‘falsifikim i dokumentacionit’ për operatorin e Gardës me detyrë specialist i Qendrës së Drejtimit në Gardën e Republikës që ka rezultuar personi përgjegjës në pasqyrimin e komunikimve dhe urdhërave në radio dhe telefon në librin e marrjes në dorëzim të shërbimit”, deklaroi Ministri Tahiri.

Deklarata e ministrit të Brendshëm u bë gjatë replikave me ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Skenar filmi i sigurimit të shtetit. Në vitin 1999-2000 këta më hoqën mua imunitetin me një shishe. Prokurori i tyre nxorri një shishe dhe tha se me këtë homogjen Berisha do të helmonte popullatën. Shkuan gazetarët dhe e panë që ajo ishte pije. Kanë gjetur këtë tani për të akuzuar Lulzim Bashën”, u kundërpërgjigj ish-kryeministri Berisha.

Ndërkohë, deputeti Taulant Balla tha se kanë dalë fakte të reja ndaj Lulzim Bashës jo vetëm për 21 Janarin, por edhe për çështje të tjera ku është përfolur emri i kreut të demokratëve.

“Kanë dalë fakte të reja për 21 Janarin, për rrugën Durrës-Kukës, fakte që e përfshijnë atë direkt. Këto të dyja, dhe sigurisht edhe për veprën penale të tradhtisë kombëtare për shitjen e detit. Mirë që nuk e rikandiduat Lulin dhe i hapët rrugë Prokurorisë ta hetojë, edhe në kuadër të dekriminalizimit, por bëni mirë që institucionet e shtetit të mos i shihni si armiq kur hetojnë pjesë të familjes suaj politike dhe t’i inkurajoni kur hetojnë pjesë të familjes tjetër politike kundërshtare. Në 21 janar ç’punë kishte Ministri i Brendshëm të jepte urdhra? Edhe kjo duhet hetuar. Se janë vrarë katër shqiptarë, katër bijë nënash, të cilët si çdo herë tjetër edhe gjatë këtij viti, por edhe atij që shkoi, vijnë në Tiranë për të protestuar për arsye të ndryshme, por nuk duhen qëlluar me plumba se janë shqiptarë, e Lulzim Basha mban përgjegjësi.”, tha Balla.

Bashkë me Lulzim Bashën është paditur dhe një efektiv i Gardës së Republikës i akuzuar për “falsifikim të dokumenteve”. Kjo padi do të hapë shumë polemika dhe do të rrisë tensionin politik, pasi vjen me pak se tre muaj para zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit. 

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button