Notat e protestës për naftën, Greqia pezullon kërkimet në detin e Jon

Përplasja

Tenderi me afat deri më 14 maj nuk ka asnjë fitues. Kompania norvegjeze nuk shpreh interes

Tenderi – Zona “Joni V” ka qenë e shpallur e lirë nga ana e qeverisë shqiptare për të qenë pjesë e tenderit me palën greke, tender i cili është bllokuar

Kompania – Mungesa e një përgjigjeje nga pala greke ka bërë që kompania norvegjeze të mos i nisë punimet kërkimore, por të tërhiqet përkohësisht nga i gjithë ky proces

Refuzimi – Gjuha e munguar diplomatike mes dy palëve, është reflektuar edhe në pjesëmarrjen e Greqisë në Samitin e SEECP, ku do të mungojë Tsipras

Harta e Greqisë – Në këtë hartë ministria greke jep zonat e kërkimit të naftës. Nga 20 zona gjithsej, pjesa Joni I është më e kontestuara mes dy shteteve

Kushtetuesja – Gjykata Kushtetuese rrëzoi hartën e re të kufijve detarë, duke e cilësuar si jo e mbështetur në ligjin themeltar të shtetit shqiptar, Kushtetutën

Qëndrimi – Burime pranë MPJ-së, thanë se pavarësisht kësaj fushate, diplomacia shqiptare nuk do të tërhiqet nga kërkesa e saj që Greqia të respektojë konventat dhe të japë informacionin e kërkuar

ARTEMISA HOXHA

Nota e protestës së dërguar në qeveria shqiptare shtetit grek për ndalimin e kërkimeve të naftës në detin Jon, pezullon procedurat e zhvillimit të tenderit për zonën “Joni V” të shpallur nga qeveria greke, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Energjetikës. Çështja pezull e kufirit detar, që prej më se katër vitesh është shoqëruar me dështimin nga ana e Greqisë për të realizuar kërkimet në zonën Joni I. Teksa kjo zonë, së bashku me gjashtë blloqe të tjera të kërkimit të naftës në detin Jon, është shpallur si e lirë për tenderim nga ana e Ministrisë së Energjetikës, tender që duhet të zhvillohej deri në muajin qershor, duket se “Joni V” do të jetë zonë që do të kërkojë kohë për të nisur kërkimet, pas përplasjes mes dy qeverive. Nga ana e saj, Ministria greke e Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimeve Klimatike ka bërë publike në muajin mars 20 blloqe kërkimore për naftën në det, ku mes tyre është dhe zona e detit Jon në Shqipëri, tender që u hap në nëntor të vitit të kaluar dhe do të mbyllet në fund të muajit maj. Presioni i palës shqiptare për transparencën nga pala greke, ka bërë që zona “Joni V” të mbetet e papërfshirë në tender. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë sonë të Jashtme, fillesa e gjithë këtyre përplasjeve me qeverinë greke për kërkimin e naftës nga pala greke ka nisur prej më shumë se një viti, ku në kanale diplomatike Shqipëria i ka shprehur Athinës shqetësimin për mungesën e transparencës për kërkimet për naftë. Tri notat verbale të palës shqiptare, patën nga shteti grek vetëm një përgjigje, një hartë kërkimesh larg kufirit detar, çka detyroi MPJ-në që më 4 maj të dërgonte një notë proteste, ku kërkonte tërheqjen e menjëhershme të tenderit prej palës greke, nga kërkimet në det për hidrokarbure në ujërat kufitare. Nota e protestës së 4 majit mësohet se i është dërguar edhe OKB-së, por në të njëjtën kohë edhe kompanisë norvegjeze, e cila ka fituar tenderin për kërkimet në detin Jon. Pikërisht mungesa e një përgjigjeje nga pala greke ka bërë që kompania norvegjeze, PGS, të mos i nisë punimet kërkimore, por të tërhiqet përkohësisht nga i gjithë ky proces deri në zgjidhjen e ngërçit mes dy vendeve. Vendimi duket se lidhet me njohjen e së drejtës ndërkombëtare, që detyron shtetet të ulen bashkë për të tenderuar kërkimet në det. Pavarësisht kësaj, pala greke ka vendosur ta shfaqë hapur pakënaqësinë e saj, ndaj kësaj kërkese legjitime të shtetit shqiptar, duke dhënë si përgjigje vetëm heshtjen. Gjithsesi, referuar konventës për zonat kufitare detare, shtetit grek nuk i mbetet asnjë rrugë tjetër veçse të ulet në tavolinë me Tiranën zyrtare për të nënshkruar një marrëveshje të re për tenderim të përbashkët.

Reagimi i Greqisë

Gjuha e munguar diplomatike mes dy palëve, duket se është reflektuar edhe në pjesëmarrjen e Greqisë në Samitin e SEECP (Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore) që mbahet sot në Tiranë, ku Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka vendosur që të përfaqësohet vetëm me zëvendësministrin e Jashtëm, Nikolas Hunits. Një përfaqësim në rang drejtorësh dhe jo ministrash shteti grek e bëri edhe në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve të Europës Juglindore, që u mbajt në Tiranë javën që kaloi. Duket se pala greke mjaftohet vetëm me këtë përfaqësi për të qenë pjesëmarrëse pikërisht në organizime të tilla, që si qëllim kanë bashkëpunimin rajonal mes 13 vendeve anëtare të SEECP-së. Por, pas notës së protestës nga pala shqiptare më 4 maj, reagimi i parë i Greqisë ka qenë ai i refuzimit të takimit të ambasadorit shqiptar në shtetin helen me ministrin e Jashtëm grek, por asnjë qëndrim zyrtar nga autoritetet greke për pezullimin e procesit kërkimor të naftës në det. Në këmbim të reagimit zyrtar, pala greke duket se ka nisur një lojë mediatike për ta portretizuar Shqipërinë si një vend problematik për rajonin. Burime pranë MPJ-së, thanë se pavarësisht kësaj fushate, diplomacia shqiptare nuk do të tërhiqet nga kërkesa e saj që Greqia të respektojë konventat dhe të japë informacionin e kërkuar. Gjithsesi, prej ditësh gazeta të ndryshme greke shkruajnë se Kryeministri shqiptar nuk po ndjek rrugën e duhur për bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, por po përshkallëzon nacionalizimin shqiptar. Mesa duket kjo është e vetmja mënyrë për të cenuar imazhin e Shqipërisë, duke anashkaluar dhe lënë pa zgjidhje çështjet që ekzistojnë prej vitesh mes dy shteteve fqinje.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button