Erdogulenët e Shqipërisë

Nga Ilva Tare

Ka disa tema me të cilat audienca televizive është lehtësisht e angazhuar, aktive ndonjëherë edhe agresive. Dhe feja është një prej tyre. Kështu ka ndodhur sa herë hapen debate me karakter fetar. Porse rasti më i fundit i betejës Erdgoan-Gulen i eksportuar nga Turqia përmes deklaratës së Presidentit turk në Tiranë, ishte një konfirmim i pamohueshëm se shqiptarët janë të ndjeshëm dhe fatkeqësisht për këtë cështje edhe të ndarë. Dhjetra mesazhe me pyetje ngacmuese apo sulmuese ndaj të ftuarve në panel që sulmonin Gulenin dhe investimet e tij në Shqipëri dhe jo vetëm shoqëruan debatin në Tonight Ilva Tare. Edhe të ashtëquajturit Gulenistë akuzonin debatuesit që i cilësonin si struktura paralele që synojnë krijimin e një shteti të jashtëligjshëm paralel, si mbrojtës të një autokrati si Erdogan që e mban peng Turqinë me tendencën për të kontrolluar pushtetin, shtypur median, drejtësinë dhe liritë e njeriut.

Nëse i sheh për së jashtmi të dyja palët kupton se konflikti është i thellë dhe akuzat serioze. Guleni mbron lirinë e individit dhe investon për të në 160 shtete të botës. Ndërsa Erdogan mbron dhe po ngre në kult islamin politik. Cështja është përse investon tek individi Gulen dhe cfarë synon të bëjë me individin e edukuar me cilësi në shkollat më prestigjoze të ngritura prej tij. Edhe në Shqipëri të ashtëuqajtura shkollat e Gulen kanë një cilësi të pakonkurrueshme që kanë berë politikanët më të rëndësishëm në vend t’i shkollojnë aty fëmijët e tyre. Janë të shtrenjta, por ky nuk është një problem i pakapërcyeshëm për politikanët tanë. Por mbi të gjitha janë cilësore dhe nëse do të ishin problematike për sigurinë kombëtare apo me tendenca terrorizmi sic i akuzon Erdogan, politikanët shqiptarë do ishin të parët që do t’i mbanin larg fëmijët e tyre nga ambjente të tilla.

Atëherë, cfarë fshihet pas shqetësimit të Presidentit Erdogan me strukturat e Gulen në Shqipëri? Përse njeriu që si model politik ka Vladimir Putin duke e imituar në kapërcimet nga Kryeministria në Presidencë zgjodhi të fliste shqip më vëllezëerit shqiptarë duke shfrytëzuar një takim publik në vend që të përdorte kanale më diskrete komunikimi për qëllimet e tij. Sa të rrezikuar janë shqiptarët nga produktet e Gulenit, ish mikut të Erdoganit që vetëm në Dhjetor të 2013-tës u kthye në armik i betuar i Presidentit fuqiplotë. A kanë të drejtë Gulenistët shqiptarë të ndjehen të sulmuar me pa të drejtë në shtëpinë e tyre nga një armik politik i financuesit dhe frymëzuesit të tyre?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë shumë delikate për t’u dhënë dhe të komplikuara për të marrë përsipër t’u përgjigjet cilido e sheh në pozitat e spektaktorit një luftë të eksportuar në vendin tonë. E sigurtë është se reagimi i shtetit shqiptar duhet të jetë ligjor, i qartë, transparent dhe i denjë për një vend që rrugën drejt Bashkimit Europian nuk ka ndërmend ta kompromentojë me tendenca të errët autokratike të cilat pengmarrin interesat e qytetarëve të nje vendi me kosto të larta.

Tuqia është vërtet një vend mik dhe e ka potencialin të kthehet edhe partner strategjik sic e quan Kryeministri Rama. Por Turqia nuk është dhe nuk duhet të jetë model për demokracinë shqiptare dhe aq më pak i Kryeministrit tonë. Modeli i shqiptarëve duhet të jetë ai i vendeve me demokraci të konsoliduar ku institucionet nuk kanë fytyrën e njeriut që e drejton përkohësisht atë, por të ligjeve dhe meritokracinë që zbaton. Interesi kombëtar i shqiptarëve është detyrë e institucioneve të shtetit shqiptar për tu ruajtur dhe nëse ato nuk janë duke e bërë sic na paralajmëroi Erdogan kjo është një përgjegjësi që nuk duhet anashkaluar. Por besoj se interesi kombëtar dhe objektivi madhor i Shqipërisë nuk është të marrë pjesë në luftërat e aleatëve. Interesi kombëtar i Shqipërisë është të anëtarësohet në Bashkimin Europian pa mbajtur sytë nga lëmoshat apo ndihmat e partnerëve edhe kur ato jepen me bujari dhe pa qëllime të fshehta. Pavarësisht, se nuk është ky rasti me ndërhyrjen e Erdogan.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button