Bushati në takimin e NATO: Hetim ndërkombëtar për "Kumanovën"

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka deklaruar në takimin Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s në Antalia të Turqisë se është i domosdoshëm hetimi ndërkombëtar, për të qartësuar në mënyrë të plotë dhe transparente konfliktin e rëndë të Kumanovës.

Duke nënvizuar faktin që çdo përshkallëzim i mëtejshëm i situatës nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë, Ministri Bushati ftoi që gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme t’i lenë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe perspektivës Euro-Atlantike të Maqedonisë.

Ai nënvizoi gjithashtu se harmonia e marrëdhënieve ndëretnike, sanksionuar në Marrëveshjen e Ohrit, është thelbësore për stabilitetin demokratik dhe për të ardhmen euro-atlantike të Maqedonisë.

Po ashtu, Ministri Bushati shprehu edhe mbështetjen aktive të Shqipërisë për anëtarësimin sa më të shpejtë të Malit të Zi në NATO si dhe për institucionalizimin e marrëdhënieve të Aleancës me Kosovën.

Këto deklarata janë bërë në kuadrin e situatës së brishtë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, që një nga objektet e diskutimit të takimit të mbajtur nga 13 në 14 Maj.

Ditën e dytë të punimeve, Ministrat e Jashtëm të vendeve aleate diskutuan gjerësisht sfidat kryesore me të cilat përballet siguria Euro-Atlantike dhe mënyrat optimale për t’iu përgjigjur atyre. Një vend të veçantë në diskutime zunë sfidat e sigurisë në krahun lindor dhe jugor të Aleancës, mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së në këtë kontekst, qasja gjithëpërfshirëse e NATO-s ndaj rreziqeve të sigurisë, si dhe perspektiva e zgjerimit të Aleancës.

b
b

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button